-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Nga Evans Drishti: Mos e quani (zh)”veshjen” kulturë, ajo është arrogancë…

Më të lexuarat

Del në rrugët e qytetit dhe syri të sheh paraqitje veshjesh nga më intrigueset:

– Pantallona të shqyera, me fije të dalura, me cepa të përvëluar pa asnjë lloj hijeshije

– Bluza me “gjokse” të hapura deri në të skajshme, mundësisht pa lidhëza fare ose me një “lidhëse” false pa asnjë funksion

– Të ashtëquajtura “kanatjere” të shkurtra me funksionin e detyrueshëm për të nxjerrë “belhollën”, edhe pse ajo nuk është fare,

– Fustane të gjata me “të qara” fund e krye apo mundësisht sa më tepër “transparente” në funksion të vapës që ka mbërthyer

– Pantallona të shkurtra, deri në të humbur edhe të funksionit “pantallon” me fije ta dalura apo edhe me të shqyera “fine”…

Kjo rënditje mund të zgjatet akoma më shumë, kuptohet në varësi të variacioneve “ekstravagante” që ofron “mëndja e ndritur” e adoloshentëve “modernistë”

Paraqitje “të këtilla” në realitetin e sotëm janë kthyer në “të zakonshme”nisur vetëm nga një “parullë” e thjeshtë në të kuptuar: “Kështu është moda!”

Kush e solli vallë këtë “MODË”?…

Kush e solli vallë këtë “KULTURË”?…

A mund të jetë kjo një “Kulturë”?

I shihni rrugëve të qytetit të grupuar në grumbullime shoqërore të ndryshme në përpjekjen e zjarrtë për të arritur “konkurencën” mes njëri – tjetrit, pasi ajo që “vishet” paradreke nuk “vishet” pasdreke, një veshje “ekstravagante” e veshur në një mbrëmje s’ka kuptim të vishet në një tjetër mbrëmje, pasi në fund “Ç’do të thotë shoqëria?”

I shihni herë pas here të shoqëruara përkrah nënave të tyre, edhe ato në fakt të reja në moshë, lëre më pastaj kur vjen rasti të shoqërohen edhe me gjyshërit, të cilët “vlojnë” përbrënda nga “turpi” kapërflyes teksa me vete thonë “Eh, ç’kohë e zezë që erdhi!”…

Bisedat e tyre janë nga më të thjeshtat, më ordineret, më të pabazat, më të banalizuarat, pasi të tilla “biseda” mbështeten vetëm në “pasqyrimet” e rrjeteve sociale të prodhimeve “rozë”,

– të paraqitjes së një x personazhi,

– të jetës private të një tjetri,

– të veshjeve të preferuara të tyre,

– të ushqimeve të preferuara të atyre personazheve

– te diskutimeve pa vend të realizuara në programet “Reality show”

– të paraqitjeve skenike të atyre “figurave”

– të thashethemnajave nga më vulgaret dhe më banalet

– të sjelljeve dhe reagimeve të pakontrolluara

– të mesazheve pa sens që kanë përcjellë mes njëri-tjetrit

– të agresivitetit ndaj njëri-tjetrit për volgësira pa vend…

Për fat të keq s’të kap veshi në ato “bashkëbisedime” të flitet për tema dhe çështje që

– shqetësojnë shoqërinë e kohës

– për ambiciet apo synimet që ka dhe duhet të ketë një “i ri/ e re” në kohët e sotme

– për mundësitë që ofrojnë shërbimet e sotme në lidhje me zhvillimet e kohës

– për mënyrat e menaxhimit të përditshmërisë

– për zhvillimet e tyre individuale, intelektuale dhe profesionale

– për mbarëvajtjen e rrugëtimit të tyre në jetë

– për zhvillimin e vizionit dhe horizontit të tyre

Madje të duket “absurd” të dëgjosh në grupime të këtilla bashkëbisedime rreth leximeve të ndryshme të kohës, për tituj librash dhe autorë shqiptarë apo të huaj, për personazhe të ndryshme, për ndodhi dhe ngjarje që i kanë nxitur apo frymëzuar të ndryshojnë diçka në temperamentin e tyre…

Një brez i tillë padyshim që po ndikohet së tepërmi

– nga rrjetet sociale, veçanërisht të rubrikave “rozë”

– nga prezantimet e “privatësive” të personazhe të ashtëquajtur “VIP” duke u kthyer kështu në “fansa” të përbetuar të “intrigave” të rrjetit…

– nga shtimi pa kriter i programeve të “Reality Show” dhe fëlliqërirave që paraqiten të “imponueshme” në përpjekje të ndryshimit të dukshëm të temperamentit rinor të kohës.

Diçka duhet kuptuar qartë dhe drejtë:

Për sa kohë që të rinjtë dhe ne si shoqëri të mos kemi vullnetin dhe prirjen e dukshme për të sjellë “ndryshime” në zhvillimin tonë individual, intelektual dhe profesional do mbetemi përherë “pre” e të tilla “degradimeve ideore” që nuk sjellin tjetër veç humbjes së identitetit tonë vetjak e kulturor

Paraqitjet ekstravagante që ju i merrni si modele pikërisht nga burime të lartpërmendura nuk përbëjnë thelbin e dinjitetit tuaj ideor dhe kulturor, pasi kurrë zh”veshja” s’ka qenë dhe s’mund të cilësohet si një kulturë dhe traditë familjare apo shoqërore e vendit ku jetojmë, përkundrazi ajo paraqet një arrogancë të theksuar madje të trupëzimit dhe identitetit duke u zhveshur nga “origjinaliteti” që mbartni në vetvete dhe duke i veshur vetes një tjetër “këllëf” të imponuar që s’ka as peshë as vlerë dhe as që bazohet në parimet apo normat kulturore të shoqërisë.

Eh, sikur ta kuptoni në të vërtetë se ç’peshë dhe ç’vlerë ka dhe duhet të ketë në vetvete “privatësia”!…

Përse u dashkëka të sfumoni veten në privatësinë e tjetrit / tjetrës dhe të mos ndërtoni një “privatësi” tuajën personale mbi bazën e edukatës familjare, farefisnore, mbi parimet dhe normat e një shoqërie të emancipuar në aspektin kulturor, artistik, letrar .. ku ne vend të zh”veshjes” dhe arrogancës në sjellje e veprime të dominojë përgjegjshmëria e një zhvillimi intelektual e kulturor që ju bën të sigurtë në hapat e një jete të suksesshme?…/tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit