-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Brnabiqit nuk i pëlqeu deklarata e Escobar, se SHBA refuzon kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë

Më të lexuarat

Kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, nuk i kanë pëlqyer aspak deklratat e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili sot ka thënë se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Brnabiq, duke reaguar ndaj deklaratës së Escobar, ka thënë se “Po shoh se miku im Gabriel Escobar është një tjetër politikan që me vendosmëri është kundër rezolutave valide të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Në disa postime në Twitter, Brnabiq, ka thënë se Escobar “e ka marrë rolin e Këshillit të Sigurimit dhe me votën e tij unanime, të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe ministres [Viola] von Cramon, të njohur edhe Raportuesja për Kosovën*, e ka anuluar Rezolutën 1244″.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë nevojë të organizojnë sesione të Këshillit të Sigurimit, kjo trojkë do të vendosë për të gjitha çështjet globale tash e tutje”.

“Nëse mundem, një pyetje, nëse Rezoluta 1244 nuk është më valide (sepse juve nuk ju pëlqen, ndonëse askujt nuk i bëhet vonë) dhe nëse Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston (siç thotë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe pasi ju nuk i dënoni deklaratat e tij, ju liderë të mëdhenj) dhe nëse Marrëveshja e Uashingtonit nuk është asgjë pos diçka e së kaluarës, dhe nëse Karta e OKB-së nuk vlen për Serbinë (sepse ju liderët besoni se nuk duhet), atëherë në bazë të cilës marrëveshje/rezolute/parimi duhet të veprojmë ne?”, ka pyetur ajo, transmetonn Telegrafi.

“Apo thjesht duhet të ndjekim horoskopin tuaj për të marrë me mend dëshirat tuaja dhe për të ndihmuar në shpëtimin e paqes në botë? Ju falënderoj për kohën tuaj – mund ta imagjinoj se sa e zënë duhet të jetë për të drejtuar botën në vend të OKB-së”, ka shkruar Brnabiq.

Brnabiq nuk e ka bërë të ditur se cilave deklaratave të Escobarit u është referuar, apo cilave veprime të mekanizmave tjerë ndërkombëtarë.

Escobar ka thënë në një intervistë për REL se SHBA-ja kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, që Serbia ka paralajmëruar se do ta kërkojë nga KFOR-i.

“Ne kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara”.

I pyetur nga REL se cila do të ishte përgjigjja e SHBA-së nëse Beogradi do të bënte një inkursion të armatosur, Escobar tha se “Para së gjithash, nuk e pres këtë. Por, së dyti, do të ritheksoj se Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR”.

Të mërkurën, Escobari bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Sebi, Mirosllav Lajçak, kanë takuar në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Emisari evropian tha pas takimit se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri, dhe jo përmes buldozerëve.

Escobari dhe Lajçaku do ta takojnë nesër edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.

Vizita e tyre vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Gjashtë barrikadat e ngritura më më 10 dhjetor, bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Ky veprim i serbëve lokalë erdhi pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Ndaj u caktua një muaj paraburgim.

Më 12 dhjetor Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të barrikadave të ngritura në veri të Kosovës nga serbët lokalë.

Të dielen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit