-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Banka gjigante e farave të Ukrainës rrezikon të shkatërrohet

Më të lexuarat

Në magazinat e nëndheshme pranë fushëbetejave në Ukrainë, kodi gjenetik i pothuajse 2,000 kulturave bujqësore është në rrezik për t’u shkatërruar përgjithmonë.

Ky rrezik mori shumë vëmendje në fillim të këtij muaji, kur u dëmtua një strukturë kërkimore pranë bankës kombëtare të farave të Ukrainës, sipas Crop Trust, një organizatë jofitimprurëse e krijuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë.

Struktura kërkimore dhe banka e farave të Ukrainës ndodhen në Kharkiv, në pjesën verilindore të Ukrainës, e cila po përballet me bombardime intensive nga forcat ruse.

Shkaku i dëmit nuk është ende i ditur. Crop Trust tha vetëm se ishte sulmuar objekti që përdorej për kërkime, por për arsye sigurie, nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

Vetëm 4% e farave që ndodhen në magazinat e Ukrainës, sasia e dhjetë më e madhe e këtij lloji në botë, ruhen nëpër bankat e farave.

“Bankat e farave janë një lloj garancie për njerëzimin. Ato sigurojnë lëndët e para për mbarështimin e varieteteve të reja bimore që janë rezistente ndaj thatësirës, ndaj ​​pesticideve të reja, ndaj sëmundjeve të reja dhe ndaj temperaturave më të larta,” tha për Reuters Stefan Schmitz, drejtori ekzekutiv i Crop Trust.

“Do të ishte një humbje tragjike nëse banka e farave në Ukrainë do të shkatërrohej.”

Studiuesit bazohen te materialet e ndryshme gjenetike që janë të depozituara në bankat e farave, në mënyrë që të krijojnë lloje të reja të bimëve që mund t’i rezistojnë ndryshimeve klimatike ose sëmundjeve.

Ato janë bërë gjithnjë e më jetike për të siguruar prodhimin e sasive të mjaftueshme të ushqimit në çdo sezon për të ushqyer 7.9 miliardë njerëzit e botës, në rrethanat kur moti është bërë më ekstrem.

Në të njëjtën kohë, lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, dy vende që janë përkatësisht eksportuesit e tretë dhe të katërt më të mëdhenj të drithërave në botë, ka shtuar inflacionin e çmimeve të ushqimeve dhe rrezikun e mungesës së ushqimeve. Shumë protesta kanë filluar në vendet në zhvillim, të cilat normalisht mbështeten te furnizimet me drithëra nga Ukraina.

Siria u shpëtua nga farat që ruheshin në Arktik

Lufta në Siri ka ofruar një mësim të mirë mbi rëndësinë e ruajtjes së farave duke përdorur Svalbard Global Seed Vault në Norvegji, objekti më i madh dhe më i rëndësishëm në botë për ruajtjen e farave.

Në vitin 2015, magazina e Svalbardit ishte në gjendje t’u dërgonte studiuesve në Liban disa mostra zëvendësuese për grurin, elbin dhe barin, të cilat ishin të përshtatshme për rajonet e thata. Kjo ndodhi pasi u shkatërrua një bankë e farave pranë qytetit sirian të Alepos.

Në total, Svalbard ruan më shumë se një milion mostra të farave të ndryshme, në një magazinë të ndërtuar në një shpat mali në Arktik.

Këto rezerva përfshijnë 4% të 150,000 farave të Ukrainës, të cilat përfaqësojnë më shumë se 1,800 kultura bujqësore.

Crop Trust, organizata me qendër në Gjermani, e cila është e vetmja organizatë ndërkombëtare me qëllimin e vetëm për mbrojtjen e diversitetit të të korrave, ka vënë fonde në dispozicion të Ukrainës për të kopjuar farat, por problemet e sigurisë dhe ato logjistike të shkaktuara nga lufta dhe ciklet natyrore e kanë bërë të vështirë që ky proces të përshpejtohet.

Schmitz vlerësoi se, në rastin më të mirë, rreth 10% e farave të Ukrainës mund të ruheshin në bankat e farave brenda një viti, sepse ato duhet të mbillen, të rriten dhe të korren në kohën e duhur përpara se të mund të nxirren kopjet e tyre që do të dërgohen në Svalbard.

Një masë emergjente mund të ishte që të mos dërgoheshin kopjet, por i gjithë koleksioni i farave direkt në Svalbard. Megjithatë, Schmitz tha se kjo mund të mos jetë e realizueshme në kohë lufte.

Farat siriane vinin nga Gjysmëhëna Pjellore, rajoni ku besohet se njerëzit u vendosën për herë të parë në histori për të filluar dhe për t’u marrë me bujqësi. Edhe Ukraina luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë.

“Bujqësia në Ukrainë i ka rrënjët e saj që në kohët parahistorike,” tha Grethe Helene Evjen, këshilltare në Ministrinë Norvegjeze të Bujqësisë dhe të Ushqimit, duke shtuar se shumë nga farat e këtij vendi janë unike.

Evjen tha se ministria norvegjeze është e gatshme të ndihmojë Ukrainën për të kopjuar dhe për të ruajtur të gjitha farat e saj në Svalbard, por ende nuk ka marrë një kërkesë nga autoritetet ukrainase për këtë gjë. /Reuters/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit