-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Tregim motivues – lexoje deri në fund … – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat



“Ditën e parë të vitit shkollor, mësuesja doli para klasës së pestë, vështroi nxënësit dhe ju tha: “Ju dua shumë të gjithëve!” Një nxënës qëndronte i strukur në karrigen e tij në fund të rreshtit. Ai quhej Tedi Stodard. Mësuesja e kishte ndjekur me kujdes ecurinë e këtij nxënësi “të çuditshëm”. Ajo kishte vënë re se Tedi nuk luante me fëmijët e tjerë, rrobat e tij ishin gjithmonë të palara, ashtu siç ishte dhe ai vetë. Veç kësaj, ai nuk shfaqte as atë gëzimin fëmijëror që shihet tek fëmijët e tjerë. Sa herë që mësuesja Tomson korrigjonte fletoret e tij, shënimet me stilolapsin e kuq mbushnin fletoren, për t’u vulosur me fjalën “ngelës” në fund.

Një ditë, teksa ajo po plotësonte dosjen e Tedit, i tërhoqi vëmendjen diçka që nuk e kishte vënë re më parë.

Mësuesja e Tedit, e klasës së parë fillore, kishte lënë një shënim për këtë nxënës. Ajo shkruante: “Tedi është një fëmijë i zgjuar dhe me humor të mirë. Ai i kryen detyrat me kujdes dhe rregull. Veç kësaj, ai është një nxënës me edukatë të mirë.”

Mësuesja e klasës së dytë, kishte shkruar: “Tedi është nxënës i dalluar dhe i talentuar. Të gjithë nxënësit e klasës e duan shumë. Por, kohët e fundit ai duket i mërzitur dhe i stresuar, nëna e tij vuan nga një sëmundje e rrezikshme. Kjo ia ka shtuar vuajtjet kësaj familjeje”.

Mësuesja e klasës së tretë, shkruante: “Vdekja e nënës së Tedit ishte një goditje e rëndë për të. Ai po përpiqet ta kalojë këtë moment, por i ati nuk i kushton vëmendje. Jeta në familje do të ndikojë negativisht në formimin e Tedit, nëse nuk do i kushtohet kujdesi i duhur.”

Mësuesja e klasës së katërt shënonte: “Tedi është një nxënës i mbyllur dhe nuk tregon asnjë interes për mësimet. Ai nuk ka shumë shokë dhe ndonjëherë e zë gjumi në orë të mësimit.”

Ajo e kuptoi ku çalonte puna me nxënësin e saj Tedi. Ju kujtua edhe dita kur të gjithë nxënësit i kishin sjellë nga një dhuratë për ditëlindje, të mbështjella në kuti të bukura. Sakaq, dhurata e Tedit ishte mbështjellë me një qese plastmasi të thjeshtë, nga ato që të japin shitësit e zarzavateve në treg. Zonjës Tomson i kishte ardhur shumë zor teksa merrte në dorë dhuratën e Tedit, kurse disa nxënës kishin shpërthyer në të qeshura.

Ajo e kishte hapur kutinë dhe brenda saj kishte gjetur një varëse me gurë diamanti të imituar, ku mungonin disa, si dhe një kuti parfumi një shishe përgjysmë e mbushur.
Të qeshurat fëmijërore ishin ndërprerë vetëm në momentin kur zonja Tomson ishte shprehur e mrekulluar nga ai varg gurësh, të cilin menjëherë e kishte vënë në qafë. Këtë akt, e pason me vendosjen e disa pikave të parfumit në kyçet e duarve.

Atë ditë, Tedi nuk u nis menjëherë për në shtëpi, por u vonua për t’u takuar me mësuesen e tij, zonjën Tomson, të cilës i tha: “Aroma jote sot, është njëlloj si aroma e mamit tim.”
Pasi u larguan të gjithë fëmijët nga klasa, zonja Tomson shpërtheu në të qara. Nxënësi i saj Tedi, i kishte sjellë si dhuratë, parfumin që përdorte nëna e tij. Ai kishte ndjerë tek ajo aromën e nënës së që nuk jetonte më.

