9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Disa kuptime shumë të rëndësishme mbi sprovat

Më të lexuarat

Sprova është ligj hyjnor.

Njerëzimi përgjatë gjithë historisë është sprovuar, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Elif, Lam, Mim. A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?”. Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.” (El Ankebut, 1-3)

Sprovat kanë dhe një karakteristikë tjetër. Ato janë veçori e çdo kohe, por, për dallim nga e kaluara, ato janë edhe si sinonim i kohës së fundit. Ahir zemani është kohë e sprovave. Jo vetëm që ka shumë, por janë edhe të rrezikshme. Janë të këtilla për shkak të një përbërjeje jashtëzakonisht komplekse. Ato nuk janë raste, janë dukuri…Për pasojë, ato mund edhe të kushtojnë me fe. Pejgamberi [a.s.] ka trajtuar detajisht sprovat e kohës së fundit. Librat e haditheve kanë përmbledhë thënie të shumta, të cilat, nga këndvështrime dhe aspekte të ndryshme, kanë trajtuar sprovat. Gjithsesi, në këtë kontekst, është përfshirë edhe përshkrimi i ilaçit, gjëja më e rëndësishme në këtë kapitull. Kjo, për shkak se sprovat do të ndodhin, është çështje e prerë ndërsa me ilaçin jo të gjithë mund të disponojnë ose të paktën dinë mënyrën e duhur të përdorimit.
Kjo ligjëratë i ka vënë vetes për obligim që bëjë një trajtim dhe klasifikim tematik të haditheve të sprovave[1], duke u fokusuar në hadithe autentike, të cilat trajtojnë dukuri që figurojnë sot në mesin tonë.

Imazhe të sprovave

Kohët e sprovave janë përshkruar si kohë të liga, të cilat nuk pësojnë zhvillime vetëm se për të keq. Pra, çdo kohë që vjen, vjen me sprova më të rënda se koha paraprake. Zubejr ibn Adijj rrëfen se kishin shkuar me një grup tek Enes ibn Malik, të cilit i ishin ankuar për vrazhdësinë e Haxh-xhaxhit, për çka ai iu kishte thënë: “Bëni durim ngase, derisa ta takoni Zotin tuaj (deri në Kiamet), nuk ka kohë që vjen e të mos jetë më e dëmshme se koha paraprake. E kam dëgjuar këtë nga Profeti juaj, paqja dhe bekimet qofshin mbi të!” [2]
Nga hadithi: “A do të shkatërrohemi edhe pse në mesin tonë ka të mirë?! Po, kur të këqijat të jenë shtuar.”[3]…dijetarët kanë kuptuar se bëhet fjalë për përhapje të shumë të këqijave. Në të vërtetë, Pejgamberi [a.s.] ka numëruar disa nga këto dukuri devijante në disa prej haditheve të tij, si: “Kiameti nuk do të ndodhë pa u zhdukë dituria, pa u shumuar tërmetet, pa u afruar koha, pa u shfaqur fitnet, pa u shtuar herexhi, qe është vrasja, vrasja, si dhe pa u shtuar pasuria shumë!”[4] ; “Vërtetë, prej shenjave të Kiametit janë: ngritja e diturisë, vërtetimi (përforcimi) i injorancës, konsumimi i alkoolit si dhe shfaqja e prostitucionit.”[5] ; “Do t’iu vijë njerëzve një kohë kur njeriu nuk do të bezdiset se nga e merr pasurinë, hallall apo haram.”[6]; “…njerëz që nuk udhëzohen me udhëzimin tim…”[7]; “…thirrës në dyert e Xhehennemit: kush iu përgjigjet, e hedhin në të…” [8]

Rreziku i sprovave

1. Humbja e kënaqësisë së jetës
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi [a.s.] ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, dynjaja nuk do të mbarojë pa kaluar njeriu pranë një varri mbi të cilin do të çirret (përlloçet, përlyhet) dhe do të thotë: Ah, sikur unë të isha në vend të këtij pronari të këtij varri!”[9]

2. Braktisja e Kur’anit dhe Sunnetit
Prej pasojave fillestare të sprovave është edhe braktisja e praktikumit të fesë. Besimtarët do të ndërrojnë praktikat islame me të tjera joislame. Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi [a.s.] ka thënë: “Nuk do të ndodhë Kiameti derisa Ummeti im të mos veprojë sikur shekujt (miletet) para tij, pëllëmbë për pëllëmbë dhe llërë për llërë. O i Dërguari i Allahut, a si persianët dhe romakët mendon? Po kush janë njerëzit përveç tyre?!- u përgjigj.”[10]

3. Thirrësit për në të keqen
Në hadithin e Hudhejfes ndër përshkrimet që i bëhen kohës së sprovave është dhe ky i paraqitjes së thirrësve, të cilët thërrasin për në Xhehennem: “…thirrës në dyert e Xhehennemit: kush iu përgjigjet, e hedhin në të…” [11]

4. Humbja e besimit
Pejgamberi [a.s.] ka thënë: “Paraprijuani me vepra (të mira) sprovave, të cilat vijnë (çdoherë më të rrezikshme se që ishin) sikur (që) pjesët e errëta të natës (vijnë njëra pas tjetrës). Njeriu gdhin besimtar ndërsa ngryset jobesimtar, apo, ngryset besimtar ndërsa gdhin jobesimtar; e shet fenë e tij për pak interes të kësaj bote.”[12]

5. Përçarja e ummetit
Zbehja e botëkuptimeve të vërteta fetare dhe mbajtjes për Kur’anit dhe Sunnetit sjell deri tek përçarja. Pejgamberi [a.s.] ka thënë: “E luta Zotin tim për tri gjëra, dy m’i dha ndërsa më privoi nga njëra…E luta që Ummeti im të mos përçahen, por këtë nuk ma dha.”[13]

6. Përhapja e vrasjes
Vrasja është pasojë e dukurive tjera, me theks të veçantë: injorancës, pasurisë dhe zinasë. Por, siç jepen shpjegime shtesë në hadith, ajo bëhet aq e shumtë saqë nuk dihet pse vriten njerëzit.

Si të shpëtojmë prej sprovave?

1. Mbajtja për Kur’anin dhe Sunnetin
Nëse imazh i sprovave është braktisja e traditës fetare, atëherë shpëtimi është tek kthimi tek kjo traditë.

2. Mosndarja nga kolektivi(xhemati) musliman
Mu ashtu sikur që sprovat paraqesin rrezik kolektiv, po kështu ruajtja prej tyre bëhet më së miri në mënyrë kolektive. Si porosi për Hudhejfen në hadithin, pjesë të të cilit cituam më parë, Pejgamberi [a.s.] thotë: “…mbaju për kolektivit mysliman dhe prijësit të tyre…”

3. Shmangia nga sprovat
Ka thënë Muhammedi [a.s.]: “Vërtetë, i lumtur është ai që i shmanget sprovave! Vërtetë, i lumtur është ai që i shmanget sprovave! Vërtetë, i lumtur është ai që i shmanget sprovave! Ndërsa lum për atë që sprovohet e duron!”[14]

4. Durimi, Për t’u shpërblyer, por jo edhe dëshira për t’iu ekspozuar
Kësisoj, sprovat, nuk duhet dashur, nuk duhet qasur atyre, nuk duhet ekspozuar. Pejgamberi [a.s.] ka thënë: “Besimtarit nuk i takon ta nënçmojë veten e tij! E si e nënçmon veten e tij?! – pyetën me habi? Tha: I ekspozohet sprovave, të cilat nuk mund t’i përballon.”[15] Por, nëse sprovohemi, atëherë duhet të bëjmë durim, ngase sprova mund të na shlyejë mëkatet.

5. Ruajtja e zemrës
Pejgamberi [a.s.] ka shpjeguar se fokus ose target i sprovave është zemra, e cila mbase mund t’ia del të shpëtojë. Dhe, nëse kalon këtë test, që llogaritet goxha i rëndë, atëherë ka kaluar rrezikun. Në hadithin e Hudhejfes, të cilin Muslimi e transmeton në Sahihun e tij, e në të cilin flitet për sprovat që i vërsulen zemrës, ndër tjera, për zemrën e mirë qëndron: “…e cila zemra i mohon (largohet prej tyre), atëherë në të do të vendohet një pikë e bardhë, derisa zemrat të ndahen në dy grupe: zemër e bardhë, (e bukur dhe e ndritshme) sikur mermer, të cilën nuk mund ta dëmtojë sprova sa të jenë qiejt dhe toka…”

6. Izolimi nga njerëzit
Izolimi nuk është zgjidhja parimore. Nuk është ajo që duhet bërë si parësore. Besimtarin nuk duhet ta frikësojë sprova që të mos kryejë detyrën e tij ndaj shoqërisë, ngase, sikur që sprovat rrezikojnë shkatërrimin në masë, po kështu përpjekjet për të shpëtuar duhet të jenë në masë. Pejgamberi [a.s.] e ka parë zgjidhje vetëm atëherë kur mungon kolektivi dhe prijësi mysliman. Në hadithin e Hudhejfes qëndron: “Po çfarë do të më urdhëroje të bëjë nëse më zë kjo kohë? Tha: Mbahu për kolektivit dhe prijësit të muslimanëve! E nëse nuk ka kolektiv dhe as prijës?- e pyeta. Atëherë braktisi të gjitha ato grupe, qoftë kosto e kësaj edhe kapja me dhëmbë për rrënjëve të pemës, derisa vdekja të të zë ndërsa ti je në këtë gjendje (i papërzier në sprova).”
Por, kur gjërat të kenë dalë nga rrjedha, kur sprova të ketë mbizotëruar, atëherë, izolimi për të mos dështuar edhe vet, lejohet. Ose, siç kanë shpjeguar dijetarët, izolimi vlen për atë që ka frikë dobësinë individuale, kështu që izolimi për të është më i mirë. Dhe ky izolim mund të jetë:
1) Izolim në shtëpi.
2) Izolim nga vendbanimi.

7. Duaja dhe namazi
Pejgamberi [a.s.] i bën një përshkrim interesant pozitës së adhurimit në këto kohë e thotë:“Adhurimi në kohë sprovash është sikurse migrimi tek unë.” [16]
Mu ashtu sikur migrimi fizik dhe të qenit afër Pejgamberit [a.s.] edhe fizikisht ka ndikuar në ruajtjen e besimit, po kështu edhe namazi të ruan nga sprova.

________________________________________
[1] Libri të cilit i jemi referuar dhe në të cilin jemi mbështetur për këtë punim është: El-ehadith el-hamsune el-muhtaretu fi-l-fiteni ve eshrati-s-saati të Shejhut Salih in AbduRrahman el-Hudajri.
[2] Transmeton Buhariu.
[3] Transmetim unanim.
[4] Transmeton Buhariu.
[5] Transmeton Buhariu.
[6] Transmeton Buhariu.
[7] Transmetim unanim.
[8] Transmetim unanim.
[9] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[10] Transmetim unanim. Teksti i Buhariut.
[11] Transmetim unanim.
[12] Transmeton Muslimi.
[13] Transmeton Muslimi.
[14] Transmeton Ebu Davudi në Sunen ndërsa Albani vlerëson se është autentik.
[15] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani thotë se është hasen.
[16] Transmeton Muslimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit