Më shumë se 250 forca në “Sfida e Përbashkët 23”
Stërvitja ushtarake ndërkombëtare Common Challenge 23 do të mbahet në Mal të Zi nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit.
Ministria e Mbrojtjes në Podgoricë ka thënë se stërvitja CC23, e cila do të organizohet nga Ushtria e Malit të Zi, bashkon forcat e armatosura të disa vendeve, raporton RTCG.
Më shumë se 250 anëtarë të forcave të armatosura të Malit të Zi, Austrisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut, SHBA-së dhe Qendrës së Ekselencës së NATO-s për Luftën në Male do të marrin pjesë në stërvitje.
“Ata së bashku do të forcojnë aftësitë e tyre për të kryer operacione luftarake dhe kërkim-shpëtimi në terren malor, në kushte dimërore”, thuhet në deklaratë.
Siç u tha, këto operacione do të përfshijnë evakuimin në rast të ortekëve, teknikat e lëvizjes në male në dimër, ndërtimin e objekteve për qëndrim në kushte jashtëzakonisht të ftohta dhe të ngjashme.
Shtohet se aktivitetet gjatë stërvitjes do të zhvillohen në territorin e komunës së Kolashinit.
Gjatë CC23 nuk do të ketë ndeshje qitjeje, as nuk do të përdoret municion i vërtetë, sqaron Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi. /tesheshi.com/