-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kush e dëshiron heqjen e shamisë?

Më të lexuarat

 “…Ata që jepen pas epsheve dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë” (Kur’an, 4: 27)

Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, i Cili i dha secilit atë që meriton. Përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin, të dashurin e Allahut, i cili e barti amanetin e Allahut me përpikëri, ishte udhëzues për gjithë njerëzimin, përgëzues për të gjitha mirësitë dhe begatitë dhe qortues për të gjitha gjërat e këqija dhe të dëmshme për individin dhe shoqërinë.

Allahu dëshiron që njeriu të pendohet tek Ai, të pendohet për veprat e këqija që ka vepruar dhe të mos bëhet pesimist ndaj mëshirës së Allahut dhe në të njëjtën kohë të mos i përsërisë mëkatet. Kurse ata të cilët jepen pas epsheve dëshirojnë që muslimani të largohet nga rruga e drejtë krejtësisht, në mënyrë që shokët e tij të shtohen, rruga e së keqes të zgjerohet dhe kështu të bëhet më e lehtë për të ecja në këtë humnerë të sigurt. Allahu thotë: “Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë.” (Nisa, 27)
Po a thua kush janë këta që “jepen pas epsheve”?

Ibën Xheriri Et-Taberiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Është thënë se këta janë lavirët, por thuhet gjithashtu se ata janë çifutët dhe të krishterët”[1], ndërsa imam Kurtubiu thotë: “Kanë rënë në mospajtim dijetarët në lidhje me përcaktimin e atyre që pasojnë epshet (që janë përmendur në këtë ajet). Muxhahidi thotë se ata janë lavirët, kurse Suddiju thotë se ata janë çifutët dhe të krishterët. Disa dijetarë thonë se për qëllim janë veçanërisht çifutët, ngase ata kanë tentuar që muslimanët t’i pasojnë ata në martesën me motrat që i kanë pasur vetëm nga babai[2].” Ndërsa Ibën Zejdi thotë: “Ky ajet është i përgjithshëm (d.m.th. përfshin lavirët, çifutët, të krishterët etj.) dhe këtë mendim e përkrah edhe Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë.[3]
Të njëjtin mendim kanë edhe imamët Taberiu dhe Ibën Kethiri. Imam Taberiu thotë: “Allahu i ka përshkruar këta njerëz se ata jepen pas epsheve të tyre të neveritshme dhe nëse çështja qenka kështu, atëherë kuptimi i parë i këtij ajeti është ai kuptim që shfaqet sipërfaqësisht dhe jo ndonjë kuptim i brendshëm, për të cilin nuk dëshmon ndonjë argument apo analogji. E, nëse është kështu, atëherë në këtë ajet, në fjalinë “të cilët jepen pas epsheve”, bëjnë pjesë çifutët, të krishterët, lavirët dhe çdo pasues i së kotës, ngase çdo pasues i asaj që ka ndaluar Allahu është pasues i epshit të tij. E pasi çështja është kështu, atëherë komentimi që i bëmë këtij ajeti patjetër është komentimi primar dhe i saktë.”[4]

Kurse Ibën Kethiri thotë: “Fjala e Allahut “por ata që jepen pas epsheve dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë” do të thotë se pasuesit e djajve nga radhët e çifutëve, të krishterëve dhe lavirëve dëshirojnë që të largoheni nga e vërteta në të kotën, me një largim të plotë.”[5]

Dijetari i madh bashkëkohor Abdurrahman Es-Sa’di, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtij ajeti thotë: “Fjala e Allahut “ata që jepen pas epsheve” domethënë se anojnë nga shkojnë epshet dhe u japin përparësi epsheve në mënyrë që ta kënaqen, madje i adhurojnë epshet e tyre. Këta njerëz janë mosbesimtarët dhe mëkatarët, të cilët u japin përparësi epsheve të tyre ndaj respektimit të Allahut. Këta njerëz dëshirojnë “që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë”, d.m.th. të devijoni nga rruga e drejtë dhe të shkoni në rrugën e atyre, me të cilët Allahu është i hidhëruar dhe në rrugën e të humburve. Këta njerëz dëshirojnë që t’ju largojnë nga respektimi i të Mëshirshmit, që të respektoni shejtanin e mallkuar, t’ju largojnë nga përkushtimi ndaj urdhrave të Allahut, e cila është e gjithë lumturia, që të pasoni atë që ju sjell vetëm mjerim. Nëse e kuptuat që Allahu ju thërret në atë që është në të mirën tuaj, në atë që është shpëtim dhe lumturi dhe këta të cilët jepen pas epsheve ju thërrasin në atë që është humbje dhe mjerim i thellë, atëherë merreni në konsideratë thirrjen më të mirë dhe zgjidhni rrugën më të mirë nga këto dy rrugë.”[6]

Nga këto fjalë të dijetarëve gjatë komentimit të këtij ajeti të madh u bë e qartë se kë po e pengon shamia dhe kush mundohet ta heqë atë. Personat të cilët nuk njohin udhëzimin, ata që e kanë humbur dritën në mesin e ditës, ata çdoherë do të jenë kundër çdo iniciative të përmirësimit të kësaj shoqërie, ngase përmirësimi është fitim i madh për popullin, mirëpo humbje e madhe për ata të cilët ecin pas epsheve të tyre. Është shumë logjike që ata mundohen ta ndalojnë shaminë, ngase kështu i sigurojnë vetes dhe epsheve të tyre atë që dëshirojnë, përndryshe nuk do të kishin  mundësi të luanin me vajzat e reja e të ndershme. E, dihet shumë mirë se mbulesa simbolizon nderin.

Por ata nuk mjaftohen me kaq. Ata dëshirojnë, siç ka treguar Allahu në këtë ajet, që edhe ne të bëhemi si ata, në mënyrë që të gjithë të jemi njësoj në punë të pista djallëzore dhe të gjithë të jemi në gradën e kafshëve apo edhe më ulët. Për të arritur këto qëllime, ata mundohen të shfaqin çdo të keqe dhe amoralitet në popull, ndërkohë që me mish dhe shpirt luftojnë çdo të mirë dhe nder.

Këta janë ata që kanë luajtur dhe akoma luajnë me qenie njerëzore dhe këta janë ata të cilët trafikojnë qeniet njerëzore. Këta janë shkaku kryesor i përhapjes së SIDA-s dhe sëmundjeve të tjera në këtë popull. Po ashtu këta janë ata të cilët luftojnë çdo nder dhe çdo gjë që e ruan atë.

Motra ime, shamia është nder për ty dhe për gjithë popullin, kurse lakuriqësia është mjerim për këtë botë para botës tjetër. Lakuriqësia lë pasoja të rënda në veten tënde dhe në shoqëri.

Pa e zgjatur më shumë, motër e nderuar, dije që metoda më e mirë për t’u dhënë atyre mundësi që t’i pasojnë epshet je ti dhe përmjet teje ata arrijnë çdo fëlliqësirë që sillet në kokat e tyre, prandaj mos u bëj pre e ujkut të pangopur.


Allahu na mjafton, sa ndihmës i mirë është Ai!  

Shkruar nga Xheladin Leka

[1] Shiko tefsirin e Taberiut te komentimi I këtij ajeti, “Xhamiul Bejan” (6/621).

[2] Pra, te çifutët është e lejuar të martohesh me vajzën të cilën e ke motër vetëm nga babai dhe jo nga nëna, kurse një vepër e tillë është e ndaluar në Islam.

[3] Shiko tefsirin e Kurtubit gjatë komentimit të këtij ajeti, “El xhami’ li ahkamil Kur’an” (5/154).

[4] “Xhamiul Bejan” (6/624).

[5] ‘Tefsirul Kur’anil Adhim” (1/624).

[6] “Tejsirul Kerimirr-Rrahman fi tefsiri kelamil Mennan” (fq. 163) gjatë komentimit të këtij ajeti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit