0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Fuqia e pathyeshme

Më të lexuarat

Nga: Dr Jusuf Kardavi

Fuqia e pathyeshme

Studenti, i tha profesoret dhe edukuesit të tij:”Më trego mbi fuqinë më të madhe që ka njohur njeriu që në lashtësi! Besoj që edhe ti duhet të mendosh si unë, se fuqia më e madhe është raketa dhe bomba atomike!”
Mësuesi ia ktheu:”Avash djalosh, avash! Mos u nxito të japësh përgjigje para meje!”
Studenti:”Më fal profesor, se kuptoj pse u nxitova kështu. Fol!”
Profesori i tha:”Më lejo që të pyes diçka: Cila është fuqia më e madhe, fuqia e raketës dhe bombës, apo fuqia e atij që prodhoi bombën dhe raketën?”
Studenti iu përgjigj:”Sigurisht e atij që i prodhoi.”
Profesori i tha:”Atëherë paskemi të njëjtin mendim, që njeriu është forca dhe fuqia materiale më e madhe në tokë.”
Studenti:”Po, njeriu është ai që e nënshtroi materien në interes të tij dhe e orienton sipas dëshirës.”
Profesori edukues i tha:”Po nëse gjendet një fuqi e cila e motivon, e nxit dhe e shtyn njeriun para, për më shumë arritje dhe kontribut, duke marrë hov si një raketë apo shpërthyer si një bombë?”
Studenti disi me nxitim iu përgjigj:”Padyshim që ajo do të konsiderohej si fuqia më e madhe që ka njohur njeriu mbi faqen e tokës. Por, cila qenka kjo fuqi? Si është ajo? Po nxit kureshtjen time me këtë që më the!”
Profesori edukues iu përgjigj:”O biri im! Ajo është fuqia e besimit.”
Studenti e pyeti:”Besimi në çfarë? Pasi shumë njerëz, e konsiderojnë si besim, besimin në çfarëdo lloj parimi.”
Profesori u përgjigj:”Nuk mund ta mohoj dot se besimi absolut tek çdo bindje, e pajis njeriun me fuqi dhe vendosmëri, gjë e cila duket qartë në konfliktin mes individëve dhe grupacioneve. Individi i cili beson në një doktrinë të caktuar, triumfon ndaj atij që është bosh dhe nuk beson në asgjë. Grupacioni që e fokuson besimin e tij në një çështje të caktuar – edhe pse mund të jetë diçka e pakuptueshme – triumfon ndaj grupacionit që nuk e ka një besim të tillë. Por, besimi që kam për qëllim këtu, është besimi tek Zoti, tek Dhuruesi i jetës, Krijuesi i gjithësisë dhe i njeriut. Unë kam si qëllim besimin tek shpërblimi i përjetshëm në jetën e amshuar, ku secili shpërblehet sipas veprave të kësaj jete pa iu bërë aspak padrejtësi. Unë kam si qëllim besimin tek një botë e pafund dhe të padukshme, botë të mbushur me krijesa të Zotit të padukshme, numrin e të cilëve e di vetëm Zoti, pra po flas për botën e engjëjve. Unë kam si qëllim besimin tek shpallja hyjnore, e cila është lidhja mes qiellit dhe tokës, pikëtakimi mes Krijuesit dhe krijesës. Unë kam si qëllim besimin tek modele humane sublime, siç janë profetët e Zotit, misioni i të cilëve ishte nxjerrja e njerëzve nga errësirat në dritë. Unë kam si qëllim besimin se universi nuk funksionin krejt rastësisht, pa kujdesin dhe udhëzimin e të Gjithëditurit. Unë kam si qëllim besimin tek fisnikëria dhe dinjiteti i njeriut, të cilin Zoti e zgjodhi si trashëgimtar dhe ndërtues të jetës në tokë, e sprovoi me detyrime në këtë botë me qëllim që ta pastrojë dhe ta përgatisë për përjetësinë e botës tjetër. Ky është besimi tek i cili kanë ftuar profetët dhe të dërguarit e Zotit, besim për të cilin dhanë jetën dëshmorët dhe u sakrifikuan njerëzit e mirë, ky është besimi të cilin kemi për qëllim kur e përmendim dhe të cilin e solli islami. Ky besim o biri im, është fuqia orientuese dhe motivuese, ajo fuqi që e mban të ligshtin që të mos dorëzohet, të fuqishmin që të mos tiranizohet, të madhin të kufizohet dhe e ndihmon të vuajturin të mos thyhet dhe demoralizohet.”
Studenti i tha:”Por… më parë më ke thënë se njeriu ka dhe fuqi të tjera të rrëmbyeshme dhe euforike, fuqinë e instinkteve si ai i dashurisë, seksit, zemëratës dhe luftës.”
Profesori u përgjigj:”Po biri im, nuk e kam harruar atë që të kam thënë, as nuk e mohoj fuqinë dhe ndikimin e instinkteve njerëzore. Por, krahasuar me fuqinë e besimit, janë si yjet para diellit. Para fuqisë së besimit, atyre u shteret të gjitha forcat. Besimi është zotëria dhe komandanti të cilit nuk i thyhet asnjë urdhër, ndërkohë që instinktet janë shërbëtore të tij, të nënshtruara ndaj komandave të tij. Dëshiron të të sjell një shembull konkret nga historia?”
Studenti u përgjigj gjithë zell:”Po. Prej teje kam dëgjuar se me shembuj praktikë, gjërat bëhen më të kuptueshme.”
Profesori tha:”Sigurisht që ke dëgjuar dhe e ke lexuar historinë e profetit Jusuf a.s. Ajo është historia e një të riu, i cili instinktet e tij, ia nënshtroi fuqisë së besimit. Prandaj dhe Zoti e përjetësoi historinë e tij në Kuranin famëlartë, duke e ofruar si një shembull dhe model për të gjithë. Jusufi, një djalë në kulmin e rinisë, i ishte dhënë hijeshi e rrallë, fytyrë dhe trup plot nur. Por, caktimi i Zotit ishte i tillë që të sprovohej me shërbim në shtëpinë e gruas së ministrit të financave të Egjiptit. Bukuria dhe hijeshia e tij, u shndërrua në një pasion marramendës për gruan e ministrit. Ajo e joshi dhe një ditë e kyçi brenda dhomës së gjumit dhe i tha:”Hajde!” Sigurisht që ishte një moment shumë i vështirë për Jusufin a.s. Ai ishte ekspozuar para një sprove, e cila nuk është se shfaqet vetëm një herë në jetë dhe zhduket një herë e përgjithmonë. Ajo ishte një sprovë e cila e shoqëronte kudo, i bënte hije në çdo cep duke mos iu ndarë për asnjë çast. Nuk ishte joshja e një vajze nate, një prostitute dhe gruaje të ligë, por ishte joshje nga një grua me status të lartë social, një gruaje tepër të bukur, plot xhevahire dhe stoli, ishte zonja e shtëpisë dhe gruaja e ministrit. Sakaq, ai ishte një i ri i cili ishte shitur si skllav për disa dërhemë, nuk dinte ku ka familje dhe ku e ka shtëpinë, ishte thjesht një shërbëtor në shtëpinë e tyre, nëse urdhërohej duhej të bindej. Por, si reagoi i riu Jusuf para këtij tundimi dhe përballë kësaj sprove?”
Studenti i ri i tha profesorit të tij:”Pasha Zotin ky është një test dhe sprovë e rëndë për besimin e Jusufit a.s.”
Profesori u përgjigj:”Po, ishte sprovë shumë e vështirë, të cilën Jusufi a.s e kaloi me sukses. Zëri i instinktit ishte shumë i fuqishëm, zë i cili e ftonte ti përgjigjej ftesës së zonjës, e cila ishte tërësisht e dhënë pas tij. Por zëri i besimit dhe ndërgjegjes së Jusufit a.s ishte më i fuqishëm. Zëri i besimit e dëboi atë të instinktit me fjalët:”Zoti më ruajt, ai është padroni im i cili është sjellë mirë me mua. Keqbërësit nuk kanë shpëtim.”
Zonja e shtëpisë u orvat sërish ta joshë dhe ta detyrojë Jusufin a.s që ti bindet pasionit të saj, duke deklaruar para disa grave se:”Unë e josha, por ai u mbrojt fort. E nëse nuk më bindet, do të burgoset dhe do të poshtërohet.”
Jusufi a.s gjendej mes dy fatkeqësive; Të shkelë mbi besimin e tij dhe të bjerë pre e pasionit, apo të shkelë mbi instinktin dhe lirinë e tij, e për pasojë të burgoset e të poshtërohet.”
Studenti, pyeti gjithë kureshtje:”Po çfarë zgjodhi Jusufi a.s?”
Profesori u përgjigj:”Logjika e besimit e udhëzoi të zgjedhë respektin e parimeve fetare, në kurriz të instinktit. Në ato çaste, ai iu lut Zotit me përgjërim:”O Zot! Burgu është më i dashur për mua se ligësia tek e cila më ftojnë. Nëse nuk mi largon kurthet e tyre, do të jepem pas tyre dhe do të hyj tek injorantët.”
Studenti pyeti:”Çfarë ndodhi me Jusufin më pas?”
Profesori u përgjigj:”Zoti ia pranoi lutjen dhe ia largoi të keqen, duke ia ruajtur dëlirësinë e besimit të sinqertë. Por, Jusufi a.s nuk i shpëtoi dot persekutimit, pasi u burgos padrejtësisht, ku qëndroi për disa vite. As errësira dhe kushtet e vështira të burgut nuk e shuan dritën e besimit në zemrën e tij. Për asnjë çast nuk harroi se ishte besimtar dhe kumtues i mesazhit hyjnor. Edhe në burg ai vazhdo të ftojë të burgosurit tek besimi i një Zoti të vetëm dhe të pashoq. Bashkëvuajtësit e tij në burg, ishin idhujtar, me të cilët, Jusufi a.s shfrytëzonte çdo rast që tu flasë për Zotin. Dy të rinj që vuanin dënimin, e pyetën Jusufin a.s për një ëndërr që kishin parë dhe ai, pasi u dha disa informacione rreth ëndrrës, u tha:” Jusufi tha: “Sa herë që t’ju vijë ndonjë ushqim (në ëndërr) si risk për ju, unë do t’ju lajmëroj se çfarë kuptimi ka, para se të bëhet realitet. Kjo është prej diturive që m’i ka mësuar Zoti im. Unë e kam flakur fenë e njerëzve që nuk besojnë Allahun e që mohojnë jetën tjetër. Unë besoj fenë e të parëve të mi – Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit. Ne, kurrë nuk mund t’i shoqërojmë Allahut ndonjë gjë (në adhurim). Kjo është dhuntia e Allahut ndaj nesh dhe njerëzve të tjerë, ndonëse shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës. O shokët e mi të burgut! A janë më mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari? Ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm emra, të cilët i keni vënë ju dhe të parët tuaj, pa pasur prej Tij asnjë argument. Vendimi i përket vetëm Allahut: Ai ka urdhëruar që të adhuroni vetëm Atë. Kjo është e vetmja fe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e di.” (Jusuf, 37-40)
Studenti pyeti:”Po, më vonë, çfarë u bë me këtë të burgosur besimtar?”
Profesori ia ktheu:”Biri im! Duhet ta dish se triumfi në fund u përket besimtarëve të devotshëm. Ky është ligji i Zotit në tokë, ligj i cili as ndryshon dhe as manipulohet. Populli i Egjiptit dhe shtresa në pushtet, u ndjenë në kulmin e nevojës për Jusufin a.s, ashtu siç ka nevojë i padituri për të diturin, i sëmuri për doktorin dhe i humburi për yllin polar. Duke mos patur zgjidhje tjetër, ata iu përgjëruan dhe i e liruan nga burgu, ndërkohë që ai refuzoi të dalë pa u shpallur i pafajshëm për akuzat që i ishin veshur. Ai dëshironte të dalë nga burgu, por i bardhë, pa asnjë njollë. Në fund, doli nga  burgu ballëlart dhe i papërlyer.
“Mbreti tha: “Ma sillni atë, do ta marr pranë vetes.” Pasi bisedoi me të, i tha: “Qysh sot, ti ke pozitë të lartë dhe je i besuar.” (Jusufi) i tha: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve)”. Dhe kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë në atë vend dhe ai kishte çfarë të dëshironte. Ne e shpërblejmë me mëshirën Tonë, kë të duam dhe, punëmirëve nuk ua humbim shpërblimin.” (Jusuf, 54-56)
Tashmë, i burgosur i Egjiptit, u shndërrua në prijësin dhe liderin e tij, ai që kishte në administrim të gjithë pasuritë e këtij vendi të begatë. Ishte ai që do të menaxhonte krizën e ushqimit që pritej të pllakosë gjithë rajonin. Posti që tashmë mbante, ishte një sprovë tjetër për besimin e Jusufit a.s. Njeriu sprovohet me begati, ashtu siç sprovohet me fatkeqësi.”
Studenti tha:”E si u sprovoka me begati, ndërkohë që dimë që sprova është vetëm me fatkeqësi?”
Profesori iu përgjigj:”A e nuk e ke dëgjuar dhe lexuar ajetin:”Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija, 35)
Disa njerëz, e përmbajnë veten dhe bëjnë durim në fatkeqësi, por kur sprovohet me begati dhe të mira, tregohet arrogant, mburret dhe e sheh veten madhështor. Kjo nuk ndodhi me Jusufin a.s kur u bë ministër i ekonomisë së Egjiptit. Ai nuk ndryshoi nga Jusufi që kishte qenë i burgosur. Ai i kishte të mirat në dorë dhe jo në zemër, ai i administronte pasuritë e gjithë Egjiptit, por nuk ishin pasuritë linja e tij e jetës. Thuhet se kur i shtrohej sofra për të ngrënë, mjaftohej me disa kafshata dhe nuk ngopej asnjëherë. Kur u pyet për këtë, u përgjigj:”Kam frikë se duke u ngopur, harroj fukarenjtë e uritur.”
Besimi tek Zoti i profetit Jusuf a.s, u shfaq sërish kur vëllezërit nga babai që kishin dashur ta eliminojnë fizikisht, ata që e kishin larguar nga shtëpia dhe prindërit, ata që e kishin hedhur në pus, prej ku ishte nxjerrë dhe ishte shitur si skllav, i ranë në dorë. Ata kishin ardhur në Egjipt nga Palestina, për të kërkuar ndihma ushqimore, për të përballuar zinë e ushqimit. Jusufi i kishte në dorë tashmë dhe mund të hakmerrej për të gjitha vuajtjet, por ai vendosi të falë dhe ti harrojë vuajtjet që i kishin shkaktuar. “Ai u tha: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 92)
Pasi kishte shtënë në dorë ministrinë dhe menaxhonte realisht pothuaj të gjithë shtetin e Egjiptit, pasi kishte sjellë në Egjipt prindërit dhe vëllezërit e tij, Jusufi kishte një ëndërr tjetër tashmë: Të fitojë kënaqësinë e të Gjithëpushtetshmit dhe lumturinë e amshuar në botën tjetër. Ai i përgjërohej Zotit me përkushtim në lutje, duke kërkuar me vendosmëri:” O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave! O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si mysliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!” (Jusuf, 101)
Biri im! Ky ishte një nga modelet e fuqisë së besimit, modelit më të mirë për të rinjtë tanë, shembullit për këdo që ka dy pare mend në kokë, argumentit më të mirë për mohuesit dhe udhëzuesit dhe mëshirës për besimtarët.”
 
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit