1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Sa herë që…

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Sa herë që…

Vitet e fundit, janë publikuar një numër i madh studimesh dhe kërkimesh, të cilat provojnë se sjellja e njeriut nuk ndryshon fort nga këshillat, sado të forta qofshin, as nga predikimet verbale sado prekëse të jenë. 
Këshillat dhe predikimet janë të domosdoshme, por huqet, veset, zakoni dhe ambienti mbeten më të fuqishme dhe me ndikim më të thellë. Po, ato ndikojnë fuqishëm nëse lidhen me praktika dhe modele sjelljesh që zgjasin në kohë dhe kur shoqëria përreth është një faktor ndihmues dhe mbështetës.
“Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që jua ndaloj juve.” (Hud, 88)
Këshillat ndikojnë kur modelet tona të sjelljes janë shndërruar në zakone dhe bëhen instinktivisht. Që këtu ka lindur dhe termi “Ushtrimi i vetes” tek ulematë dhe imamët e hershëm, si Ebu Hamid Gazali, Ibnul Kajim dhe dijetarët sufistë.
Një leksion i fuqishëm dhe prekës rreth zemërimit dhe inatit, mund të na bëjë përshtypje, të na prekë dhe të na motivojë maksimalisht për ta luftuar dhe larguar nga jeta jonë…. Por, në sprovën dhe ngacmuesin e parë që na provokon, i gjithë organizmi, sistemi nervor dhe mënyra si jemi programuar, bëjnë të tyren, na del situata nga duart dhe reagimi është ai i zakonshmi.
Pastaj pendohemi!
Me përsëritjen e dështimit, lind demoralizimi, me akumulimin e brejtjes së ndërgjegjes njeriu e humbet shpresën dhe besimin tek vetja… Tashmë atij nuk i interesojnë më fare bisedat dhe këshillat, sikur një zë i brendshëm i thotë: S’ia vlen më!
“Urtësia fitohet duke e ushtruar” thoshte Ebu Derda. Kjo do të thotë që të ushtrohemi dhe të perfeksionojmë metoda dhe aftësi, të cilat na mundësojnë të konfrontohemi dhe ti rezistojmë  valës së zemërimit.
Libri “Uddetus Sabirin” i Ibnul Kajim, konsiderohet si një enciklopedi lidhur me tekstet që kultivojnë durimin dhe vlerat e tij. Kur e lexon këtë libër, e ndjen thellësisht rëndësinë e durimit në jetë dhe statusin që gëzon ai në fe, aty kupton se ai është një faktor i rëndësishëm në rrugën e suksesit dhe përballjes me vështirësitë dhe sfidat.
Kur këtij libri i shton “Fuqia e durimit” të Jane Ryan, fillon e mëson detaje të shumta nga jeta jote e përditshme. Ai të mëson të ushtrohesh për ta vënë në praktikë konceptin e durimit.
E nëse merr pjesë në një trajnim apo ndonjë kurs, sapo ke vënë këmbën në rrugën e duhur dhe ke kuptuar se nuk je i vetëm.
Modelet e sjelljes së profetit Muhamed a.s, mund ti përmbledhim në tre boshte: Virtytet e jashtme Sjellje praktike Mënyrat e ndryshimit të tjerëve Lidhur me virtytet e jashtme, për Profetin a.s thuhet se “Morali i tij ishte Kurani”. Këtu, morali është modeli i sjelljes.
Në jetën e tij, ne gjejmë një pafundësi modelesh sjelljeje praktike dhe verbale, të cilat e pasurojnë jetë dhe e lezetojnë atë.
“Sa herë që” është një ndajfolje e cila gjendet shpesh në trashëgiminë profetike dhe që shpreh një vepër të përsëritur, pra një traditë dhe ves. Në këtë kontekst, më shumë sesa një zakon dhe ves me apo pa qëllim, ajo shpreh diçka të përsëritshme, e cila mund të jetë dhe ritual. Hijeshia fizike. Profeti Muhamed a.s i mbante flokët gjithmonë të krehur dhe i kushtonte vëmendje cilësisë së veshjes. Kur Omeri pa dikë duke shitur një xhybe cilësore, menjëherë e bleu dhe ia dhuroi Profetit a.s, pasi e dinte që atij i pëlqejnë veshjet e bukura. Ditën e xhuma dhe në dy bajramet, Profeti a.s vishte rrobat më të mira që kishte dhe kjo në formë respekti dhe konsiderate me njerëzit që takohej.
