Plani i reduktimit, i detyrueshëm apo vullnetar?
Anëtarët e Bashkimit Evropian po përpiqen të zbutin propozimin e bllokut për të reduktuar konsumin e gazit ndërsa Evropa përgatitet për një ndërprerje të mundshme të plotë të furnizimeve të kësaj energjie nga Rusia.
Komisioni Evropian propozoi javën e kaluar që 27 vendet anëtare të BE-së të reduktojnë konsumin e gazit me 15 për qind nga gushti në mars. Objektivi do të ishte vullnetar, por Komisioni mund ta bëjë atë të detyrueshëm në rast të një krize furnizimi me gaz.
Brukseli u kërkoi vendeve të kufizojnë konsumin e gazit për të ndihmuar në mbushjen e magazinave përpara dimrit dhe paralajmëroi për një ndërprerje të mundshme të plotë të furnizimeve me gaz rus.
Por plani i BE-së është përballur me rezistencë nga një sërë qeverish – disa kundërshtojnë fuqimisht shkurtimet e detyrueshme dhe të tjera nuk duan të lejojnë Brukselin të kontrollojë konsumin e tyre të energjisë.
Diplomatët e BE do të diskutojnë propozimin e rishikuar të hënën. Propozimi, i parë nga Reuters, do të mbajë një objektiv vullnetar për të gjitha vendet për të kufizuar konsumin e gazit, por të vendosë objektiva të ndryshëm të detyrueshëm.
Përjashtimet
Propozimi i fundit i Republikës Çeke, e cila aktualisht kryeson mbledhjet e anëtarëve të BE-së, ofron një sërë përjashtimesh.
Vendet që nuk janë të lidhura me rrjetet e gazit të BE-së do të përjashtohen nga objektivi detyrues, i cili mund të zbatohet për vendet ishullore si Irlanda dhe Malta, ndërsa ato me sasi të mëdha gazi në ruajtje mund të përballen me objektiva më të ulëta për të kufizuar konsumin e gazit.
Vendet që eksportojnë gaz në vende të tjera mund të përballen gjithashtu me objektiva më të ulëta. Kjo ka të ngjarë të përfshijë Spanjën, e cila nuk mbështetet në gazin rus dhe është ndër kundërshtarët më të zëshëm të propozimit të BE-së. Dhe sektorët kritikë si kimikatet dhe çeliku mund të përjashtohen.
Sipas propozimit të ri, qeveritë kombëtare, jo Komisioni, do të jenë përgjegjëse për procesin e angazhimit ndaj objektivit, i cili mund të bëhet vetëm me mbështetjen e shumicës së vendeve.
Diplomatët evropianë kanë pikëpamje të përziera për draftin e fundit – disa e kanë mirëpritur atë, ndërsa të tjerët janë të shqetësuar për numrin e madh të përjashtimeve.
Ministrat e Energjisë do të kërkojnë ta miratojnë të martën. Në mënyrë që propozimi të kalojë, ai duhet të mbështetet nga të paktën 15 vende anëtare të BE-së. /tesheshi.com/