Nga: Mustafa Husni
Hauzi i Profetit a.s, Ditën e Kijametit.
Nga gjithë këto takime, besoj se zemrat tona janë mbushur me mall dhe nostalgji për xhenetin, takimin me Zotin dhe të dërguarin e Tij a.s.
Në këto tema, ne jemi përqendruar në ndodhitë më kryesore që do të ndodhin pas ringjalljes së madhe, me qëllim që të jemi të ndërgjegjshëm mbi atë që na pret dhe të na shtohet besimi më shumë rreth kësaj Dite.
Thotë Zoti në Kuran:” Elif, Lâm, Mîm. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim8. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër.” (Bekare 1-4)
Njerëz të tillë, fizikun e kanë në këtë botë, kurse zemrat dhe mendjen i kanë të lidhura me botën tjetër. Për këtë, Zoti i përgëzon në fund të këtyre ajeteve me fjalët:” Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.”
Qëllimi ynë me këto tema, është që para se të ndërmarrim një veprim, t’a mendojmë nëse do të vlejë për shpëtimin tonë ditën e kijametit, apo për ndëshkimin tonë në zjarr.
Në këtë temë, anija jonë e udhëtimit përgjatë brigjeve të ditës së kijametit, është ankoruar mu pranë Hauzit të Profetit tonë të nderuar.
Po çfarë është hauzi i Profetit a.s? Cila është historia e tij dhe çfarë do të ndodhë me të?
Siç e dimë, Profetit a.s i lindën shtatë fëmijë, katër vajza dhe tre djem. Të gjithë djemtë që i lindën, i vdiqën, ndërkohë që vajzat jetuan derisa u martuan. Dihet që fëmijët e vajzës i përkasin familjes së burrit të saj dhe jo prindërve të vajzës. Për këtë, Ebu Xhehli e ofendonte Profetin a.s duke i thënë “Farësosur”
Profetin a.s e kishte nderuar Zoti me gradën më të lartë, profecinë. Thotë Zoti në Kuran:” . Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar
besimin) dhe ta hoqëm barrën, e cila ta rëndonte tepër kurrizin, dhe ta ngritëm lart emrin?! Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!” (Inshirah 1-6)
Por Ebu Xhehli, nga errësirat ku ishte zhytur, nuk mund t’a shihte dritën me të cilën e kishte nderuar Zoti profetin Muhamed a.s.
Për këtë, Zoti i madhëruar shpalli suren Keuther si përgjigje ndaj akuzave dhe ofendimeve të jobesimtarëve. Thotë Zoti në këtë sure:” Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira, andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.” (Keuther 1-3)
Hauzi Keuther të cilin Zoti ia ka dhuruar Profetit a.s, mund të jetë një lumë nga i cili besimtarët do të pijnë ujë ditën e Kijametit.
Dijetarët thonë se muslimanët do të pijnë ujë nga hauzi keuther, para se të kalojnë urën e Siratit. Ata që do të kenë fatin të pijnë ujë nga ky hauz, do të zgjidhen nga vetë Profeti a.s. Ata do të jenë njerëz që e kanë dashur Profetin a.s dhe vetë Profeti a.s i ka dashur dhe duke i dashur Profeti a.s, i don edhe vetë Allahu i madhëruar.
Këta njerëz, janë ata që kanë respektuar ligjet dhe normat islame.
Thotë Zoti në një hadith kudsij:”Betohem në madhështinë dhe krenarinë Time, nëse do të vijnë nga të gjithë dyert duke dashur të hapen, nuk do u hapen derisa të vijnë pas teje o Muhamed!”
Profeti Muhamed a.s nuk la gjë të mirë pa na e treguar dhe përveç ndjekjes së traditës së tij, nuk kemi asnjë rrugë tjetër e cila do na çojë drejt shpëtimit në dy botët.
Tregon Profeti a.s për udhëtimin e tij me Xhibrilin a.s:”Ndërkohë që ndodhesha duke ecur në xhenet, u gjenda përballë një lumi, dy brigjet e të cilit ishin prej diamanti. E pyeta Xhibrilin a.s se çfarë ishte ai lum dhe më tha se është Keutheri. Xhibrili e goditi ujin e lumit me dy krahët e tij dhe prej andej nxorri baltë prej misku, ujë më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti, ndërkohë që rubinët ishin sa yjet e qiellit.”
E lusim Allahun madhëruar që të na e bëjë rizk t’a shijojmë qoftë dhe një gotë ujë nga ujët e këtij lumi.
Nëse do kemi fatin të pijmë ujë nga ky hauz, do të jetë vetë i dërguari i Zotit ai që do na kapë përdore, do na afrojë pranë hauzit, do mbushë grushtin me ujë dhe do na e ofrojmë të pijmë prej tij.
Të gjithë ne, para se të kalojmë urën e Siratit, do të vendosemi në taborrë në pritje për të pirë ujë nga hauzi i Profetit a.s. imagjinoji ato çaste kur të të vijë radha ty o vëlla dhe o motër. Profeti a.s do të përkulet, do të mbushë duart e tij fisnike dhe do të japë të pish. Thotë Profeti a.s rreth këtij uji:”Kush pin një gllënjkë nga ky ujë, kurrë nuk do të ndjenjë etje.”
Do të vijë dikush me vrap duke dashur të afrohet tek Profeti a.s dhe të pijë ujë nga Hauzi i tij. Por do të befasohet nga melekët të cilët e pengojnë dhe nuk e lejojnë t’i afrohet. Profeti a.s do u thotë melekëve:”Lëreni se është nga umeti im!”
Por melekët do i përgjigjen:”Jo, jo. Ti nuk e din çfarë ka vepruar ky njeri.”
Atëherë Profeti a.s do i thotë:”Larg meje, larg meje të gjithë ata që kanë ndryshuar fenë time.”
Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm përsa i përket fesë së Zotit. Duhet t’i respektojmë ligjet dhe urdhërat e Zotit ashtu siç janë dhe të mos fusim në fe risi të reja.
Porosia jonë në fund të kësaj teme, është që Profetin a.s t’a kujtojmë sa më shpesh dhe të biem në salavat për të. me qëllim që të fitojmë ndërmjetësinë e tij ditën e kijametit, ne duhet edhe të ndjekim traditën e tij.
E lusim Zotin që të mos na privojë nga pirja e ujit të hauzit të Profetit a.s..
Paqja e Zotit qoftë mbi ju!
…