Para dhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia ka qenë aktive edhe në luftën e vazhdueshme të informacionit, duke u varur nga mediat si Sputnik dhe RT, për të përhapur ato që njihen si dezinformata dhe propagandë pro-Kremlinit.
Për këtë arsye RT është ndaluar brenda territorit të Bashkimit Evropian dhe kompanitë teknologjike kanë marrë hapa të ngjashëm për të ndalur hapin e Moskës teksa përhap qëndrimin për “operacionin e saj special” në Ukrainë si dhe për çështje tjera të ndjeshme për audiencën globale.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, mirëpo këtij vendi nuk i diktohen vendimet e marra në Bruksel.
Tani, ky vend i Ballkanit me shtatë milionë banorë, për kohë të gjatë shënjestër e fushatave dezinformuese dhe me lidhje historike me Moskën, mund të shqyrtojë mundësinë nëse do t’ia mundësojë RT-së transmetimin nga Beogradi.
Nëse RT nis punën nga Serbia, kjo media mund të ketë menjëherë audiencë që e pranon.
Sondazhet e fundit që janë kryer nga organizatat joqeveritare në Serbi kanë gjetur se dy të tretat e respodentëve kanë thënë se janë më të afërt me anën ruse, sa i përket konfliktit aktual në Ukrainë.
Rregullatorët shtetërorë të mediave në Serbi kanë thënë se RT ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare.
Në rast të shtrirjes në Serbi, RT duhet të bëjë kërkesë te këta operatorë në mënyrë që të pajisjet me licencë.