Maqedonia rrezikon të humbë transportin hekurudhor të mallrave përmes Korridorit 10, prej kur kompanitë transportuese evropiane kanë filluar të favorizojnë Korridorin 4, linjë hekurudhore, e cila për momentin kalon në disa shtete të BE-së dhe përfundon në Turqi. Sipas përfaqësuesve nga sektori hekurudhor, nga kjo situatë nuk është e rrezikuar vetëm Maqedonia, por të gjitha shtetet që dalin nga ish-Jugosllavia.
Shkak kryesor për uljen e transportit janë formalitetet e shumta doganore dhe kufitare. ‘Operatorët e hekurudhave vetëm të bashkuar mund t’i përgjigjen konkurrencës së madhe dhe të kthejnë pozicionin në sistemin e transportit të mallrave. Në vitin 2010, trafiku i përgjithshëm i mallrave midis vendeve të Aleancës ka arritur shifrat prej 62.5 milionë tonë, pra 21.4 për qind më shumë se në vitin 2004’, tha Marjan Masiç, përfaqësues i hekurudhave sllovene. Sipas Masiç problem shtesë për Maqedoninë paraqet edhe mungesa e liberalizimit të trafikut hekurudhor. ‘Nëse liberalizimi i këtij tregu mbyllet deri në hyrjen e Maqedonisë në BE do të vihet në pikëpyetje edhe aleanca e formuar mes kompanive hekurudhore nga ish-shtetet e Jugosllavisë’, tha Marjan Masiç, përfaqësues i hekurudhave sllovene. Për këtë qëllim aleanca e formuar nga kompanitë shtetërore hekurudhore nga ish-shtetet jugosllave ka filluar të punojë në revitalizimin e Korridorit 10 me qëllim që të krijohen kushte teknike për rritjen e konkurrencës së tij./koha/kohaislame