Shpesh herë, ai thoshte:”Zoti është i bukur dhe e do të bukurën.” Ai i vlerësonte shokët e tij nëse vishnin diçka të bukur, rroba apo këpucë qofshin.
Edhe pse ishte shumë modest në përgjithësi, ai asnjëherë nuk u pa me flokë të pakrehur dhe eleganca kurrë nuk u shkëput nga mënyra e veshjes së tij. Higjiena. Ai e përdorte aq shpesh misvakun, saqë druhej se po i dëmton dhëmbët. Veçse e përdorte vetë, i urdhëronte dhe të tjerët ta përdorin. Në ritualin e abdesit, ai futi dhe larjen e gojës dhe të hundës. Ai urdhëroi që besimtari të lahej, edhe pse ambienti përreth nuk e stimulonte diçka të tillë, pasi njerëzit ishin të angazhuar me sigurimin e jetesës dhe gjërave të domosdoshme. Parfumi. Profeti a.s e mënjanonte ngrënien e hudhrave dhe qepës për shkak të aromës së rëndë, duke nxitur përdorimin e parfumeve për trupin dhe rrobat, edhe gjatë veshjes së Ihramit. Një herë, kur pa një pështymë në murin nga kibleja, ai u zemërua shumë dhe pasi e pastroi dhe e groposi pështymën, kërkoi parfum të cilin e hodhi në vendin e pështymës. Ky ishte një mësim praktik për të gjithë myslimanët. Ndër tiparet më të spikatura në personalitetin e profetit Muhamed a.s, mund të cekim: Përulësia dhe ndjesia se është rob i Zotit. “Unë jam rob i Zotit, prandaj thoni robi i Zotit dhe i dërguari i Tij” (Buhariu). Ai i ndalonte myslimanët që ta hyjnizojnë dhe ekzagjerojnë me lëvdata. Ai nuk lejoi që dukuria e eklipsit të diellit, të interpretohej si shenjë hidhërimi për vdekjen e djalit të tij Ibrahimit. Ai i kërkoi dikujt që të mos e përdorë më fjalën:”Nëse do Zoti dhe do Muhamedi”. Përmendja e Zotit, e cila ishte unifikuar me frymëmarrjen e tij. Atë e gjeje duke përkujtuar Zotit në çdo gjendje. Teksa shtrihej për të fjetur, lexonte suret fundit, fshinte gjithë trupin me duart ku kishte lexuar Kuran dhe bënte tesbih. Kur zgjohej nga gjumi në mëngjes, e lëvdonte Zotin për mirësinë e zgjimit, lexonte ajetet e fundit të Al Imranit etj… Shpesh herë, e dëgjoje të lexojë:”O Zot na jep të mira në këtë botë, në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit”. (Bekare, 201) Ai kërkonte mbrojtjen e Zotit nga ankthi, stresi, mërzia, dembelizmi, pafuqia, koprracia, barra e borxhit, zgjedha e njerëzve, hidhërimi për shkak të vdekjes, fukarallëku, uria, tradhtia dhe braktisja e besimit. Ishte spontan, praktik dhe nuk shtirej. Një herë, ishte ulur mbi buzën e një pusi dhe kishte lëshuar këmbët brenda tij. Bashkë me të, vjen dhe ulet dhe Ebu Bekri dhe Omeri. Një herë, kaloi pranë një djaloshi i cili ishte duke rrjepur një dele, por që dukej se nuk di. Profeti a.s iu afrua dhe e ndihmoi. Kaloi në Pazar dhe gjeti Zahirin, një beduin, të cilin e kapi për mesi nga pas dhe pasi e lëshoi, filloi të thërrasë:”Kush e blen këtë skllav prej meje? Zahiri është njeriu ynë në shkretëtirë, kurse ne, njerëzit e tij në qytet.” Një tregues i spontanitetit të Profetit a.s, ishte se ai e shprehte ndjesinë e tij nëpërmjet mimikës së fytyrës. Kab ibnu Malik, tregon se i dërguari i Zotit a.s, sa herë që gëzohej, i shkëlqente fytyra, e cila i dukej si një copë hëne. Ai e shfaqte gëzimin pa u shtirur dhe e njëjta gjë vlente për mërzinë dhe neverinë. Tregon Aishe, se një ditë e kishte parë Profetin a.s tek dera dhe një ndjesi neverie i dukej në fytyrë.
Pjesë e spontanitetit të tij ishte se mjaftohej me pak ushqim dhe veshje, duke mos kërkuar të pamundurën. Ai u jepte një shumë prej 500 dërhemësh grave të tij, për të plotësuar nevojat e tyre. Kjo ishte mundësia e tyre ekonomike. Këtë shumë ai mund ta rriste, ose pakësonte, sipas mundësive. I sinqertë në ato që thoshte. Tek profeti Muhamed a.s, gjejmë një përkim të çuditshëm mes fjalëve që thoshte, personalitetit dhe veprave, të brendshmes dhe të jashtmes. Sinqeriteti i shquhej në fytyrë. Abdullah ibnu Selam, një nga hebrenjtë e Medines, thotë:”Kur profeti Muhamed a.s mbërriti në Medine, vajta ta hetoj nëse është profet i vërtetë apo mashtrues. Me ta parë në fytyrë, e kuptova se nuk ishte fytyra e një mashtruesi.” Ai urrente që shokëve të tij tu jepte qoftë dhe një sinjal përvjedhurazi, për të hequr qafe dikë që e meritonte. Me këtë rast, ai thotë:”Nuk i shkon për shtat një profeti të jetë i pabesë, qoftë dhe me sy.”
Në një hadith tjetër, ai thotë:”Mbaje amanetin dhe mos e tradhto atë që të tradhtoi!”
Pjesë e sinqeritetit profetik, ishte që armikun ta trajtosh sipas moraleve dhe principeve të tua, jo sipas atyre të armikut.
Maksimumi që mund të bënte në luftë, dhe lufta siç thoshte ai është dredhi, është se hiqej sikur do të nisej diku tjetër dhe jo për të sulmuar atë që dëshironte. Nëse objektivi ishte nga veriu, ai nisej nga jugu. Ai u thoshte shokëve të tij:”Njeriu vazhdon të manifestojë sinqeriteti, derisa të njihet tek Zoti si i sinqertë.”
Kështu, shohim që zakoni dhe vesi fillon me vepra të vogla, të cilat fillojnë e rriten e zmadhohen, duke u shndërruar në vlera sublime, ku lexohen qëndrimet e njeriut, fjalët dhe heshtja e tij, marrja dhe dhënia, lëvizjet dhe qetësia, ose thënë ndryshe, gjuha e tij e trupit. Optimizmi. Profeti Muhamed a.s e pëlqente këndvështrimin optimist, atë që shtonte shpresën dhe pritshmëritë e mira. Kur pa Suhejl ibnu Amr duke ardhur për të negociuar, në Hudejbije, ai tha:”Po lehtësohen gjërat.” Emrin e Suhejl (Lehtësim) ai e vinte në funksion të çtensionimit të situatës, duke i nxitur shokët e tij për më shumë optimizëm.
Kur vizitoi një beduin i cili vuante nga temperatura e lartë, Profeti a.s i tha:”Qoftë pastrim gjynahesh, inshalla.” Duke theksuar të kundërtën e asaj që mund të mendohet zakonisht në raste sëmundjesh. Profeti a.s thoshte se temperatura e lartë është shans për pastrimin e gjynaheve dhe të metave të trupit dhe të shpirtit. Beduinët ishin të prirur që ta interpretonin negativisht temperaturën dhe sëmundjen, saqë edhe ky person, u çudit nga fjalët e Profetit a.s dhe i tha:”Pastrim?! Jo, jo, është zjarrmi që po gllabëron një plak të moshuar, të cilin së shpejti do i bëjë gropën.” Zemërbutësia, e cila është një tipar i natyrshëm i profetit Muhamed a.s. Aisheja, gruaja e tij thoshte:”I dërguari i Zotit a.s, kurrë nuk ka goditur grua apo shërbëtor, përveç rasteve kur ka qenë në luftë. Ai kurrë nuk është hakmarrë për veten e tij, përveç rastit kur shkeleshin kufijtë e Zotit.” Kështu, vala e zemërimit që e kaplonte ndonjëherë, nuk ishte për veten, se i prekeshin interesat e tij. Ajo nuk ishte as pjesë e natyrës së tij, pasi ishte aksidentale dhe ndodhte vetëm kur bëhej fjalë për shkelje të ligjeve të Zotit, për asgjë tjetër.
 
Përktheu: Elmaz Fida
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit