-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Zoti…pastaj..!

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Zoti…pastaj..!

Miku im (F) është lidhur me fenë kohët e fundit, nuk ka arsimin e mjaftueshëm dhe nga personat që e rrethojnë ka marrë disa mësime, të cilave u është fokusuar totalisht. Ai ka shkruar dhe një broshurë tashmë rreth disa fenomeneve negative që sillen rreth mjekrës, zgjatjes së rrobës nën zogun e këmbës, zbulimin e fytyrës për gratë, heqjen e vetullave tek gratë, duhani etj…
Nijeti i tij është i mirë, aq më tepër që sheriati ka folur edhe për detaje të tilla, siç ka folur dhe për parimet e përgjithshme. Megjithatë, mikut tim i lipset të njihet me tema rreth besimit dhe rrënjosjes së tij në zemër dhe mendje, i lipset të njihet me madhështinë e Zotit, dashurinë për Zotin, shpresën dhe frikën prej Tij… pra i lipset një listë prioritetesh.
Ai ka nevojë ti drejtohet Zotit me përgjërim, sidomos kur niveli i tij i besimit pëson rënie, kur i mungon ndjesia se Zoti e vështron, kur e pushton materializmi, thatësia e shpirtit dhe shterimi i moraleve.
Sahabët, shokët e profetit Muhamed a.s, mësonin besimin para Kuranit. Ibnu Umer thoshte:”Mësuam imanin (besimin) mandej mësuam Kuranin, i cili na e thelloi besimin. Sakaq ju mësoni Kuranin, pastaj mësoni imanin.”
Xhundub ibnu Abdilah thotë:”Ishim djelmosha kur shoqëroheshim me të dërguarin e Zotit a.s. Me të mësuam imanin pastaj mësuam Kuranin, i cili na e thelloi imanin.”
Që këtu, lipset që njeriu të filloj të mësojë dhe kuptojë emrat dhe cilësitë e Zotit, ti studiojë në atë formë e cila i mundëson të depërtojnë thellë në zemër. Kjo, të bëhet para se ai të përveshë mëngët dhe të zhytet në debate me kundërshtarët dhe të devijuarit. Jo çdo kush ka nevojë të mësojë debatet rreth sekteve e fraksioneve të ndryshme, kjo u përket vetëm specialistëve të këtyre fushave.
Nëse Ibnu Umer i kritikonte lexuesit e brezit të tij se mësojnë Kuranin para imanit, nuk e di çfarë do të thoshte për  brezin tonë, ku njerëzit mësojnë ca sure dhe ajete nga Kurani, e pas tij, nuk mësojnë as dhe gjërat më bazike nga imani!
Njihe Zotin nëpërmjet shenjave të krijimit, teksteve të shpallura dhe veprave të Tij, pasi kjo njohje e mbush zemrën tënde me dashuri për Krijuesin dhe dashuria është një nga elementët më të rëndësishëm të adhurimit, është si koka për shpendin fluturues.
Pas dashurisë vjen shpresa dhe frika, të cilat përbëjnë krahët e shpendit.
Kur e njeh Zotin me rahmetin e Tij, begatitë, bujarinë, dhembshurinë dhe dënimin për zullumqarët, peshorja nivelohet dhe paralelisht do të nivelohet peshorja e gjykimeve të tua, duke i dhënë secilit të drejtën që i takon pa i hyrë në hak, do të maturohet kujdesi që i kushton të brendshmes njëlloj si të jashtmes, vëzhgimit të vetes para vëzhgimit të tjerëve.
“Imani fillimisht” është motoja mbi të cilën duhet të bazohet edukimi, ftesa dhe arsimi, mandej mbi këtë bazë të fortë  le të ngrihen të gjitha çështjet e tjera shkencore.
Në një shoqëri të caktuar mund të përhapet kultura fetare, por kjo nuk do të thotë se njerëzit tashmë janë fetarë të vërtetë dhe të sinqertë. Kjo nuk do të ndodhë derisa përpjekjet më të mëdha të derdhen në kuadrin e besimit të sinqertë dhe me zemër, tek i cili robi përjeton përhumbjen, dashurinë, nënshtrimin, shpresën, frikën dhe perceptimin e drejtë të caktimit të Zotit dhe urtësisë hyjnore. Ai është besim i palëkundur në premtimin hyjnor dhe në ligjet e Tij, edhe pse mund të mos i njohë në formë të detajuar ai është i gatshëm ti zbatojë dhe vërë në jetë.
“A janë (të barabartë me jobesimtarët), ata, që mbështeten në provë të qartë nga Zoti i tyre, që ndiqet nga një dëshmitar prej Tij.” (Hud, 17)
Sipas Ibnu Tejmijes, prova e qartë dhe dëshmitari, që ceken në këtë ajet, janë Kurani.
Në pasazhin kuranor “dritë mbi dritë” (Nur, 35), bëhet fjalë për dritën e besimit, mandej dritën e imanit (besimit).
Brezi i parë i myslimanëve, ishin të dhënë pas mësimit të Kuranit mekas, saqë hazreti Omeri thoshte:”Kush kërkon të mësojë prej jush, le të mësojë Kuranin mekas, sepse është më i lehtë”. Kurani mekas është ajo pjesë e Kuranit e cila fokusohet kryesisht tek çështjet e kredos, forcimit të bazave të besimit dhe njohjes së Zotit.
Ka shumë të rinj të cilët janë larg fesë së vërtetë, pasi janë angazhuar me një fetarizëm dytësor, janë të angazhuar me udhëzimin e të tjerëve duke harruar veten, merren me pamjen e jashtme duke harruar të brendshmen, nxitojnë në dhënien e verdikteve dhe gjykimeve për njerëzit, si të ishin gjykatës krimesh!
Kur e njeh Zotin dhe mandej dëgjon një hadith sipas të cilët dëbohet nga rahmeti i Tij kushdo që vepron një akt, i cili nuk është as në nivel gjynahu apo qoftë dhe debati mes sahabësh, si lyerja e flokëve me ngjyrë të zezë, nuk e ke të vështirë që njohjen tënde të besimit dhe të rahmetit të tij, ta kesh superiore dhe parësore ndaj një teksti të dyshimtë!
Por edhe sikur të jetë tekst i saktë, mund të mos dish rrethanat kur është thënë, kuptimin e vërtetë, qëllimin, kontekstin… Ashtu siç mund të jetë një kërcënim për këdo që e  bën për qëllime të mbrapshta, si mashtrimi.
Mësimet zyrtare zakonisht fokusohen tek ajetet e dispozitave, hadithet dhe të kuptuarit e tyre, edhe me fëmijët e shkollës tetëvjeçare apo të mesme, sigurisht edhe me universitarët. Mandej, informacionet e marra bëhen objekt debati, vërejtje dhe kritike mes tyre, saqë disa studentë pohojnë:”Uroj të bëhem myfti ose fakih.” Kjo, mund të ndodhë për shkak të ndonjë ambicie të tij për një lloj autoriteti dhe parllëku, me gjithë moshën që kanë.
Ku janë mësimet që na rrënjosin dashurinë për Zotin, që në ditët tona të para në jetë?
Ku janë mexhliset që na mbushin me madhështinë e Zotit, shpresën dhe mbikëqyrjen e Tij?
Ku janë grumbullimet të cilat na prezantojnë dhe na e bëjnë të dashur figurën e profetit Muhamed a.s dhe jetëshkrimin e tij?
Ku i mësojmë virtytet, moralet dhe edukatën, për të cilat është dërguar profeti Muhamed a.s?
Ku ti gjejmë kopshtet e parajsës të cilat na lidhin me Zotin, na e rrënjosin besimin, na i forcojnë lidhjet tona me Kuranin dhe nuk kufizohen vetëm tek njohja e hallallit apo haramit?
Dy janë llojet e njohjes të cilat na lipsen dhe duhet të studiohen me rrënjë:
E para: Njohja e prioriteteve, ku gjërat duhet të radhiten sipas rëndësisë së tyre.
E dyta: Njohja e masës që i duhet dhënë çdo individi, as më shumë e as më pak.
O Zot na bëj prej atyre të cilëve u ke dashur të mirën, na bëj nga ata që u ke dhuruar të kuptuarit e drejtë të fesë dhe u ke mësuar interpretimin e duhur! O Zot, gjithçka që na e ke mësuar, bëje të dëshmojë në favorin tonë, jo kundër nesh! Amin!
 
Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit