Këto ditë i është dorëzuar kryesisë së Komunitetit Musliman Shqiptar një kërkesë e nënshkruar nga imamë dhe hoxhallarë të ndryshëm. Nënshkruesit e saj e kalojnë numrin dyqind dhe sikur të mos ishte ngushtësia e kohës dhe mangësia logjistike numri i tyre sigurisht do të ishte më i madh; dyfish a më shumë.
Kërkesa në vetvete përmban një numër kërkesash, të cilat shkurtimisht janë:
1. Ndryshimi i statutit të KMSH-së në lidhje me zgjedhjen dhe emërimin e myftinjve.
2. Ndryshimi i statutit të KMSH-së në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.
3. Ndarja e myftinjve në bazë të ndarjes së re territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe shpërndarja e numrit të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm në proporcion me numrin e besimtarëve të çdo myftinie.
Kërkesat janë të drejta dhe legjitime. Ato synojnë të hapin dimensione të reja dhe një përfaqësim sa më dinjitoz të muslimanëve. E kemi theksuar dhe e ritheksojmë se KMSH-ja është institucion jetik dhe i pazëvendësueshëm për muslimanët. Ky institucion është shpresa e vetme për të përmbushur aspiratat e besimtarëve muslimanë dhe është rregullatori kryesor i jetës fetare në vend, si përfaqësues i komunitetit më të madh fetar. Rrjedhimisht, përgjegjësitë dhe detyrat që bien mbi të janë të mëdha.
Nuk mund të vihet në dyshim se sfidat me të cilat po përballen muslimanët në vitet e fundit janë më të mëdha se ato të para dy dekadave. Numri i besimtarëve praktikantë sa vjen e shtohet. Me shtimin e tyre është shtuar edhe nevoja për xhami, ambjente për namazin në institucione (porte, aeroporte, etj), medrese dhe fakultete. Niveli fetar i komunitetit besimtar gjithashtu është rritur dhe nuk është më ai që ka qenë pas komunizmit, duke prodhur kështu edhe nevoja e kërkesa të reja dhe duke e bërë të pashmangëshme futjen e një fryme të re në këtë institucion.
Ç’është e vërteta, kohët e fundit, ky institucion nuk ka qenë në lartësinë e duhur dhe nuk është bërë ajo punë e cila pritej nga besimtarët. Pakënaqësitë kanë qenë të dukshme dhe janë shfaqur në forma të ndryshme. Puna ka çaluar në shumë aspekte dhe janë krijuar ngërçe të cilat është shumë e rëndësishme të zgjidhen dhe të tejkalohen. Jam i ndërgjegjshëm që këto kërkesa nuk zgjidhin çdo problem, por ato, me lejen e Allahut, hedhin hapat e para drejt normalizimit të marrëdhënies bazë-kryesi.
Çelsi i suksesit të një institucioni është përfaqësimi dinjitoz dhe përmbushja e objektivave të synuara. Që ky sukses të arrihet është tepër e rëndësishëm të kemi një rregullim të marrëdhënies bazë-kryesi. Një kryesi e fortë pa mbështetje në bazë është e destinuar të dështojë. Po kështu një bazë indiferente dhe e dobët është faktor kryesor për dështimin, ashtu si edhe mospërfaqësimi i drejtë dhe i gjerë i kësaj baze (xhemateve të xhamive), çon në anomali, ngërçe, pakënaqësi, abuzime dhe përfundimisht në dështim.
Këto pika të drejta të kësaj kërkese do t’i japin një tjetër dimension këtij raporti. Një rol më i gjerë i imamëve të xhamive do të garantojë një punë më elastike, më efikase, më afër terrenit, larg burokracive të zyrave dhe abuzimeve. Një përfaqësim më i gjerë i imamëve do ta afronte edhe institucionin e Komunitetit Musliman me bazën, pra me xhematet e xhamive dhe kjo padyshim do të reflektojë produktivitet dhe ecuri të punës.
Gjithashtu, riformulimi dhe ndarja e myftinive në proporcion të drejtë me numrin e besimtarëve dhe në përgjigjje të ndryshimeve territoriale të fundit është një kërkesë e drejtë dhe imediate, që do të garantojë mbarëvajtje dhe organizim më të mirë të punës. Drejtimi dhe organizimi i mirë janë padyshim premisat kryesore për përmbushjen e pikësynimeve të një institucioni. Drejtimi dhe organizimi i mirë do të gjejnë mbështetje edhe në xhematet e muslimanëve. Personalisht nuk kam as më të voglin dyshim, që ky riorganizim do t’i japë më shumë gjallëri punës dhe më shumë efikasitet asaj.
Shpresojmë që këto kërkesa të mos bien në vesh të shurdhër dhe të pranohen nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së. Ato përfaqësojnë një zë të gjerë në mesin e besimtarëve dhe asesi nuk duhet të anashkalohen. I bëj thirrje Komunitetit Musliman që këto kërkesa t’i shqyrtojë me profesionalizëm dhe pa ngutje. Jemi të bindur që me një shqyrtim të drejtë e të paanshëm ato do të aprovohen, për të mirën e gjithë bashkësisë muslimane të Shqipërisë.
Gjithashtu, u kërkoj besimtarëve në mbarë vendin t’i mbështesin këto pika dhe kërkesa të drejta, ta ngrejnë zërin e tyre dhe të shkundin pluhurin e pasivitetit. Islami na mëson të jemi sa më të matur, sa më largpamës dhe njëkohësisht sa më këmbëngulës për të drejtën dhe të mirën. Mështetja e kësaj nisme të drejtë është përgjegjësi e çdo besimtari. E lus Allahun të na japë sinqeritet, largpamësi dhe rrugëzgjidhje për çdo brengë e shqetësim! Amin!