Që nga ajo ditë, zonja Tomson nuk u mësonte nxënësve të saj vetëm lëndën e leximit, por i ndihmonte edhe për lëndët e tjera. Për Tedin, ajo filloi të tregojë një kujdes të veçantë. Sa më shumë motivohej nga ana e mësueses, aq më shumë shtohej vullneti i tij. Në fund të vitit shkollor, Tedi ishte nxënësi më i dalluar i klasës, më i zgjuari dhe më i përkëdheluri i mësueses.

Pas një viti të ngjeshur me aktivitet, ajo gjeti një shënim në tavolinë nga nxënësi i saj Tedi. Ai i shkruante: “Ti je mësuesja më e mirë që kam parë.”

Kaluan gjashtë vite dhe ajo nuk mori asnjë letër tjetër prej Tedit. Pas këtyre viteve, ai i shkruan se kishte zënë vendin e tretë tek të dalluarit në klasë. Në fund, i shkruante se ajo vazhdonte të zinte vendin e parë si mësuesja më e mirë me të cilin ishte takuar në jetë.

Katër vite më vonë, zonja Tomson merr një letër tjetër nga Tedi ku i shkruante:“Gjërat janë vështirësuar se jeton në konviktin e universitetit dhe se së shpejti do të diplomohet me rezultate të larta. Në fund, nuk harroi që t’i kujtojë se ajo mbetej mësuesja më e mirë që kishte pasur në jetë.

Pas katër vitesh të tjera, Ted i shkruante mësueses së tij se pas studimeve universitare, kishte vendosur të kalonte në një stad më të lartë. Sigurisht, edhe këtë herë i theksonte në fund të letrës se ajo vazhdonte të mbetej mësuesja më e mirë. Por, këtë herë emri i tij me të cilin mbyllte letrën, ishte paksa më i gjatë se zakonisht: Doktor Teodor F. Stoddard.

Në një letër tjetër në pranverë i thoshte se ishte njohur me një vajzë, me të cilën do të martohej. Veç kësaj, i kërkonte që të vinte në dasmë dhe të qëndronte në vendin që zakonisht i rezervohet nënës së dhëndrit, kërkesë të cilën zonja Tomson e pranoi. Më e çuditshmja është se zonja Tomson ditën e dasmës vë në qafë të njëjtën varëse që Tedi ia kishte dhuruar për ditëlindje, kushedi sa vite më parë, të cilës i mungonin dhe disa gurë. Por jo vetëm, ajo nuk kishte harruar të parfumohej me të njëjtin parfum i cili i kishte kujtuar Tedit nënën e tij.

Të dy u përqafuan me mall dhe Tedi i pëshpërit asaj në vesh: “Të falënderoj për besimin që më ke dhënë. Të falënderoj thellësisht nga zemra që më bëre të ndihem se jam i rëndësishëm. Të falënderoj që më bëre të besoj se edhe unë mund të jem i suksesshëm”.

Sakaq zonja Tomson ia ktheu me lot në sy: “Jo, e ke gabim. Ti më mësove mua si të jem mësuese e mirë. Unë nuk ia kisha haberin nga mësimdhënia, derisa u shfaqe ti.”

Për ata që nuk e njohin Teddy Stoddard, është doktor i famshëm emrin e të cilit e mban pavioni i trajtimit të tumoreve në spitalin e Des Moines në shtetin e Aiva. Ai konsiderohet si qendra më e mirë për trajtimin e tumoreve në nivel të SHBA-ve.

Ngrohja zemrën dhe përpiqu t’ia ndryshosh jetën dikujt! Edhe nëse nuk mundesh sot, bëje nesër!💡

✍️ Hoxhë Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit