Presioni gjerman për Ukrainën: Për popullin serb, BE-ja më e rëndësishme se sa Serbia!
Të martën, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takua me të dërguarin special të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian të Serbisë, si dhe situatën rajonale dhe iniciativat për të lidhur Ballkanin Perëndimor.
Siç u bë e ditur në deklaratën pas takimit, Vuçiç theksoi se Serbia do të vazhdojë të ndjekë rrugën evropiane edhe më intensivisht dhe shprehu pritjen që angazhimi i të dërguarit special do t’i japë shtysë shtesë bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Siç thuhet, Vuçiç ka theksuar se Serbia, me qasjen e saj serioze dhe të përgjegjshme ndaj politikës rajonale, njihet si një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm, i përkushtuar ndaj dialogut politik dhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve rajonale në të gjitha fushat, dhe i kushton rëndësi të madhe Procesit të Berlinit, këtij procesi si forum për forcimin e bashkëpunimit rajonal, përmirësimin e procesit të pajtimit dhe tejkalimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara, si dhe forum që ofron mbështetje për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor përmes projekteve dhe masave konkrete.
“Serbia është e angazhuar fuqishëm në të gjitha aktivitetet e organizuara në kuadër të Procesit të Berlinit dhe nisma ‘Ballkani i Hapur’ përfaqëson një tjetër qasje proaktive të vendit tonë ndaj integrimit rajonal”, tha Vuçiç, sipas deklaratës. Shtohet se presidenti serb theksoi se është thelbësore që këto përpjekje të njihen në vetë Bashkimin Evropian, në mënyrë që të inkurajohen vendet e rajonit në rrugën evropiane.
Bashkëbiseduesit u pajtuan gjithashtu se bisedimet janë e vetmja rrugë e drejtë për zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.
Në deklaratë thuhet se Sarrazin vuri në dukje se politika e zgjerimit dhe puna për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet e politikës së jashtme gjermane në vitet e ardhshme, duke theksuar dëshirën për një angazhim më të fortë të të gjithë BE-së në rajon.
Duke iu përgjigjur pyetjes për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, si dhe në kontekstin e luftës në Ukrainë, Sarrazin tha se është i bindur se Bashkimi Evropian është më tërheqës për popullin serb sesa Rusia.
“Ne presim që Serbia të respektojë vendimet e BE-së. Nuk duhet të jetë e gjitha përnjëherë, por gradualisht”, tha Sarrazin.
Ai shtoi se nuk është duke folur për një afat për këtë dhe theksoi se Gjermania pret hapa më të qartë nga qeveria e re.
“Është e qartë se ne presim hapa më të qartë nga qeveria e re, jo ndaj nesh, por ndaj opinionit tonë publik”, tha Sarrazin. /tesheshi.com/