3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Testi i maturës edhe jashtë planprogramit mësimor

Më të lexuarat

Një ditë pas mbajtjes së testit të maturës, ose siç është emërtuar provimi kombëtar, nga arsimtarët dhe nxënësit që kanë pasur të bënin me të, janë shpërfaqur pakënaqësi serioze, një prej të cilave është shpërputhja e planprogrameve mësimore me përmbajtjen e testit të maturës. Bile, ka edhe arsimtarë të cilët kanë thënë se rreth 40 për qind e përmbajtjes së testit nuk ka të bëjë fare me lëndët që janë mësuar në fusha të ndryshme të shkollave të mesme. Një nga ta është profesori në shkollën e mesme të përgjithshme “Fehmi Agani” në Klinë, Ali Morina.

”40 për qind e materies së shtjelluar për katër vite mësimi nuk është e përfaqësuar me asnjë të vetmen pyetje në testin e maturës”, ka theksuar Morina. Sipas tij, mosharmonizimi i përmbajtjes së testit të maturës me planprogramet mësimore u krijon telashe nxënësve.

Ai, i bindur se po e paraqet shqetësimin e nxënësve për mospërfshirjen e testeve me planprograme mësimore, është shprehur se hartuesit e testit kombëtar duhet të bëjnë një punë më të mençur cilësore dhe jo vetëm sasiore. Sipas këtij të fundit, arsimi profesional në vazhdimësi ishte i ngarkuar me teste: testi i brendshëm i vitit të dymbëdhjetë, testi i brendshëm i vitit trembëdhjetë dhe në fund testi i maturës, ose siç quhet ndryshe testi kombëtar. Nxënësja maturante e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, suksesi i së cilës gjatë 3 viteve të ndjekjes së mësimit në këtë shkollë ishte i shkëlqyeshëm, ka thënë se në test kanë pasur pyetje për figurat letrare stilistike, derisa, siç është shprehur ajo, asnjëherë gjatë shkollimit të mesëm nuk kanë mësuar për to.

Deklaratat e mosharmonizimit të testit me planprogramet mësimore, zëvendësministri i MASHT-it, njëherësh udhëheqës i KQSHM-së, Nehat Mustafa, i ka vlerësuar të pasakta. Ai ka thënë se nga Ministria bëhen politikat, ndërsa harmonizimin me testin e maturës e kanë bërë ekspertët e arsimit, në ç’grup ka pasur edhe profesorë shkollash të mesme dhe të fakulteteve. Sipas tij, përmbajtjen e testit e kanë bërë profesorët e fakulteteve.

“Nuk ekziston as edhe një pyetje në test, që është pa mbështetje në planet mësimore”.

Testi i maturës nga zëvendësministri i MASHT-it, Mustafa, është vlerësuar plotësisht i arsyeshëm, pasi që, siç është shprehur ai, i nxit nxënësit që të jenë të lidhur me të dhe njohuritë që i kanë fituar gjatë gjithë shkollimit të mesëm. Një nga të mirat, sipas Mustafës, është se nxënësit e vitit të fundit të shkollimit të mesëm, më shumë se për shëtitjet, angazhohen për përmbledhjen e mësimeve, për çfarë pyeten në teste./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit