Allahu i Lartësuar thotë:
وَأُمِرْتُ لأَنْ أَكُونَ أَوَّلَ ٱلْمُسْلِمِينَ
“Unë jam urdhëruar të jem i pari nga ata që i nënshtrohen Atij” (Zumer, 12)
Abdulla Ibn Amr radiallahu anhu tregon nga Pejgamberi salallahu alejhi ve selem i cili ka thënë:
الْمُسْلِمُ مَنْ سَلِمَ الْمُسْلِمُونَ مِنْ لِسَانِهِ وَيَدِهِ وَالْمُهَاجِرُ مَنْ هَجَرَ مَا نَهَى اللَّهُ عَنْهُ
“Muslimani është ai i cili nuk i sjell dëm muslimanëve as me gjuhën e tij dhe as me dorën e tij dhe Muhaxhiri (i shpërnguluri) është ai që lë (e braktis) gjithçka që ka ndaluar Allahu.” (Buhariu)
Ebu Musa radiallahu anhu tregon E pyetën të Dërguarin e Allahut salallahu alejhi ve selem :
أَيُّ الْإِسْلَامِ أَفْضَلُ؟ قَالَ: مَنْ سَلِمَ الْمُسْلِمُونَ مِنْ لِسَانِهِ وَيَدِهِ
“O i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem, Islami i kujt është më i miri?” Ai u përgjigj: “Ai prej të cilit nuk lëndohen myslimanët as nga gjuha e tij dhe as nga dora e tij.” (Buhariu)
Enesi radiallahu anhu tregon nga Pejgamberi salallahu alejhi ve selem i cili ka thënë:
لا يؤمن أحدكم حتى يحب لأخيه ما يحب لنفسه
“Asnjë prej jush nuk do të ketë besim (të plotë) derisa të dojë për vëllanë e tij (të fesë, muslimanin) çfarë ai don për veten e tij.” (Buahriu)
Shpjegim:
Besimtarit i kërkohet që ai që ai t’i bindet dhe ti nënshtrohet Allahut të Lartësuar, pra të jetë mysliman i përkushtuar, dhe adhurimin ta ketë të sinqertë dhe njëshmërinë e plotë në Allahun.
Padyshim që myslimani i bindur nuk i sjell dëm të tjerëve, e në veçanti myslimanëve as me gjuhë dhe as me dorë. Ai si mysliman i mirë merr në konsideratë urdhrat e Allahut dhe largohet nga çdo gjë që Ai e ka sanksionuar.
Dy hadithet janë shumë të qartë që e skenojnë dhe paraqesin në mënyrë shumë të thjeshtë dhe të formuluar shumë mirë, veprimin e myslimanit me dorë dhe gjuhë. Kurse hadithi i tretë kërkon nga besimtari që atë që e donë për vete, t’ia dëshiroj edhe të tjerëve, sepse kjo është pjesë e imanit.
Dobi:
Nënshtrimi ndaj Allahut është urdhër.
Myslimanit nuk i lejohet t’i sjellë dëm myslimanëve në asnjë mënyrë, kujdes dorën dhe gjuhën.
Muhaxhir (i larguar) është ai i cili i len haramet.
Mendoja të mirën të tjerëve, ashtu si ja mendon vetes.
Allahu im!
Më lehtëso nënshtrimin ndaj urdhrave tua. Ruaje dorën dhe gjuhën time nga gjynahet.
Ulvi Fejzullahu