Gazeta izraelite: Si mund të vijë paqja në vend të dhunës
Gazeta izraelite Haaretz e përshkroi operacionin e fundit ushtarak në Gaza si një dështim katastrofik të politikës së Izraelit në Rrip, duke dënuar përsëritjen e operacioneve të tilla ushtarake që prishin jetën e përditshme të izraelitëve dhe e kthejnë jetën e palestinezëve në Gaza në një makth të vazhdueshëm.
Për të ndalur këtë “marsh të çmendurisë”, gazeta i bëri thirrje Izraelit në editorialin e saj të djeshëm që të ndryshojë tërësisht drejtimin. Gazeta thekson se Izraeli duhet para së gjithash të promovojë rindërtimin e Gazës dhe të lëshojë më shumë leje për futjen e materialeve të ndërtimit dhe mallrave të tjera në Rripin e Gazës, me qëllim përmirësimin e situatës ekonomike dhe angazhimit civil në Gaza, sepse kjo është “Interesi më i lartë i Izraelit.”
Haaretz beson se një opsion i mirë do të ishte që Izraeli të ndryshojë strategjinë e tij në Gaza dhe të miratojë planin dyfazor të propozuar nga Yair Lapid, ministri i Jashtëm në shtator 2021 dhe kryeministri aktual. Ai plan quhej “Ekonomia për Sigurinë”.
Një mundësi për të hartuar një kurs të ri
Faza e parë do të ishte rindërtimi humanitar, sipas të cilit Izraeli lejon Gazën të rindërtojë sistemin e saj të energjisë elektrike, të lidhet me tubacionet e gazit, të ndërtojë impiante shkripëzimi dhe të përmirësojë sistemin e tij shëndetësor në këmbim të paqes afatgjatë.
Sa i përket fazës së dytë, ajo shkon edhe më tej, duke kërkuar ndërtimin e një ishulli artificial pranë Gazës, mbi të cilin mund të ndërtohet një port detar, si dhe nxitja e investimeve ndërkombëtare dhe projekteve të përbashkëta ekonomike që përfshijnë Izraelin, Egjiptin dhe Autoritetin Palestinez.
Haaretz arriti në përfundimin se kjo është një mundësi e artë për kryeministrin që të përcaktojë një kurs krejtësisht të ri në marrëdhëniet e Izraelit me Gazën dhe të rrënjos shpresën tek shumë izraelitë dhe shumë gazanë që janë lodhur nga cikli “brutal” i dhunës. /tesheshi.com/