-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Bankat fituan mbi 30 milionë euro vetëm nga Janari deri në Mars

Më të lexuarat

Profiti neto i bankave komerciale në Kosovë ka shkuar në 30.7 milionë euro për vetëm tre muaj operim për këtë vit.

Një muaj më herët, fitimi që kishin paraqitur bankat në vend ishte mbi 21 milionë euro, kurse vetëm në muajin janar, të njëjtat kishin arkëtuar rreth 11 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Pra, vetëm për një muaj, bankat në vend po arrijnë të realizojnë fitime mbi 10 milionë euroshe, fitime këto që kryesisht vijnë nga normat e larta të interesit.

Në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Informatave Mujore të Sistemit Financiar”, saktësohet se vetëm të hyrat nga interesi në kredi nga këto banka për kë tre muaj, ishin në vlerë të 59.2 milionë eurove.

Të hyrat totale të bankave në këtë tremujor ishin 82.1 milionë euro, derisa shpenzimet arrinin në 51.5 milionë. Nga shpenzimet totale, vetëm 5.6 milionë euro ishin për shpenzime të interesit.

Depozitat e qytetarëve në sektorin financiar në vend në këtë tremujor u regjistruan në një vlerë prej 4 miliardë e 745 milionë e 7 mijë euro, prej të cilave depozita familjare ishin 3,345.1 miliardë euro, kurse të tjerat depozita të korporatave financiare dhe jofinanciare.

Aktualisht, sipas BQK-së, vlera e aseteve të sektorit bankar në vend, është gjithsej 5 miliardë e mbi 824 milionë euro.

Ndërkohë, vlera e kredive të dhëna nga bankat arriti në 3 miliardë e 930 milionë euro, prej të cilave 1,458.4 miliardë euro ishin për ekonomitë familjare, ndërsa 2,448.6 miliardë ishin për korporatat jofinanciare.

E norma efektive e interesit në kredi u pasqyrua në një përqindje prej 5.8%. Për kreditë e ekonomive familjare, kjo normë u zbrit në 5.8 nga 6.0% sa ishte në muajin shkurt, derisa norma e kredive konsumuese në mars ra në 6.1% nga 6.5% sa ishte në muajin shkurt të këtij viti.

Ndërkaq, norma e interesit në kredi për korporatat jo financiare ishte 5.7%, prej të cilave për ato bujqësore ishte në një përqindje edhe më të lartë prej 8.9%. /Buletini Ekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit