Deputeti i ekstremit të djathtë që pritet të përfshihet në qeverinë e re të Izraelit, Zvika Fogel tha se “Më mirë të qajnë 1.000 nëna palestineze sesa një nënë izraelite”
Deputeti i ekstremit të djathtë që pritet të përfshihet në qeverinë e re të Izraelit, Zvika Fogel deklaroi se Izraeli është treguar “shumë i mëshirshëm ndaj palestinezëve” dhe ka shtuar se “Më mirë të qajnë 1.000 nëna palestineze sesa një nënë izraelite”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Fogel, deputeti i partisë Otzma Yehudit (Fuqia Hebreje) i ekstremit të djathtë një partnere e qeverisë së koalicionit që pritet të formojë Benjamin Netanyahu në Izrael, foli për televizionin britanik “Channel 4”.
Gazetari Secunder Kermani i parashtroi pyetjen: “Flisni vazhdimisht për sigurinë. Por, vazhdimisht numri i palestinezëve që humbin jetën në këto përleshje është më i lartë se i izraelitëve. Nëse ka që një palë që ka nevojë për më shumë siguri a nuk duhet të jenë ato palestinezët?”, ndërkohë që Fogel u përgjigj:
“Kushdo që më dëmton, unë e dëmtoj atë. Mendoj se tashmë koncepti i proporcionalitetit nuk duhet të ekzistojë. Për këtë arsye t‘ju them një gjë që nuk është e këndshme: (Nëse do të bënim zgjedhje) Një nënë izraelite apo 1.000 nëna palestineze, më mirë të qajnë 1.000 nëna palestineze”.
Ndaj reagimit të Kermanit se “Kjo është politikë raciste për një qeveri” politikani izraelit tha: “Ne jemi treguar shumë të mëshirshëm (ndaj palestinezëve). Por, tashmë duhet t’i japim fund kësaj. Kjo nuk ka lidhje me racizmin”.
– Qeveria më e djathtë në historinë politike izrealite
Politika izraelite po përgatitet për qeverinë më të djathtë në historinë e saj.
Në Izrael, Benjamin Netanyahu i cili doli fitues në zgjedhjet e 1 nëntorit, pritet të formojë një qeveri në të cilën do të kenë fjalën e tyre edhe partitë fetare dhe ekstremiste-raciste që ai hyri në të njëjtën aleancë në zgjedhje.
Blloku i djathtë nën kryesimin e Natanyahut, përbëhet nga partitë ultra fetare Shas dhe “Judaizmi i Bashkuar-Tora” dhe partitë Sionizmi Fetar dhe “Fuqia Hebreje”, të njohura për politikat e tyre të ekstremit të djathtë pro racizmit dhe dhunës.
Fakti që këto parti do të kenë fjalën e tyre në qeverinë e re, po ndiqen me shqetësim si nga palestinezët por edhe nga shoqëria izraelite dhe partnerët e Izraelit në arenën ndërkombëtare.
Në anën tjetër sipas shifrave të deklaruara nga Kombet e Bashkuara, viti 2022 është regjistruar si viti më i përgjakshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga viti 2005 kur OKB-ja filloi të mbajë regjistrime në rajon.
Sipas kësaj, deri më 29 nëntor 2022 janë vrarë 217 palestinezë, përfshirë 165 në Bregun Perëndimor nën pushtim dhe 52 në Gazën nën bllokadë. Theksohet se 48 për qind të këtyre vdekjeve e përbëjnë fëmijët.
/aa/