Mesazhi i shejh Sharavit për mbështetësit e legjitimitetit në Egjipt dhe në mbarë botën
“kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpalleshin gënjeshtarë, atëherë u arriti ndihma Jonë: Ne shpëtojmë atë që duam dhe dënimi Ynë nuk zmbrapset nga populli keqbërës.” (Jusuf, 110)
Ndajfolja kohore “Kur” në këtë ajet, tregon se kemi të bëjmë me një qëllim dhe objektiv të këtyre njerëzve dhe përderisa ka një qëllim, ka dhe një fillim dhe ky fillim, përmendet në një ajet tjetër, ku Zoti thotë:”Dërguam para teje burra të cilëve u kumtuam shpalljen” (Enbija, 7) dhe përderisa Zoti ka dërguar profetë, u ka premtuar edhe ndihmën dhe mbështetjen.
Por, ndihma dhe mbështetja hyjnore është vonuar, saqë të dërguarit e Zotit, gati e humbën shpresën. Kjo vonesë, është në funksion të “sprovës” dhë në kuadër të saj. Kjo, sepse e vërteta absolute, Zoti i lartësuar, dëshiron që njeriun ta ngarkojë me përgjegjësinë e udhëzimit hyjnor në tokë, gjë e cila do të vazhdojë derisa të vijë Dita e Kiametit. Këtë përgjegjësi nuk mund ta mbajë veçse ai që është sprovuar dhe rrahur me sfidat e ndryshme. Prandaj dhe ai që sprovohet dhe përballet me sfidat e jetës dhe i kalon ato me sukses, e meriton ta mbajë mbi supe amanetin e Zotit në tokë.
“Mos menduat se do të hyni në xhenet pa u ndodhur siç u ndodhi atyre që kaluan para jush? U ranë fatkeqësi e vështirësi dhe u tronditën aq sa profeti dhe besimtarët me të thanë:”Ku është ndihma e Zotit?” A nuk është afër ndihma e Zotit!” (Bekare, 214)
Prandaj dhe sprovat janë të domosdoshme, pasi ato nxjerrin në pah të mirin nga i keqi, të dobishmin nga i dëmshmi.
Në dinamikën tonë të jetës së përditshme, e vendosim para një provimi atë që duam ta ngremë një shkallë më lart. Kështu, nxënësi i fillores, për të kaluar në nëntëvjeçare, do të japë provime, po kështu ai që do të kalojë në shkollë të mesme, në fakultet, në studimet pas universitare etj… Kjo bëhet me qëllim që të mos e zërë një vend të caktuar, veçse ai që është i aftë të mbajë përgjegjësitë për atë vend.
Zoti e ka të lehtë që ti dërgojë profetët dhe ti ndihmojë menjëherë, por Ai kërkon që me këta profetë të qëndrojnë vetëm njerëzit e sinqertë, vetëm ata që besojnë se kënaqësitë që i humbasin nga kjo botë, do i shpërblehen nga Zoti me shumëfish në botën tjetër.
“kur të dërguarit gati e humbën shpresën”
Pyetja që lind në këtë kontekst është: A është e logjikshme që profetët e Zotit dhe të dërguarit e Tij, ta humbasin shpresën?
Në fakt, folja e përdorur në arabisht është “Istej’ese” që do të thotë gati e humbi shpresën, sikur kërkonin të thonë se nuk ka më shpresë, por në fakt shpresa nuk ka humbur.
Të kesh këputur dhe humbur shpresën, do të thotë të mos shpresosh se gjendje mund të ndryshojë. Sakaq, njeriu nuk mund ta humbasë totalisht shpresën, veçse nëse dinamikën e tij të jetës, e ka të shkëputur nga Zoti i cili ka në dorë gjithçka. Por çfarë ndodh nëse gjithçka në tokë dhe përreth i nxihet dhe të gjitha shkaqet i shuhen?
Nëse të gjitha shkaqet shuhen dhe njeriu nuk ka ku të kapet, nuk duhet të harrojë se ka Zotin, Krijuesin e shkaqeve dhe të rrethanave. Prandaj dhe Kurani e thekson fort faktin se vetëm jobesimtarët e humbasin shpresën tek Zoti. Ata që vetëvriten, arrijnë në këtë akt mizor, vetëm nga fakti se u shkëputen të gjitha shkaqet e shpëtimit në jetë, duke mos pasur asnjë lidhje me Zotin dhe Krijuesin e tyre. Ata nuk besojnë se kanë një Zot, i cili ka gjithçka në dorë, i cili mund të ndryshojë aktualitetin 100 %, i cili mund tu gjendet pranë dhe ti nxjerrë nga halli.
Kështu, shohim që të dërguarit e Zotit, nuk e patën humbur shpresën, por ngaqë dëshironin që ndihma e Zotit të vijë sa më shpejt, sikur u dukej se po u humbet shpresa.
…