Ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeff Hovenier, ka folur për takimin mes sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me delegacionin e Kosovës në Washington.
Përmes një shkrimi në Twitter, Hovenier tha se ky takim është një tjetër reflektim i partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
“Dje, sekretari Blinken u takua me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeminsitrin Albin Kurti, për të diskutuar fushat kryesore të bashkëpunimit tonë të ngushtë”.
“Vizita është një tjetër reflektim i partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha Hovenier.
Po ashtu, sot (e mërkurë) përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të MCC-së pritet të nënshkruajnë këtë javë në Washington marrëveshjen për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, që përqendrohet në projekte të energjisë.
Nënshkrimi do të bëhet në një ceremoni të organizuar në Kongresin amerikan, ku nga Kosova do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Me këtë, Kosova pritet të forcojë pavarësinë energjetike me Programin e ri Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe në të njëjtën kohë të kursejë miliona euro në vit./Telegrafi/