Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti serb do të qëndrojë në krah të serbëve në Kosovë, të cilët, sipas tij, kanë treguar se nuk duan të dëgjojnë Albin Kurtin as të tjerët, lidhur me konvertimin e tabelave ilegale të lëshuar në Serbi në ato RKS.
Vuçiq, siç transmeton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, ka deklaruar kështu, duke iu përgjigjur pyetjes nëse a do të fillojë konfiskimi i veturave të serbëve, që nuk janë riregjistruar pas 31 tetorit.
Ai tha se nuk mund të pritet reagimi i bashkësisë ndërkombëtare, sepse, sipas tij të gjithë nga QUINT-i a do të thonë se janë kundër dhe se ata kërkuan nga Prishtina një shtyrje, por Kurti ishte kundër, transmeton Telegrafi.
“Kohë të vështira po vijnë për njerëzit tanë dhe do të ishte çmenduri të parashikonim ndonjë gjë tani. Ne do të jemi me serbët në Kosovë, të cilët kanë treguar se nuk duan të dëgjojnë Kurtin apo të tjerët, por veten dhe ndërgjegjen e tyre, duan që të respektohen të drejtat e tyre”, tha ai.
Kur ka mbetur edhe më pak se një javë deri në përfundimin e afatit për riregjistrim të targave, interesimi për të bërë një gjë të tillë në mesin e serbëve në Kosovë, duket se është i ulët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sërish u ka bërë thirrje serbëve në veri të Kosovës që të konvertojnë targat nga ato të lëshuara nga Serbia në targat RKS.
Ai këtë e ka bërë të ditur para mediave sot (e martë), pasi mori pjesë në Samitin rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë.
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, ka thënë Kurti para gazetarëve.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price deklaroi se SHBA e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa duke folur për çështjen e targave tha se shpreson që kjo të zgjidhet në mënyrë paqësore ditëve në vijim. /Telegrafi/