2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Trump: Agjentët e FBI-së më bastisën shtëpinë në Florida

Më të lexuarat

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) kanë “bastisur” shtëpinë e tij në Florida.

Trump ka thënë përmes një deklarate se shtëpia e tij në Mar-a-Lago është “pushtuar nga një grup i madh i agjentëve të FBI-së”.

Ky kërkim është raportuar të jetë i lidhur me disa hetime nëse Trump zotëron dokumente zyrtare.

Ky përshkallëzim dramatik i zyrtarëve për zbatim të ligjit, vjen teksa Trump përgatitet për garën e tretë presidenciale në zgjedhjet e vitit 2024.

Sipas rrjetit amerikan, CBS News, Trump ka qenë në të ashtuquajturën Kulla Trump në qytetin e Nju Jorkut, në kohën kur kanë ndodhur bastisjet.

“Këto janë kohë të errëta për kombin tonë”, është thënë në deklaratën e Trumpit.

Ai ka thënë se ka bashkëpunuar me të gjitha agjencitë federale, andaj “bastisjet e paparalajmëruara në shtëpinë time, nuk kanë qenë as të nevojshme, as të përshtatshme”.

Trump ka thënë se këto veprime janë të barasvlefshme me “sjellje të pahijshme prokuroriale” dhe “armatim të sistemit të drejtësisë”, për të parandaluar atë që të garojë sërish për president.

“Një sulm i tillë mund të ndodhte vetëm në shtetet e botës së tretë”, ka thënë ai.

“Fatkeqësisht, Amerika është bërë një prej këtyre shteteve, e korruptuar në nivele që nuk i kemi parë më herët”.

“Ata kanë hapur edhe kasafortën time”.

Eric Trump, djali i Trumpit, ka thënë për kanalin Fox News, se kërkimet e FBI-së kanë qenë të lidhura me Arkivat Shtetërore.

Në muajin shkurt, Arkivat Shtetërore, një agjenci qeveritare në SHBA që menaxhon ruajtjen e dokumenteve presidenciale, i ka kërkuar sistemit të drejtësisë të hetojë Trumpin për mënyrën si i ka menaxhuar dokumentet zyrtare.

Arkivat Shtetërore kanë thënë se kanë siguruar 15 kuti nga shtëpia e Trumpit, disa prej të cilave kanë pasur dokumente të klasifikuara.

Sipas ligjit, presidentët amerikanë duhet të transferojnë të gjitha dokumentet e tyre, përfshirë emailat, në Arkivat Shtetërore.

Mirëpo disa zyrtarë besojnë se ish-presidenti Trump ka asgjësuar shumë dokumente.

Arkivat kanë thënë se disa dokumente janë kthyer në gjendje jo të mirë dhe është dashur të ngjiten me njëra-tjetrën.

Trump, atëbotë, ka hedhur poshtë raportimet për diçka të tillë.

Një këshilltar i lartë i Trumpit ka thënë për rrjetin CBS, se agjentët federalë kanë kërkuar dokumente presidenciale në Mar-a-Lago.

“Ka të bëjë me Aktin e dokumenteve presidenciale”, ka thënë një burim i Trumpit, që është pajtuar të deklarohet në kushte anonime.

“A keni dëgjuar ndonjëherë për bastisje për diçka të tillë?

Sipas këtij burimi, “agjentët e FBI-së janë larguar me pak gjëra”.

Për një kërkim të tillë nga agjentët, duke të ketë vendim të gjyqtarit.

Agjencitë për zbatim të ligjit duket të kenë të dhëna se kërkime të tilla do të rezultojnë me dëshmi të veprimeve ilegale.

Një zyrtar për zbatim të ligjit – i paidentifikuar – ka thënë se Shërbimi Sekret është njoftuar pak pasi është marrë vendimi për kërkime, dhe se agjentët që mbrojnë ish-presidentin, i kanë ndihmuar FBI-së.

Sipas këtij burimi, disa kuti janë nxjerrë jashtë shtëpisë, duke shtuar se asnjë derë nuk është thyer dhe se kërkimet kanë mbaruar në pasditen e së hënës.

Një zyrtar ka thënë se Shtëpia e Bardhë nuk ka qenë e informuar për kërkime të tilla nga FBI-ja.

“Disa e kanë marrë vesh nga mediat, disa nga mediat sociale”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke kufizuar komunikimet me zyrtarë të lartë të departamenteve të drejtësisë për të shmangur atë që mund të konsiderohet presion politik.

Presidenti amerikan, Joe Biden ishte zotuar përgjatë fushatës presidenciale se do të qëndronte larg çështjeve të drejtësisë.

Përveç çështjes me Arkivat Shtetërore, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, është duke hetuar veprimet e Trumpit lidhur me trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur një mori e mbështetësve të tij kanë hyrë në ndërtesën e Kongresit, teksa ligjvënësit ishin përgatitur për të certifikuar fitoren e Bidenit në zgjedhje.

Departamenti amerikan i Drejtësisë është duke hetuar nëse Trump ka sfiduar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, ka thënë se synon të mbajë përgjegjës secilin.

Një prokuror në qarkun Fulton në Xhorxhia, është duke hetuar po ashtu nëse Trump dhe mbështetësit e tij, kanë tentuar të ndërhyjnë në rezultatet zgjedhore të vitit 2020.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit