1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Cilësi relative e ushqimeve në Kosovë

Më të lexuarat

Siguria e ushqimit është kritike për shëndetin publik, por në Kosovë disa thonë se cilësia e tij është “relative”.

Kjo, për faktin se produktet që konsumojmë në tryeza, në raste të caktuara, dështojnë t’i kalojnë testet e sigurisë, thotë Afrim Hamidi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, drejtimi Teknologji Ushqimore me Bio-teknologji.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Hamidi thotë se secili produkt ushqimor duhet të kalojë nëpër një zinxhir, që nis nga prodhimi, shpërndarja, ruajtja në treg dhe përfundon në tryezë apo konsum.

Sipas tij, secila hallkë e këtij zinxhiri ka rëndësinë e vet.

“Nëse flasim për mishin, ai ka zinxhir pak më kompleks, sepse lënda e parë është e shtrenjtë. Dhe, industria e mishit, për t’i ofruar konsumatorit një produkt më të lirë, gjen lëndë pak më të lirë. Mund të them se në Kosovë nuk vjen ndoshta mish mjaftueshëm i sigurt, ose nuk vjen mish me kualitet të mjaftueshëm”, thotë Hamidi.

Ai shton se në Kosovë, problem më vete paraqet edhe mbajtja e produkteve në temperaturë adekuate.

Kjo temperaturë për produktet e qumështit dhe të mishit të freskët duhet të jetë nga 1 deri në 4 gradë Celsius, kurse për produktet me ngrirje të thellë duhet të jetë më e ulët.

“Frigoriferët në marketet [në Kosovë] janë të mëdhenj dhe shumë të hapur, nuk mund të garantohet ftohje e mirëfilltë e produktit”, thotë Hamidi.

Ai tregon se për një hulumtim, bashkë me studentët kanë monitoruar qendra të ndryshme tregtare në Kosovë, ku kanë parë se në më shumë se 50 për qind të rasteve ka pasur abuzim me temperaturën.

“Këtu nuk është problem i prodhuesit, por i pronarëve të marketit”, thotë Hamidi.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV), në gjysmën e parë të këtij viti, ka iniciuar 43 raste për kundërvajtje, të cilat lidhen me ruajtjen e produkteve ushqimore në kushte joadekuate dhe transportin e kafshëve pa dokumentacion përcjellës. Të dhënat janë bërë publike në raportin e rregullt gjashtëmujor të kësaj agjencie, por nuk është e qartë se cili është epilogu i këtyre rasteve.

Çfarë thonë qytetarët?

“Rreth 100 herë më ka ndodhur të sjell në shtëpi produkte pa afat”, thotë Begishe Hasani, një grua në të 60-tat.

“Nuk e di… në ambalazh shkruan se ka afat, kur të hapet është e prishur. Zakonisht ndodh me produktet e qumështit, me jogurt me fruta…”, thotë Begishja, e cila kujdeset për furnizimet e familjes së saj 5-anëtarëshe.

“Shpeshherë, bizneset i heqin afatet e skadimit dhe vendosin të tjera mbi to. I kam parë edhe vetë… në disa produkte të ndryshme, qoftë shtazore apo të qumështit”, thotë Avniu dhe tregon se, më herët, ka punuar në një dyqan ushqimor në Prishtinë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, e cila ka inspektorë sanitarë nëpër komuna, është institucioni i vetëm përgjegjës për inspektimin e sigurisë ushqimore në vend.

Qindra mijëra kilogramë ushqime të asgjësuara

Në raportin e rregullt të kësaj agjencie, për periudhën janar-qershor, thuhet se autoritetet kanë asgjësuar rreth 130 mijë kilogramë të produkteve ushqimore me prejardhje bimore, mbi 135 mijë kilogramë të produkteve të mishit dhe mbi 150 mijë litra/kilogramë qumësht dhe produkte qumështi.

Më 21 shtator, AUV ka urdhëruar, po ashtu, tërheqjen nga tregu të të gjitha llojeve të produkteve të markës italiane “Wudy”, përfshirë sallamet dhe salsiçet, për shkak të dyshimeve për prani të bakterit Listeria në to. Ky bakter, nëse konsumohet, mund të shkaktojë vjellje, diarre, temperaturë, ethe dhe dhimbje muskujsh.

Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar detaje AUV-it për arsyen e asgjësimit të ushqimeve, për sigurinë e ushqimit në përgjithësi dhe për monitorimin e tregut, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Në një deklaratë për REL-in, ish-kryeshef i kësaj agjencie, Valdet Gjinovci, thotë se ushqimi i prodhuar në Kosovë, por edhe ai i importuar, në përgjithësi, është i sigurt për konsum.

“Lirisht mund të them se Kosova, edhe si shtet i ri, me një angazhim dhe përkushtim ka arritur që nga vitet 2000 e këndej të jetë konkurrente edhe për produktet që i vijnë nga importi”, thotë Gjinovci, aktualisht profesor në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Megjithatë, në gjysmën e parë të vitit, edhe Shërbimi Fitosanitar Kufitar i Kosovës ka refuzuar rreth 100 tonë miell gruri, të ardhur kryesisht nga Serbia dhe Shqipëria.
Sipas këtij shërbimi, mielli nuk ka qenë i pasuruar me disa përbërës të nevojshëm, si hekur dhe acid folik.

Shumica e produkteve në Kosovë importohen nga vendet fqinje, të Bashkimit Evropian dhe të tjera, pasi industria e prodhimit nuk është shumë e zhvilluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, në korrik të këtij viti, eksportet nga Kosova kanë arritur vlerën e 76.2 milionë eurove, kurse importet kanë qenë në vlerë prej 502 milionë eurosh.

Nga kjo shumë e importeve, 13 për qind janë ushqime të përgatitura, pije dhe duhan, ndërsa tek eksportet, vlera e këtyre mallrave është 8 për qind.

Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon nga të gjitha vendet që të kenë politika gjithëpërfshirëse për sigurinë ushqimore, si dhe legjislacion dhe programe përkatëse.

Sipas OBSH-së, sëmundjet që vijnë nga ushqimi, ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve. Ushqimi i pasigurt krijon një rreth vicioz të sëmundjeve dhe të kequshqyerjes, duke prekur veçanërisht foshnjat, fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët, thotë OBSH-ja.

Në Kosovë, Ligji për ushqimin thuhet se “rregullon parimet e përgjithshme dhe kërkesat që kanë të bëjnë me higjienën e ushqimit dhe ushqimin e sigurt”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit