3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Kush hyn në Xhenet? – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Nga Ebu Hurerja (radijallahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

“I gjithë umeti im do të hyjë në Xhenet, përveç atij që refuzon.”
Atij i thanë: Dhe kush është ai që refuzon?
Ai u përgjigj: “Ai që më bindet hyn në Xhenet, dhe kush më kundërshton ai ka refuzuar.” (Buhariu 7280)

Shpjegim:

Fjala “umet” (popull) në tekstet e Kuranit dhe Sunetit përdoret me dy kuptime. Kuptimi i parë është ai i mbarë njerëzve, muslimanë ose jo. Këta janë ata të cilëve u ka ardhur mesazhi profetik i Muhamedit (alejhi salatu ue selam), pra teorikisht të gjithë njerëzit e botës pas ardhjes së Profetit quhen umeti i tij, ose ndryshe emërtohen si “umeti i thirrjes” pra se të gjithë njerëzit ftohen në Islam dhe se ata nuk kanë profet tjetër që duhet të ndjekin dhe binden përveç Muhamedit (alejhi salatu ue selam) ndaj dhe ata nga ky këndvështrim quhen ‘umeti i tij’.
Kuptimi i dytë i fjalës umet është ai i ngushtë, që nënkupton vetëm muslimanët, pra vetëm ata që i janë përgjigjur thirrjes islame dhe janë bërë musliman.

Hadithi që cituam më sipër na tregon se bindja ndaj Profetit dhe urdhëresave të tij e shpëton njeriun në botën tjetër dhe e shpie atë në Xhenet, dhe kjo sepse bindja ndaj tij është bindje ndaj vetë Allahut, siç Ai thotë në Kuran: “Kush i bindet Profetit, i është bindur Allahut.” (4:80) Sigurisht kjo lidhet me faktin se Profeti flet me shpalljen që i vjen nga Zoti dhe fjalët dhe urdhëresat e tij janë të diktuara nga Krijuesi dhe jo nga vetja e tij.

Hadithi në fjalë duke qenë se nuk e specifikon qartë se për cilin umet bëhet fjalë në të, ka dy komente të mundshme. Kështu nëse me fjalën umet këtu ka për qëllim kuptimin e parë, atëherë ata që refuzojnë Profetin dhe nuk hyjnë në Xhenet janë jobesimtarët, jomuslimanët të cilët kanë refuzuar të pranojnë mesazhin e tij nga Zoti.
Por nëse me këtë hadith fjala umet ka kuptimin e dytë, atëherë këtu kemi të bëjmë me një kërcënim frikësues ndaj atyre muslimanëve që janë të ngarkuar me gjynahe, të cilët nuk do të hyjnë që në fillim në Xhenet, dhe që mund të ndëshkohen përkohësisht para se të hyjnë të, sepse sipas besimit të Ehli Sunetit (Sunijve) të gjithë muslimanët do të hyjnë në Xhenet, edhe nëse mund t’iu vonohet kjo hyrje për shkak të gjynaheve të tyre.

Hadithi në thelb tregon rëndësinë vendimtare që ka bindja ndaj Profetit, e cila padyshim lidhet ngushtësisht me pjesën e dytë të shehadetit (dëshmisë që të fut në Islam), pra se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit