0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Logjikë zullumqarësh për të justifikuar pushtetin

Më të lexuarat

Allahu na ka sjellë në Kuran shembullin e Faraonit, si modelin tipik të një zullumqari, i madh apo i vogël qoftë, politeist ose jo, se si ai sillet me pushtetin dhe si e përdor atë. Një nga aspektet e tij është edhe përçarja që ai i bëri popullit, nisur nga deviza e vjetër e njohur “Përça e sundo!”.

Allahu për këtë na thotë në Kuran: “Me të vërtetë, Faraoni madhështohej në tokë dhe e ndau popullin në grupe. Një grup prej tyre i shtypte. Ua vrau djemtë e tyre dhe vajzat ua la të jetojnë. Vërtet, ai qe prej shkatërrimtarëve.” (El-Kasas:4)

Edhe pse bijtë e Israilit i përkisnin një fisi të ardhur në Egjipt, fakti që kishin shekuj që jetonin aty, ata ishin pjesë e atij populli, pavarësisht origjinës që kishin. Dhe sigurisht, kjo ndarje domosdoshmërisht që krijon urrejtje dhe armiqësi mes popullsisë së një vendi, ku disa janë të privilegjuar dhe disa të shtypur, mbi premisa aspak morale e fetare.

Kur Musai (alejhi selam) e ftoi në besim Faraonin, por edhe kërkoi çlirimin e popullit të tij nga skllavëria dhe poshtërimi që ai i bënte, Faraoni iu kundërvu me arsyetimin se Musai po bëhej ngatërrestar dhe po prishte rendin social dhe fetar. Allahu na tregon për këtë duke thënë: “Faraoni tha: “Më lini ta vras Musanë dhe le ta thërrasë ai Zotin e vet!” Unë druhem se ai po ndryshon fenë tuaj e po nxit shkatërrimin në tokë!” (Gafir: 26) Dhe mesa Kurani na tregon, ai nxitej edhe nga njerëzit pranë tij që t’i kundërvihej Musait, po me të njëjtin arsyetim “Paria e popullit të Faraonit tha: “A do t’i lejosh Musain dhe njerëzit e tij që të sjellin shkatërrim në tokë dhe të të braktisin ty e zotat e tu?” (el-Araf: 127)

Ndërkohë që ngatërrestari dhe i korruptuari moralisht ishte vetë Faraoni dhe soji i tij, ai dhe paria e tij, duke iu frikësuar rënies së pushtetit dhe ndryshimit të gjendjes, e hodhën fajin mbi Musain, duke paralajmëruar popullin, se Musai po bëhej shkak për ngatërresa.

Ky është edhe modeli që ndjekin të gjithë zullumqarët dhe njerëzit ilegjitimë për të justifikuar pushtetin e tyre, ndërkohë zullumin dhe arrogancën e tyre faraonike nuk duan ta shohin, sepse ua ka zënë sytë pushteti dhe frikësojnë popullin, duke ua hedhur fajin atyre që kërkojnë ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes.

Por sigurisht, që është po ashtu e vërtetë se ka edhe njerëz pa pushtet, që me qëllimin dhe synimin për ta marrë atë vetë, mund të shkaktojnë përçarje dhe ngatërresa mes njerëzve. I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) për një rast të tillë na ka thënë: “Kush vjen tek ju për t’iu përçarë bashkësinë tuaj, ndërkohë që ju jeni të bashkuar pas një burri të vetëm, atëherë vriteni atë.” (Muslimi 1852) Pra, pengojeni dhe mos e lejoni atë t’iu përçajë, pasi jeni të bashkuar. Por a mund të quhet bashkues ai njeri, apo ata njerëz, të cilët shumica dërmuese e besimtarëve nuk i duan, sepse kanë ardhur në krye në mënyrë të pamoralshme, shkelin parimet e fesë dhe i trajtojnë besimtarët dhe hoxhallarët, të ndarë në ca të nënës dhe ca të njerkës?! Dhe a mund të quhen përçarës ata që kërkojnë të respektohet morali i fesë dhe legjitimiteti dhe nuk kërkojnë pushtet personal e as klanor?!

Sot, i pari administrativ i bashkësisë së besimtarëve të një vendi nuk është vetëm individi, por institucioni dhe rregullat që e përbëjnë atë, të cilat janë detyrim fetar dhe moral të zbatohen dhe nëse ato shkelen, është shkelur feja. Kështu që ata që kërkojnë respektimin e tyre nuk janë kurrsesi përçarësit dhe ngatërrestarët, por e kundërta, shkelësit e këtyre rregullave dhe ata që janë ilegjitimë, të cilët e kanë vjedhur përfaqësimin e besimtarëve me hile dhe mashtrime, infiltrime amorale dhe manipulime, janë ngatërrestarët dhe përçarësit e vërtetë. Ata që për hir të politikës dhe interesave të tyre sektare bëjnë kompromise të turpshme në kurriz të fesë, ata janë përçarësit realë të besimtarëve dhe bashkësisë së tyre.

Nëse një pakicë minorene me probleme të theksuara fetare, në radhën e muslimanëve, grabisin përfaqësimin e tyre, ndërkohë që shumica dërmuese nuk i duan, atëherë a nuk është kjo një nga shkaqet më të mëdha të përçarjes së vazhdueshme të kësaj bashkësie?!

Kush i shfajëson ata dhe i mbështet, bëhet pjesë e zullumit të tyre, dhe do të japë llogari bashkë me ta, Ditën e Kiametit.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit