Shtetet e Bashkuara u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin tensionet për çështjen e targave, teksa përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit fajësuan njëri-tjetrin për tensionet e krijuara në veri të Kosovë në fund të korrikut dhe fillim të gushtit.
Në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u prezantua raporti gjashtëmujor për Kosovën, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, tha më 18 tetor se kërcënimi për stabilitetin dhe paqen nuk ka ardhur nga Kosova, por nga Serbia.
“Kosova nuk ka provokuar, Kosova ka insistuar që Serbia t’i përmbahet marrëveshjes që ka nënshkruar vetë”, tha Gërvalla duke iu referuar Marrëveshjes për lëvizjen e lirë, që përmbante edhe pikën për lëshimin e një dokumenti për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës dhe Serbisë.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, por edhe ai riregjistirmin e targave rritën tesionet në pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, me serbët lokalë që bllokuan rrugët.
Kjo bëri që Kosova të shtynte për një muaj zbatimin e vendimeve, por në ndërkohë Prishtina dhe Beogradi u pajtuan që të heqin krejtësisht dokumentin për hyrje/dalje, ndërkaq vendimi për targat nisi së zbatuari më 1 shtator.
Por, ministri i Jashtëm serb, Nikolla Sellakoviq, tha se veprimet, siç i quajti ai “të njëanshme” të Kosovës, sa i përket çështjes së riregjistrimit të targave, nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS (Republika e Kosovës), kanë për qëllim “diskriminimin” e serbëve.
Ai tha se fakti që ka shumë pak persona që kanë riregjistruar makinat e tyre, tregon se Prishtina nuk ka mbështetje për këtë pikë.
Qytetarët serbë në Kosovë, që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia mund t’i riregjistrojnë ato në RKS, deri në fund të tetorit.
Pikërisht përfundimi i këtij afati, bëri që ministrja Gërvalla të paralajmërojë se Serbia po përgatit nxitje “të dhunës”.
“Serbët ekstremistë po ndjekin dhe po frikësojnë në mënyrë brutale bashkëqytetarët e tyre duke ua djegur edhe veturat që kanë ndërruar targat”, tha Gërvalla.
“Ne kemi inkurajuar këtë këshill dhe bashkësinë ndërkombëtare që të shtyjë Serbinë që të ndalë këtë rrugëtim të rrezikshëm të nxitjes së çrregullimeve dhe dhunës në fund të këtij muaji”, shtoi ajo.
Por, Sellakoviq tha se “retorika e vrazhdë e Kosovës” paraqet “hapa destabilizues” sa i përket vendimeve të marra për riregjistrimin e makinave.
SHBA-ja kërkon zgjidhje për targat
Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB tha se përmes dialogut, Kosova dhe Serbia arritën nënshkrimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për energjinë dhe në mënyrë paqësore zgjidhën çështjen e dokumentit për hyrje/dalje.
“Ne inkurajojmë fuqishëm Kosovën dhe Serbinë që të mbajë tensionet e ulëta duke u fokusuar në progresin e dialogun dhe duke shmangur retorikën nxitëse. Ne u bëjmë thirrje palëve që të punojnë me partnerët amerikanë dhe evropianë në zbatimin e Udhërrëfyesit për energjinë dhe të shmangin tensionet për targat”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.
Ndërkaq, ambasadorja e Francës tha se “çfarëdolloj veprimi i njëanshëm që mund të nxisë tensione, duhet të shmanget”.
Akuza të ndërsjella “për agresion”
Gjatë mbledhjes të Këshillit të Sigurimit, Kosova dhe Serbia po ashtu këmbyen akuza edhe sa i përket raporteve midis Beogradit dhe Moskës.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, kritikoi Serbinë për raportet e afërta me Rusinë, teksa tha se Beogradi është shndërruar në “kërcënimin e dytë më të madh” në Evropë, pas Rusisë, shtetit që po kryen agresion ndaj Ukrainës.
“Zoti [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq po promovon ideologjinë raciste të ‘Botës Serbe’. Ai e ka bërë këtë doktrinë zyrtare të Qeverisë. Kjo ideologji është version i ricikluar i ideologjisë së ‘Serbisë së Madhe’ që ka qenë ideologjia bazë për luftërat dhe gjenocidin që Serbia ka ushtruar ndaj katër shteteve, udhëhequr nga [ish-presidenti serb, Sllobodan] Millosheviqi”, tha ajo.
“Serbia, me mbështetjen e Rusisë Imperialiste është bërë edhe një herë kërcënim. Vuçiq po përgatitet agresion në mënyrë ushtarake dhe ideologjike, ngjashëm me Putinin”, shtoi Gërvalla.
Sellakoviq u kundërpërgjigj, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës për, siç tha ai, përgatitje për agresion, duke përmendur se po ndërtohen katër baza për njësitë speciale të Policisë së Kosovës në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.
“A nuk është përgatitje për agresion për të dëbuar nga Kosova serbët e mbetur aty”, pyeti Sellakoviq.
Sellakoviq dhe Gërvalla u shprehën se janë të gatshëm që çështjet të zgjidhen përmes dialogut.
Teksa Sellakoviq tha se palës serbe “nuk i mungon konstruktiviteti” për uljen e tensioneve dhe është e përkushtuar “për gjetjen e zgjidhjeve përmes mjeteve paqësore”, Gërvalla tha se dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja ka një pikë të rëndësishme, atë të njohjes reciproke.
“Pavarësia e Kosovës është punë kryer. Edhe Serbia duhet ta njohë këtë realitet”, tha ajo.
Dialogu për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Palët kanë dallime sa i përket përfundimit të këtij procesi. Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi mund të bëhet fjalë.
Gjatë mbledhjes, SHBA-ja po ashtu kërkoi që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog, sikurse ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kërkesë të ngjashme pati edhe ministri i Jashtëm serb, Sellakoviq, duke akuzuar se Kosova me moskrijimin e Asociacionit po tregon, sipas tij, se nuk do që të ketë pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë.
Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, lidhur me raportet Serbi-Rusi, kërkoi nga ajo “që të mos filozofojë dhe të mos bëjë analiza gjeopolitike”, por të merret me situatën në Kosovë, pasi sipas tij, situata e sigurisë “po përkeqësohet”.
“Kosova vazhdon të jetë pika kryesore e tensioneve në Ballkan dhe minon paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha ai.
Shefja e UNMIK-ut: Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë kërcënuan dialogun
Ndërkaq, përfaqësuesja e posaçme e OKB-së në Kosovë, njëherësh udhëheqësja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, tha para Këshillit të Sigurimit se tensionet “akute” midis Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti, kërcënuan që të kthejnë prapa rezultatet e arritura në dialogun që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, Ziadeh tha se gjatë këtij viti, Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza, por tensionet u shmangën “përkohësisht” pas ndërhyrjes ndërkombëtare.
“Që nga pranvera e kaluar, ne të gjithë kemi parë disa përshkallëzime në retorikën politike… si dhe disa momente të tensionit akut në terren. Këto rrezikuan të zmbrapsnin shumë nga rezultatet e arritura më parë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha ajo.
Ziadeh tha se me përqendrimin në dialog, Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje.
“Tani jam gjithnjë e më e bindur se çdo marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të arrihet dhe zbatohet vetëm me një shkallë të lartë të përfshirjes dhe pronësisë publike… ne presim të bashkëpunojmë me institucionet e Kosovës bazuar në mirëbesim dhe respekt të plotë për njëri-tjetrin”, tha ajo.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i Uashingtonit sërish kërkoi që Këshilli i Sigurimit të nisë procedurat për përmbylljen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, duke përsëritur qëndrimin se ky mision ka përfunduar punën në Kosovë.
Dhënien fund të mandatit të misionit të UNMIK-ut e kërkoi edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria, por Kina tha se prania e OKB-së është garanci për paqe dhe siguri.
Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.
Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, UNMIK-u i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.