-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Shamia dhe imagjinarja naive e superioritetit

Më të lexuarat

Një nga antropologët më të njohur në botë, francezi Claud Levi-Stross, në librin e tij “Tropikë të trishtë”, ka veçuar si një karakteristikë të shumë shoqërive, “tendencën” e mendjes njerëzore për të kryer shpesh dallime në formë binare: i keq – i mirë, i bukur – i shëmtuar, i vlefshëm – i pavlefshëm. Këto dallime binare, sipas Stossit, por edhe sipas filozofit Michel Foucault, bëhen me qëllim nga debatuesit më së shumti për dominimin dhe nënshtrimin e tjetrit që është ndryshe kulturalisht nga ai. Edhe në rastin e debatit për shaminë, që nisi në Prishtinë e u zhvendos në Tiranë e në Shkup, kjo tendencë binare, për të futur myslimanët në territorin e inferioritetit, ka qenë ndoshta problemi më thelbësor i debatuesve, sidomos në rrjetet sociale.

Më së pari më duhet të themi se në të gjithë këto vite që është ndezur ky debat i përsëritur rreth mbajtjes apo jo të shamisë në institucione publike, destinacioni duket se nuk ka qenë aspak shqetësimi për tjetrin, por dëshira për të tentuar një epërsi kulturore. Një tendencë e tillë thjesht ka tentuar një getoizim apo nënshtrim të atij që e sheh botën ndryshe dhe që nuk dëshiron të jetë peng i spektaklit, i modës. Madje, nuk mungojnë as ngjyrat e debatit mbi shaminë dhe mjekrën, të gërshetuara me bakllavanë, kadaifin e tullumbat, athua se njeriu pasi heq mjekrën dhe shaminë dhe në vend të bakllavasë ha tiramisu apo çizkejk, direkt mençurohet, i vjen vështrimi i duhur për këtë dynja!

Një hile banale dhe tinëzarë nga debatuesit është zhvendosja e diskutimit me slogane të tilla si: “Ne jemi si Evropa”, apo “e ardhmja jonë është Perëndimi”, dhe se “ne jemi oksidentalë e jo orientalë”, edhe pse shumë prej tyre nuk do dinin të shpjegonin se nga kanë ardhur përkufizime të tilla dhe se çfarë nënkuptojnë këto koncepte. Madje, këta debatues i rreshtojnë argumentimet e tyre pa rrëfyer aspak se këto shoqëri që ata shembullojnë për idetë e tyre, i kanë zgjidhur këto çështje duke shmangur paragjykimin se si dihet të vishet dikush në përditshmërinë e tij edhe pse myslimanët janë emigrantë në këto vende që ata marrin si shembull. Ndërkohë që në tokat tona të shqipes ky debat shtrembërohet qëllimisht, duke tentuar gjithnjë e më shumë që mos të kërkojë një zgjidhje në respekt të besimit të tjetrit, por që më së shumti të krijojë mendimin binar “ne të zhvilluar- ata të prapambetur”.

Por, si është e mundur që askush nga kundërshtuesit e mbajtjes së shamisë nuk mund të vërtetojë se nëse vishesh apo zhvishesh si ata, direkt merr një qytetari tjetër, të mbulon një mençuri dhe siguri për jetën dhe se e kupton tjetrin më mirë? Apo i gjithë ky debat ka në thelb dërgimin e komuniteteve besimtare në periferi të shoqërisë, me qëllim që të mbretërojë vetëm spektakli dhe vaniteti?

Ndërkaq, duhet të pohojmë se vetë myslimanët nuk duhet t’i shmangen përgjegjësisë për dialogun në publik, për t’iu treguar anëtarëve të shoqërisë ku jetojnë thelbin e asaj çka ata besojnë, që të mos jenë thjesht objekt për lajm negativ. Ata që drejtojnë jetën burokratike të komunitetit të besimtarëve, në Prishtinë, në Tiranë e në Shkup, mbajnë përgjegjësinë për të shpjeguar vlerat e asaj çka përfaqëson shamia apo shumë rregulla që besimtarët ndjekin në përditshmërinë e tyre. Ata duhet të shpjegojnë se demokracia nuk bie në kundërshtim me besimin, por sidomos me detyrën për të kërkuar diturinë.

Vetë besimtarët e dinë se sa e rëndësishme është ta fitosh betejën në shoqëri duke debatuar me të tjerët, duke treguar vlerat në bashkëjetesës me të tjerët, e jo duke u veçuar dhe duke u strukur në vetminë që tashmë u ofrohet me bollëk nga projektuesit dhe sugjeruesit e territoreve inferiore për besimtarët. Vetëm myslimanët shqiptarë e kanë në dorë që të mos lejojnë që ndaj tyre të ndërtohen getot e rrezikshme të territorit të inferioritetit, që mund të jetë më së paku një ngarkesë sociale për shoqërinë, ose një argument dashakeqës ndaj atyre që dëshirojnë t’i shohin besimtarët si pikturë e keqe, që nuk mund të ekspozohemi në rrugëtimin tonë si shoqëri.

E duke marrë shkas nga ky debat, ne duhet të pohojmë se në këtë proces të pandalshëm të ndërveprimit kulturor, ne duhet që të shqetësohemi se po mbështesim një shoqëri hipokrite, një shoqëri që ka humbur nervin për të ndëshkuar të padrejtin, hajdutin dhe të fortin që kërkon të sfidojë ligjin. Ne duhet të shqetësohemi se brezi i sotëm në shkolla është një analfabet funksional, që nuk ka më respekt për të ndershmin, që nuk shqetësohet se si të jetë i ndershëm, por që ka qëllim se si të pasurohet brenda ditës dhe se si të jetë në rrethin e përditshëm të famës. Dhe në këtë rrugëtim nuk të ndihmon zhveshja, ashtu siç nuk është as garanci se me vënien e shamisë ke fituar legjitimitetin e një qytetari të përgjegjshëm për veten e më pas edhe për komunitetin ku jeton. /telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit