4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Rituali i Haxhit, riprogramim shpirtëror

Më të lexuarat

Nga: Dr Abdul Daim Kehil

Rituali i Haxhit, riprogramim shpirtëror

Udhëtimi drejt vendeve të shenjta, për të kryer ritualin e Haxhit konsiderohet si mënyra më e dobishme për riprogramimin shpirtëror dhe psikologjik të njeriut.
E kush prej nesh nuk dëshiron ta shohë Qaben e shenjtë, kush prej nesh nuk uron ta prekë dhe ta puthë Gurin e zi të cilin e ka puthur dhe prekur vetë i dërguari i Zotit, Muhamed Mustafaja a.s.
Haxhi është ai udhëtim shpirtëror dhe i shenjtë drejt tokës së shenjtë në Qaben e madhëruar. Zemrat e çdo  besimtari ndjejnë mall e nostalgji për atë vend të shenjtë të cilin e ka bekuar vetë Zoti. “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Beke (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Al Imran, 96-97)
Para se të thellohemi më tej në këtë temë, dua të citoj se rituali i Haxhit, është rituali që i përfshin të gjitha ritualet e tjerë. Në këtë ritual, ne e njësojmë Zotin, manifestojmë adhurimin tonë vetëm për Zotin, kryejmë namazin, shpenzojmë nga pasuria jonë, përpiqemi maksimalisht që të manifestojmë edukatë, etikë, lutje etj…
Udhëtim drejt Zotit
Rituali i Haxhit është një udhëtim i lehtë i cili na çon tek kënaqësia e Zotit të lartësuar. Vetë pelegrini, konsiderohet si një mik i Zotit dhe Ai i nderon dhe respekton miqtë e Tij. Zoti e ka bërë obligim këtë ritual një herë në jetë për këdo që i ka mundësitë. “dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën.” (Al Imran, 97)
Por cilat janë urtësitë, sekretet dhe dobitë e këtij udhëtimi? A ka ndonjë dobi dhe fajde ky udhëtim, siç ka premtuar Zoti “që të dëshmojnë dobitë e tyre” (Haxh, 28) apo është thjesht një udhëtim si çdo udhëtim tjetër?
Fillimisht, themi që Haxhi është një udhëtim që përbëhet nga disa faza: Ai starton nga Mikati, vendi ku vishen rrobat përkatëse (Ihrami) dhe ku bëhet nijeti për të kryer Haxhin. Ai vazhdon me mbërritjen në Mekë, qëndrimin para Gurit të Zi, prekja ose puthja e tij, tavafi shtatë herë rreth Qabes, rendja mes dy kodrave Safa dhe Merua, qëndrimi i ditës së tetë të Dhul Hixhes në Mina, qëndrimi i ditës së nëntë në Arafat deri në perëndim të diellit dhe kalimi i asaj nate në Muzdelife. Të nesërmen haxhilerët drejtohen drejt vendin ku do të gjuhet shejtani, therin kurbanet, rruajnë ose qethin flokët, kryejnë tavafin rreth Qabes dhe kthehet sërish në Mina për të hedhur gurët, ku dhe qëndrojnë edhe tre ditë të tjera, 11-12-13 Dhul Hixhe. Në fund, ai kryen dhe tavafin e Lamtumirës rreth Qabes dhe pi nga uji i Zemzemit.
Haxhi një formatim i shpirtit
Shkencëtarët e NLP pohojnë se ajo që e lodh dhe konsumon njeriun, janë pikërisht hallet, shqetësimet dhe problemet me të cilat ballafaqohet në jetë. Mënyra më e mirë për rivendosjen e ekuilibrit është që këto energji negative të akumuluara, të shkarkohen. Procesi i shkarkimit është i domosdoshëm, pasi vetëm kështu i mundësohet njeriut të bëjë një jetë më të mirë dhe ti investojë kapacitetet e tij sa më mirë. Për këtë, njerëzit shkojnë për pushime çdo vit, pasi kështu i shkarkojnë energjitë negative të akumuluara. Sakaq, Islami e ka zbatuar këtë metodë anti stresuese dhe riekuilibruese që prej 14000 vitesh. Në fakt, ritualin e Haxhit ne e zbatojmë si bindje ndaj një urdhri dhe obligimi të kërkuar nga Zoti dhe kjo na mjafton. Por njohja e dobive më të thella të Haxhit do na e shtonte dhe përforconte më shumë bindjen dhe besimin.
Me gjithë vështirësinë, lodhjen dhe shpenzimet, udhëtimi i Haxhit mbetet një nga ëndrrat e çdo besimtari. Kushdo që e ka provuar dhe shijuar ritualin e Haxhit ka përjetuar një qetësi shpirtërore të pakrahasueshme. Nëse pyet këdo që ka vajtur në Haxh se çfarë mendimi ka, aty për aty të përgjigjet se dëshiron të shkojë dhe vitin e ardhshëm, madje çdo vit. Cili është sekreti i kësaj qetësie dhe prehje e cila konstatohet nga çdo person që e kryen këtë ritual? Përgjigja është akoma më e thjeshtë: Nëse besimtari e kryen siç duhet këtë ritual, i ndodh një farë formatimi ose shkarkim i energjive negative duke u mbushur me energji pozitive.
Nëse kompjuteri nuk formatohet herë pas here, ai do të ngadalësohet maksimalisht dhe mund të mos funksionojë pas një farë kohe. Jam befasuar kur kam gjetur një hadith profetik, i cili konfirmonte faktin se Haxhi shërben për shkarkimin e gjynaheve (energji negative) të besimtarit. Profeti Muhamed a.s thotë: “Bëni Haxh dhe Umre periodikisht, pasi ata largojnë fukarallëkun dhe i fshijnë gjynahet, ashtu siç heq zjarri ndryshkun. Një Haxh i pranuar, nuk ka sevap më të ulët sesa xheneti.” (Ibnu Hiban)
Me të drejtë dikush mund të pyesë: Nëse Haxhi fshin gjynahet, si e lufton dhe largon fukarallëkun?
Siç e thamë dhe më lart, ky ritual i kthen trupit aktivitetin dhe energjitë e tij, duke e bërë më të predispozuar për punë, shtim të ardhurave dhe përmirësim të mirëqenies.
Dobi pa fund
Kurani fisnik thotë se rituali i Haxhit ka shumë dobi. Zoti thotë në suren Haxh: “Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë.” (Haxh, 27-29)
Sot, ithtarë të shumë feve, kryejnë pelegrinazh në vendet e tyre të shenjta si varret e njerëzve, objektet e kultit etj. dhe pohojnë se ndjejnë qetësi teksa i vizitojnë këto vende. E nëse kjo ndodh me varret, ç’mund të themi nëse vizitojmë ato vende të bekuara dhe të shenjtëruara nga vetë Zoti i gjithësisë!
Dobitë shpirtërore të Haxhit
Dikush mund dhe të çuditet teksa na sheh të sillemi shtatë herë rreth Qabes, të gjuajmë shejtanin me gurë, të qëndrojmë në Arafat, mund të thotë se myslimanët bëjnë rite të çuditshme dhe pa asnjë vlerë të bazuara në mitologjitë dhe legjendat e lashta. Por, teksa studioja secilin ritual më vete, pashë që secili prej tyre ka dobi mbresëlënëse, të pranuara dhe shkencërisht. Kështu, nëse u hedhim një vështrim librave të NLP (programimit neuro gjuhësor), do të gjenim edhe shpjegime dhe interpretime shkencore për ritualet e Haxhit.
Në librin “100 mënyra për motivimin e vetes” të Steve Schandler, flitet dhe mbi rëndësinë e fokusimit tek objektivi dhe qëllimi që kërkon të realizosh, pasi vetëm kështu mund ta shohësh të realizuar. E nëse çdo hap që e hedh drejt këtij qëllimi e bën në mënyrë sa më perfekte do të ndjesh sikur lind për së dyti.
Rituali i gjuajtjes së shejtanit me gurë është një praktikë e cila flet pikërisht për këtë çështje që shtron Schandler. Teksa gjuajmë vendin që simbolizon shejtanit, e sigurisht që ai nuk ndodhet aty, ne sjellim ndërmend me çdo gur që e gjuajmë, faktin që jemi në luftë me të, se ai është armiku ynë dhe se duhet ti ruhemi vesveseve të tij. Pas përfundimit të këtij rituali, haxhiu ndihet sikur ka lindur për së dyti. Vetë Profeti a.s pohon se: “Kush kryen Haxhin dhe distancohet nga veprat e fjalët banale, kthehet si ditën që e ka lindur nëna.” (Buhari dhe Muslim)
Sigurisht që ajo është një lindje e re, të cilën nuk e përjeton tjetër kush përveç atyre që e kanë kryer Haxhin.
Haxhi, rrugë drejt lumturisë
Studiues të shumtë në fushën e psikologjisë, kanë kryer një sërë eksperimentesh për të testuar nivelin e lumturisë tek njerëz të ndryshëm. Ata zbuluan se niveli më i lartë i lumturisë nuk arrihet përmes pasurisë, femrave, famës, bukurisë dhe gjithçkaje tjetër materiale. Kërkimet i çuan në përfundimin se niveli më i lartë i lumturisë mund të arrihet duke rendur pas një objektivi të cilin njeriu synon ta shohë të realizuar.
Besimtarët myslimanë anembanë botës, kanë një mall dhe nostalgji të papërshkrueshme për të vizituar Qaben dhe varrin e profetit Muhamed a.s dhe rituali i Haxhit ua përmbush këtë ambicie dhe ëndërr. Haxhi u fal atyre lumturi dhe gëzim të cilin nuk e ndjen dot askush tjetër, veçse ata që e kanë përjetuar.
Heqja dorë nga polemikat
Janë disa vese njerëzore të cilave rrallëherë u kushtojmë vëmendje, siç është polemika dhe debatet shterpë, të cilët shkaktojnë konflikte dhe mëri mes njerëzve, përveçse çojnë dëm kohën dhe mundin e tyre. Këtu bën përjashtim debati konstruktiv ku respektohet debatuesi dhe mendimi i tij, gjë e cila është shumë e rrallë në kohët tona. Një ndër rregullat kryesore për pranimin e Haxhit është dhe distancimi nga polemikat dhe debatet shterpë. Kështu, shohim që Haxhi qenka një ushtrim për të luftuar polemikat shterpë dhe për tu distancuar prej tyre, duke nxitur dhe motivuar heshtjen dhe meditimin. “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet.” (Haxh, 197)
Specialistët e NLP-së i këshillojnë klientët e tyre që të ushtrohen dhe të heqin dorë maksimalisht nga polemikat. Riçard Karlson thotë: “Mos u merr me polemika, pasi ato shkaktojnë mëri dhe konflikte me të tjerët!”
Në harmoni me universin
Gjithçka në univers rrotullohet rreth një pike të caktuar. Elektronet rrotullohen rreth bërthamës, planetët rreth diellit etj… Ky rrotullim, në përgjithësi bëhet në anë të kundërt me akrepat e orës. Kështu teksa rrotullohemi rreth Qabes ne thjesht harmonizohemi me lëvizjet e universit. Gjithçka në univers e madhëron Zotin dhe i bindet urdhrave dhe ligjeve të përcaktuara prej Tij. E njëjta gjë vlen dhe për ne, sidomos kur gjendemi në ato vende të bekuara. E gjitha kjo, na kultivon durimin, nënshtrimin ndaj fuqisë hyjnore dhe modestinë. “Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata.” (Isra, 44)
Nëse vërejmë panoramën e grumbullimit të besimtarëve rreth Qabes dhe rrotullimit të tyre rreth saj, konstatojmë kollaj se ajo është një lëvizje në harmoni me atë të mbarë universit. Ashtu si gjithë universi i bindet dispozitave dhe ligjeve të Zotit, ashtu dhe besimtari u bindet atyre me të njëjtin rregull dhe disiplinë.
Numri shtatë është diçka që bie në sy gjatë ritualit të Haxhit. Kështu, besimtarët sillen rrotull Qabes shtatë herë, kryejnë Sajin mes Savas dhe Mervas po shtatë herë, gjuajnë shejtanin shtatë herë me nga shtatë gurë. Kur bëra një studim të vogël, sa herë është përmendur fjala “Kible” në Kuran, gjeta se ishte përdorur po shtatë herë.
Terapia me ecje
Në ritualin e Haxhit, ecja është një çështje themeltare. Shumë studime bashkëkohore pohojnë faktin se ecja shëron shumë sëmundje kronike dhe të vështira. Sporti i ecjes është i rëndësishëm sidomos për moshën e moshuar dhe ndikon në zgjatjen e jetës. Doktorët thonë se ecja shëron kancerin e zorrës së trashë, heq dhimbjet e shpinës, përmirëson kujtesën dhe rrit përqendrimin. A nuk hyjnë të gjitha këto tek dobitë e shumta të Haxhit, të konfirmuara në ajetin “që të dëshmojnë dobitë e tyre” (Haxh, 28)
Në një studim të fundit të Harvardit u zbulua se ecja me shpejtësi 4-5 km në orë, redukton në 40 % mundësinë për tu prekur nga sëmundjet e zemrës, si tek burrat dhe tek gratë. Veç kësaj, po sipas këtij studimi, ecja përmirëson frymëmarrjen, forcon imunitetin, lufton depresionin, lufton osteoporozën, ndikon pozitivisht tek të sëmurët me diabet dhe heq peshën e tepërt.
Në SHBA, njerëzit këshillohen të ecin sa më shumë dhe të heqin dorë nga përdorimi i makinave, për shkak se numri i obezëve i ka kaluar 40 % të popullsisë. Obeziteti lidhet ngushtë me të gjitha sëmundjet e zemrës dhe diabetit. Qendra e kontrollit të sëmundjeve, pohon se metoda më e mirë për të ruajtur peshën normale është ecja.
Veç sa përmendëm, ecja mundëson çlirimin e lëndës endrophins, e cila përmirëson gjendjen emocionale. Gjithashtu, shkencëtarët pohojnë se ecja ndikon në respektin dhe vlerësimin e vetes.
Terapia me meditim
Një nga ritualet e Haxhit është dhe qëndrimi në Arafat për meditim dhe reflektim. Në mjekësinë alternative meditimi konsiderohet si një nga terapitë e suksesshme, të cilin, studiuesit e sugjerojnë për trajtimin e çrregullimeve të stresit. Meditimi është një strategji e suksesshme për mirëfunksionimin e organizmit të njeriut dhe shihet si një mekanizëm që lufton çrregullime të ndryshme psikologjike dhe nervore.
Meditimi përmirëson performancën mendore dhe i mundëson organizmit të bëjë gjumë të qetë. Ai shton kreativitetin, rrit aftësinë për zgjidhjen e problemeve dhe rrit aktivitetin nervor në tru. Ai shton sekrecionet kimike në tru, të cilët ndikojnë pozitivisht në zgjatjen e jetës së njeriut.
Ekspertët e joga-s sugjerojnë ushtrime që harmonizojnë mes meditimit dhe ecjes, duke theksuar se këto ndihmojnë në aktivitetin e shpirtit dhe psikikës njerëzore. Meditimi rrit dhe aftësinë perceptuese të aktualitetit dhe zhvillimeve përreth.
Terapia me ngjyra
Vështrimi i Qabes së bekuar i fal besimtarit energji pozitive, për shkak të autoritetit dhe ngjyrave të saj. Sot, terapistët i trajtojnë të sëmurët nëpërmjet vështrimit të ngjyrave dhe objekteve të ndryshme, si një pemë, një ngjyrë të caktuar etj…
Ngjyrat janë një mekanizëm i rëndësishëm në mjekësinë alternative. Ai që shkon në Haxh, vështron Qaben dhe kryen të gjitha ritualet e tjera, padyshim që do të mbushet me energji pozitive.
Një nga terapitë që kam gjetur në mjekësinë alternative është dhe fokusimi i shikimit tek një ngjyrë e caktuar, e shoqëruar kjo me meditim. Kjo shoqërohet me frymëmarrje të thellë duke imagjinuar se po i hedh mënjanë të gjitha energjitë negative, duke imagjinuar se kjo ngjyrë po të pajis me energji. Përsëritja e këtij procesi çon në shkarkimin e pasivitetit dhe energjive negative nga trupi si dhe furnizimin me energji pozitive të cilën e ndjen në çast.
Teksa qëndrojmë në ambientet e Qabes ne e mbajmë vështrimin të fokusuar tek ngjyra e saj e zezë e shoqëruar me qëndisma ngjyrë floriri, meditojmë rreth rahmetit të Zotit dhe faljes së gjynaheve, ndihemi të sigurt se do të kthehemi me gjynahe të falura si ditën që na ka lindur nëna, do të kthehemi me plot mirësi etj. Kjo është ajo që bën çdo haxhi teksa kryen ritualin madhështor të Haxhit.
Uji i Zemzemit, shërim dhe energji
Pusi i Zemzemit konsiderohet si pusi më i lashtë në botë dhe shkencërisht është vërtetuar se uji i këtij pusi nuk përmban asnjë virus, bakterie apo gjallesa të tjera. Po ashtu, është vërtetuar se ky ujë ka veti kurative dhe shëruese për disa sëmundje. Njëkohësisht, ka tregues të tjerë që vërtetojnë se uji i Zemzemit përmban energji më shumë se uji i zakonshëm. Me këtë ujë dhe në këtë vend, janë kthyer shëndoshë e mirë shumë pelegrinë të sëmurë, që u shëruan me ndihmën e  Zotit.
Thellësia e pusit është 30 metra, ndërkohë që uji nxirret nga tre metra thellësi. Sasia e ujit që nxirret është 8000 litra në minutë për 24 orë. Maksimalisht, niveli i ujit mund të ulet deri në 13 metër, nivel të cilin nuk e kalon sado të jetë sasia që nxirret. Me tu ndërprerë nxjerrja e ujit për 11 minuta, niveli rritet menjëherë në 3 metra thellësi nga sipërfaqja e tokës.
Profeti Muhamed a.s thotë: “Uji i Zemzemit shërben për atë qëllimin që pihet.”
Së fundmi!
Përvoja e Haxhit konsiderohet si mënyra më praktike për forcimin e vullnetit të besimtarit. Kushdo që e ka kryer këtë ritual, ka ndjerë se është kthyer më i fuqishëm. Ekspertët e NLP-së, pohojnë se ushtrimi i vullnetit, duhet të bëhet njëlloj si ushtrimi i muskujve.
Udhëtimi i Haxhit është një shkollë më vete nga e cila besimtari mëson shumë.
 
 
Referencat:
 
 [1]  ëëë.buddhanet.net/e-learning/pilgrim/places.htm
[2]  Pilgrimageëëë.en.ëikipedia.org
 
[3] ëëë.pilgrim-ëiki.com
 
[4] www.saaid.net
 
[5]  Takim me dr Zaglul Nexhar në kanalin Alxhazira, datë 19/11/2003
 
[6] Benefit from Pilgrimage, ëëë.tantric-goddess.org
 
[9] www.walkinginfo.org
 
[10] Report of the American Medical Association, 1998.
 
[11] Issue of the JAMA, October 27, 1999 issue of the JAMA.
 
[12] walking for Fitness, University of Michigan, April, 2004. 
 
[13] Meditation therapy for anxiety disorders, www.thecochranelibrary.com
 
[14] www.centerpointe.com
 
[15] Sayadaë U Silananda, The Benefits of walking Meditation, www.accesstoinsight.org
 
[16] Jodi wetherup, Color Meditation Therapy, w.suite101.com
 
[17] Zamzam well, w.en.wikipedia.org
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit