Allahu i lartesuar thote: “Betohem në Ditën e Kijametit. Betohem në shpirtin shumë qortues. A mendon njeriu se Ne nuk do t’ia bashkojmë sërish eshtrat atij? Përkundrazi, Ne jemi të Plotpushtet-shëm ta rikrijojmë sikurse ka qenë, deri te mollëzat e gishtave të tij Por njeriu dëshiron të vazhdojë edhe më tej në gjynahe e pyet: “Kur është Dita e Kijametit?” [Kijame 1 – 6]
Shpjegimi i ajeteve
- “Betohem në Ditën e Kijametit.” – Allahu i Madhëruar betohet në ditën e ringjalljes së krijesave, pas vdekjes së tyre. Ai betohet në ditën e daljes së nje-rëzve nga varret e tyre, për të qëndruar në pritje të llogarisë para Zotit të botëve.
- “Betohem në shpirtin shumë qortues.” – Këtu është fjala për të gjithë shpirtrat, të mirët dhe të këqijtë. Shpirti është quajtur ‘qortues’, sepse ai është vazhdi-misht qortues dhe ndryshon nga një gjendje në një gjendje tjetër. Ai nuk qëndron asnjëherë në një gjendje të vetme. Ai është cilësuar qortues, edhe sepse në momentin e vdekjes ai e qorton bartësin e tij për veprat që ka bërë. Madje, shpirti i besimtarit e qorton bartësin e tij edhe në jetën e dynjasë, për gabimet dhe mangësitë e tij, për lëshimet në ndonjë detyrim, si edhe për ndonjë pakujdesi.
Allahu i Madhëruar është betuar në Ditën e Gjykimit për të përforcuar vërtetësinë e saj, se ajo nuk ka dyshim që do të ndodhë. Ai është betuar, gjithashtu, edhe në ata mbi të cilët do të ekzekutohet shpërblimi ose ndëshkimi me drejtësi. Pastaj i Madhëruari na tregon se, gjithsesi, disa kryeneçë do ta mohojnë Ditën e Gjykimit dhe vërtetësinë e saj. Ai thotë:
- “A mendon njeriu se Ne nuk do t’ia bashkojmë sërish eshtrat atij?” – Disa njerëz dyshojnë në faktin se Zoti do t’ua bashkojë rishtaz eshtrat pas vdekjes, për t’i sjellë në një krijim të ri, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet, dhe thotë: “Dhe Ai (njeriu) bën krahasime për Ne dhe e harron se si është krijuar. Ai thotë: “Kush i ngjall eshtrat pasi të jenë kalbur? “Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë. Ai, për çdo krijim, është i Gjithëditur. Ai nxjerr për ju zjarrin prej drurit të gjelëbr dhe ja, ju prej tij (drurit) ndizni (zjarre)”. A nuk mundet Ai, që krijoi qiejt e tokën t’i rikrijojë ata (njerëzit)? Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëdituri. Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm të thotë: “Bëhu!” Dhe ajo menjëherë bëhet. I madhëruar qoftë Ai në dorën e të Cilit është pushteti mbi gjithçka! Dhe vetëm tek Ai do të ktheheni ju (për tu gjykuar dhe shpërblyer me drejtësi).”. [Ja Sin, 78 – 83].
Nga injoranca dhe arroganca e tyre, disa njerëz mendojnë si të pamundur për fuqinë dhe pushtetin e Zotit që Ai të realizojë diçka të tillë. Sipas tyre, është e pamundur që Zoti ta krijojë trupin e njeriut ashtu si ishte më parë. Por i Madhëruari e i Plotpushtetshmi thotë:
- “Përkundrazi, Ne jemi të Plotpushtetshëm ta rikrijojmë sikurse ka qenë, deri te mollëzat e gishtave të tij” – Allahu është i Plotpushtetshëm që t’i krijojë njerëzit ashtu siç i krijoi herën e parë, deri edhe majat e gishtave e të kockave të tyre. Pra, Ai është i Plotpushtetshëm ta krijojë trupin e robit nga e para, me të gjitha imtësitë e tij.
- “Por njeriu dëshiron të vazhdojë edhe më tej në gjynahe e pyet: “Kur është Dita e Kijametit?!”” – Mohimi i këtyre të mjerëve nuk vjen për shkak të mungesës së fakteve që dëshmojnë për të, por sepse synimi dhe dëshira e tyre është thjesht mohimi i ringjalljes. El fuxhur është mohim me vetëdije. Në vijim, Allahu i Lartësuar tregon pamje të ndryshme nga Dita e Gjykimit.
/TEFSIRI I SADIT – Përktheu: Othman Agolli/