Një reagim europian kundër Izraelit: a përbën “lajm” ky lajm?
Katërmbëdhjetë vende evropiane kanë shprehur “shqetësim të thellë” për vendimin e Izraelit për të ndërtuar më shumë se 4,000 objekte të reja strehimi për kolonët hebrenj në Territorin e Pushtuar Palestinez, tha Ministria e Jashtme spanjolle.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve izraelite që të tërheqin këtë vendim”, thuhet në një deklaratë të përbashkëtnga Spanja, Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda, Suedia, Finlanda, Danimarka, Norvegjia, Irlanda, Greqia, Luksemburgu dhe Malta.
Izraeli ka miratuar ndërtimin e vendbanimeve për zonën e Bregut Perëndimor, duke vazhduar kështu praktikën e mëparshme në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara.
“Vendbanimet e reja do të bëhen një pengesë shtesë për zgjidhjen e krijimit të dy shteteve. Vendbanimet izraelite janë një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe një pengesë për vendosjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve”, thuhet në deklaratë.
“Ky vendim për ndërtimin e vendbanimeve, si dhe prishjen e shtëpive palestineze dhe dëbimin e njerëzve, prek popullsinë palestineze në Jerusalemin Lindor dhe Zonën C dhe kërcënon drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e zgjidhjes për shtetin e ardhshëm të Palestinës”, theksuan vendet evropian në deklaratë.
Ata gjithashtu i bënë thirrje Izraelit që të braktisë prishjen e planifikuar të ndërtesave palestineze dhe dëbimin e palestinezëve nga shtëpitë e tyre, “veçanërisht në Masafer Yatti”, zona përreth qytetit të Hebronit.
Por a përbën lajm ky reagim europian ndaj Izraelit? Aspak! Këto qëndrime janë shndërruar prej kohësh në rutinore. Izraeli nuk ndalet, madje edhe nëse kundërshtohet nga SHBA, mbështetësja e madhe e shtetit hebre në Lindjen e Mesme.
Duket sikur Perëndim-Izrael veprojnë me parimin e kamufluar: Ju bëni tuajën, ne bëjmë tonën! /tesheshi.com/