9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

EMRI I ZOTIT “ALLAH”

Më të lexuarat

Për rëndësinë e kësaj teme është me vlerë të themi se njohja e Allahut na udhëzon kah dashuria ndaj Tij, frika, shpresa ndaj Tij, na mëson në Mbikëqyrjen e Tij dhe të vepruarit me sinqeritet çdo vepër për Të, e s’ka dyshim se kjo është lumturia e njeriut, dhe nuk ka mundësi e formë tjetër në njohjen e Allahut vetëm se me njohjen e Emrave të Tij të bukur dhe studimi i domethënieve  të tyre. Nëse njeriu do ti njohë dhe praktikojë kuptimet që shkëputen nga emrat dhe cilësitë e Allahut, atëhere  do jetë më korrekt me veten dhe  të tjerët.

Shënon Imam Buhariu, Muslimi   nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që thotë: i Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu i ka nëntëdhjetë e nëntë emra, kush i mëson, do të hyjë në xhenet, Ai është Një (tek) dhe e do tekun .

                                                                                                                                   Shumë njerëz sot në vendet tona porsa dëgjojnë emrin e Allahut “Allah” në ezanin që thirret apo në përshëndetjet që thuhen midis besimtarëve, fillojnë e polemizojnë se përse  duhet që të shprehen në arabisht ndërsa ne kemi gjuhën tonë. Dhe ndoshta disa të tjerë ndiejnë paragjykime porsa e dëgjojnë këtë emër e ndoshta disa të tjerë urrejtje pa ja njohur kuptimin. Thotë Allahu: “Ata polemizojnë rreth Allahut…”, (Kuran, 13:13).

Thotë Allahu: “Allahu ka emrat më të mirë, andaj thirreni me ata.” (Kuran, 7:180). Dhe  disa njerëz të tjerë ndërtojnë fe të posaçme për ndonjë nga emrat e Zotit, ndërsa Ai thotë në Kuran “Thuaj: “Thërrisni: All-llah ose thërrisni Er Rrahman, me cilindo që ta thërrisni (me këta dy emra), emrat e Tij janë më të bukurit”. (Kuran, 17:110).

Emri “All-llah” është emër njëjës, jo i prejardhur nga ndonjë emër dhe askush prej ‘’zotrave’’  apo njerëzve të mëparshëm nuk është  emërtuar me këtë emër, porse ai është emër i posaçëm dhe i veçantë vetëm  për Zotin e gjithësisë, të vetmin Krijues. Allahu xh.sh. thotë : “A di ti për Të (Allahun) emërtues tjetër?! (Kuran, 19:65).

Të gjithë robërit e thërrasin dhe i luten Atij me fjalët: O Allah!  Origjina e këtij emri në gjuhën arabe është ” ilah” اله, që do të thotë “i adhuruar”, rrënja e fjalës إله “ilah” është ” ألوهة و إلهة يأله أله   elihe, je’lehu, ilaheten dhe uluheten” që do të thotë; “adhuroi, adhuron, adhurim” kështu që emri Allah الله është i përbërë nga pjesëza “أل” “eli” dhe fjala: “إله” “ilah” (i adhuruar) si rrjedhojë kuptimi i emrit “Allahu” është: “i Adhuruari.”

Thotë H.Ibrahim Dalliu në librin e tij Ajka e kuptimeve të Kurani kerimit’’,  fjala e madhërueshme  Allah është njëri nga emrat e bukur të Zotit. Me këtë emër, thirret vetëm i Adhuruari me të drejtë, që është Zoti. Allah nuk quhet tjetërkush përveç Zotit. Kur themi Allah na vjen ndërmend  veta e Zotit e pajisur me të gjitha vetitë e plota që janë të meritueshme për madhërinë e Tij dhe pa asnjë të metë.  Emri me më së shumti përdorim në Kuran, është emri ‘Allah’,  është përdorur plot 2699 herë.

Prej veçorive të tij është se ai është baza/origjina e të gjithë emrave të bukur të Allahut. Të gjithë emrat tjerë i atribuohen atij, dhe ai cilësohet përmes tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij. Ai ka Emrat më të Bukur” (Kuran 20:8). Prandaj, thuhet Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi), Err-Rrahim (Mëshirëploti), El-Halik (Krijuesi), Err-Rrezzak (Furnizuesi), El-Aziz (i Plotfuqishmi), El-Hakim (i Urti), janë prej emrave të Allahut, dhe nuk thuhet All-llah është prej emrave të Err-Rrahmanit dhe Err-Rrahimit, apo prej emrave të El-Azizit, dhe kështu me radhë. Pra gjithë emrat e tjerë të Allahut burojnë nga ky emër.

Duhet ditur se vetëm me emrin Allah plotësohet dëshmia islame e cila është “La ilahe il-la Allah, Muhammedun resulullah”. ’’S’ka të Adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij’’.

Çdo gjë të cilën besimtari e vepron duhet ta fillojë me Bismilah pra me emrin e Allahut.Dhe kur ha, pi dhe lutet dhe me këtë emër hapen të gjitha kaptinat e Kur’anit. Thotë Profeti alejhi selam “Çdo gjë me rëndësi që nuk ka filluar me bismilah është e privuar nga e mira.” Me këtë ti mëson se nuk ka zot tjetër veç Allahut, mëson se Ai është i vetmi Zot, mëson se Atij i drejtohet gjithkush për ndihmë, nga kjo mëson se vetëm Atij i duhet drejtuar për ndihmë, vetëm prej Atij duhet pasur frikë, Ai është Furnizuesi, Kontrolluesi.

Emri i madh i Allahut është pa dyshim vetë emri “Allah”. Transmetojnë Ibn Xheriri dhe Hakemi nga Seid bin Ebi Vekasi e ky nga Pejgamberi alejhi selam të ketë  thënë: “A t’ju tregoj për emrin e madh të Allahut? Ai emër është në “duanë e Junusit” që e bëri në bark të peshkut: “nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje unë isha prej të padrejtëve’’ Disa e pyetën: A mos ka qenë kjo dua e veçantë vetëm për Junusin a.s.? ai u përgjigj:  “A nuk e shihni se ç’thotë Allahu xh.sh.  -“Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët”  (Kuran, 21:88).

Nëse njeriu kur përmend emrin e ndonjë të dashuri gëzohet dhe përmallohet, atëhere si është çështja me Zotin e njerëzve, të adhuruarin e njerëzve, me përmëndjen e të Cilit gjen rehati  dhe përgjigje ai që e beson dhe ai që nuk e beson atë.

 Thotë Allahu: “…dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.” (Kuran, 13:28).

Me këtë emër Allahu i është prezantuar gjithë Pejgamberëve, “O Musa Unë jam Allahu, Zoti i botrave..’’ (Kuran, 28:30).

Përfundimi i njeriut që e shqipton dhe e beson këtë emër padyshim është kënaqësia e Allahut dhe xheneti i Ti. Thotë Profeti alejhi selam:“Kush dëshmon se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet, i Cili është i Vetëm, pa rival dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij me sinqeritet nga zemra e tij do të hyjë në xhenet.” (Buhari).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit