8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Sjellja e muslimanit në raport me gjërat e gjetura (Rregullat e shitblerjes)

Më të lexuarat

 

E gjetura është çdo lloj pasurie që respektohet nga sheriati (që është e lejuar), e cila gjendet e humbur dhe nuk i dihet pronari.

Detyra e atij që gjen diçka të humbur.

Kush gjen të holla që i kanë humbur dikujt, ka për detyrë të mësojë llojin dhe sasinë e tyre, pastaj të marrë një besimtar të drejtë për të dëshmuar dhe t’i ruajë ato si dhe të pyesë se kujt i kanë humbur për një vit rresht. Nëse dikush vjen dhe pasi e provon për shenjat dhe vërteton se janë të atij, atëherë ia dorëzon ato të zotit, qoftë edhe pas një viti, në të kundërt, nëse nuk i del i zoti, atëherë i lejohet t’i përdorë ato për vete.

Suejd bin Gafle thotë: “Takova Ubej bin Keab dhe më tha: “Gjeta një qese me njëqind dinarë në të dhe shkova të pyesja të Dërguarin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se ç’të bëja me to? Ai tha: “Pyet për të një vit rresht!”

Pyeta një vit dhe nuk e gjeta të zotin e saj, pastaj shkova tek i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe ai më tha: “Pyet për të edhe një vit tjetër!”

Pyeta edhe një vit tjetër, por përsëri nuk e gjeta pronarin e saj, kështu që, shkova te i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) për të tretën herë dhe ai më tha:

“Ruaje qesen e tyre (copën ku ishin futur), numëroji të hollat dhe përdori ato për vete. Nëse vjen i zoti i tyre ktheja ato e në të kundërt shpenzoi për vete!” Atëherë i shpenzova ato për vete, thotë Ubej. Më pas e takova Ubejin në Meke dhe më tha: “Nuk e di nëse duhet pyetur tre vjet rresht apo vetëm një vit!” Mutefekun alejhi

Ijad bin Himari transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

Kush gjen diçka të humbur, le të marrë të dëshmojë një apo dy dëshmitarë dhe mos të ndërrojë as mos të fshehë diçka prej saj. Nëse vjen i zoti i saj, atëherë ka të drejtë ta marrë atë e nëse jo, atëherë ajo është pasuria e Allahut, të cilën ia jep kujt të dojë (d.m.th. ta shfrytëzojë ai që e gjen)”.Ibën Maxheh, Ebu Daud (sahih).

Delet dhe devetë e humbura

Kush gjen një dele të humbur, duhet ta marrë dhe të pyesë për të zotin e saj. Nëse e gjen, ia kthen atij e nëse nuk e gjen, bëhet pronë e tij.

Ndërsa ai që gjen një deve të humbur, nuk lejohet që ta marrë, sepse nuk është frikë se atë mund ta hajë ndonjë kafshë.

Zejd bin Halid el Xhuheni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Erdhi një beduin tek i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe e pyeti për gjënë e gjetur. Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha:

“Pyet për të zotin e saj një vit rresht; pyet nëse ndokush e njeh qesen dhe rripin e tyre. Nëse vjen i zoti i tyre, ia kthen ato atij dhe në të kundërt i përdor për vete.”

– O i Dërguari i Allahut! Po me delen e gjetur ç’të bëj? – pyeti beduini.

Tha (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “Ajo është e jotja, ose e vëllait tënd, ose e ujkut.” – Po me devenë e humbur? – pyeti përsëri beduini.

Atëherë ndryshoi fytyra e të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe tha:

Ç’të duhet ty me të! Ajo e ka me vete ushqimin dhe ujin e saj, pastaj mund të shkojë te uji dhe mund të hajë prej pemëve (pa pasur frikë se mund ta hajë ujku apo ndonjë kafshë tjetër).“Mutefekun alejhi.

Gjetja e gjërave që hahen dhe atyre pa vlerë të konsiderueshme

Kush gjen në rrugë diçka që hahet, i lejohet atij që ta hajë. Kush gjen diçka pa vlerë të konsiderueshme, i lejohet ta përvetësojë atë.

Tregon Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kaloi pranë një kokrre hurme të rënë në tokë dhe tha:

“Nëse nuk do të kisha frikë se mund të jetë prej sadakasë, do ta haja.”Mutefekun alejhi.

Gjëja e gjetur në Harem (në territorin e Kabes)

Nuk lejohet marrja e gjësë së humbur në Harem, vetëm në rast se pyet për të zotin e saj përgjithmonë dhe nuk lejohet shpenzimi i saj pas një viti, siç është për të gjeturat në vend tjetër.

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Allahu i Lartësuar e ka bërë të ndaluar (të shenjtë) Mekën dhe ajo nuk është lejuar për asnjë para meje dhe nuk do të bëhet e lejuar për asnjë pas meje, ndërsa mua më është lejuar vetëm në një orë të një dite. Nuk lejohet në të prerja (lufta), thyerja e pemëve, trembja e gjahut (kafshëve) dhe nuk merret gjëja e humbur në të, vetëm për atë që pyet për të zotin e saj.” Buhariu

 

Fëmija i gjetur

Fëmija i gjetur, është ai fëmijë i vogël që ka humbur rrugën apo që nuk i njihen prindërit.

Gjykimi për të

Marrja e tij është farz kifaje (obligim kolektiv), duke u bazuar në Fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira e të devotshme!” Maide:2

Feja e tij, liria dhe shpenzimi për të

Nëse gjendet një foshnje (i hedhur) në një vend musliman, atëherë ai është musliman dhe kudo që të gjendet, ai konsiderohet si një i lirë (që nuk është rob), sepse liria është origjina tek njerëzit. Nëse bashkë me të gjendet ndonjë pasuri, atëherë ajo shpenzohet për të e nëse nuk gjendet gjë, shpenzimet e tij i takojnë bankës së shtetit.

Sunejn bin Xhemijleh (një burrë prej fisit beni selim) thotë: “Më gjetën të humbur dhe më dërguan te Umer bin Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ai që më gjeti i tha: “O prijës i besimtarëve! Ky është njeri i mirë.” Umeri tha: “A është e vërtetë kjo?” Tha: “Po.” Atëherë Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha:

Merre atë dhe dije se ai është njeri i lirë, ti je kujdestari i tij dhe mbi ne janë shpenzimet e tij (mbi pasurinë e shtetit).” Malik, Bejhaki (sahih)

Trashëgimia e fëmijës së gjetur

Nëse fëmija i gjetur vdes dhe lë pasuri, por nuk lë pas ndonjë trashëgimtar, atëherë trashëgimia e tij i kalon bankës së shtetit. Po ashtu edhe ed dijetu (kompensimi i tij), nëse e vrasin, i takon bankës së shtetit.

Pohimi i prejardhjes së tij

Nëse dikush pohon se i gjeturi është fëmija e tij, qoftë pohuesi burrë apo grua, atëherë ai i takon atij, në rast se të qenurit prind i tij është diçka e mundshme.

Nëse pohojnë dy apo më shumë njerëz, atëherë ai i takon atij që sjell fakte. E nëse asnjëri prej tyre nuk ka fakte, atëherë kjo gjë i lihet në dorë specialistit që i njeh prejardhjet sipas shëmbëlltyrës së njerëzve dhe pastaj fëmija i takon atij për të cilin gjykon specialisti.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “Hyri tek unë i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i gëzuar dhe me fytyrë të qeshur dhe tha:

“A e di që Muxhzir el Madlexhi vështroi pak më parë te Zejdi dhe Usameja, të cilët kishin mbuluar kokat dhe këmbët i kishin të zbuluara dhe tha: “Këto këmbë janë prej njëra-tjetrës.” Mutefekun alejhi

Nëse njohësi i këtyre gjërave thotë se ai fëmijë është i dy vetëve, atëherë i takon të dyve. Transmeton Sulejman bin Jesar nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se në kohën e hilafetit të tij një grua shkoi me dy vetë në të njëjtin muaj në kohën e pastërtisë së saj (pas zakoneve). Specialisti tha: “Ata që të dy kanë pjesë në të”. Atëherë Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e hodhi atë fëmijë mbi të dy ata.”Bejhakiu (sahih).

LIBRI : Meshhur Hasen,Rregullat e shitblerjes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit