Pyetja:
Gjatë leximit të Kuranit pashë përmendjen e Shpirtit të shenjtë dhe doja ta dija se kujt i referohet?
***
Përgjigjja:
Në Kuran është përmendur Shpirti i Shenjtë (arabisht: Ruhul Kudus) disa herë. Me Shpirtin e Shenjtë është për qëllim meleku më i madh i Allahut, Xhibrili (Paqja dhe Mëshira e Allahut qofshin mbi të!), ose siç quhet në disa raste edhe Xhebraili. (Vini re: Xhebraili nuk është ai që i merr shpirtrat siç është përhapur gabimisht tek disa njerëz).
Xhibrili është meleku më i madh i Allahut të cilin Pejgamberi ynë, Muhamedi ﷺ e kishte parë njëherë qartë me pamjen e tij të vërtetë me gjashtëqind krahë, me ç’rast Pejgamberi ﷺ kishte përjetuar tronditje nga ajo pamje saqë ishte kthyer në shtëpi dhe kishte kërkuar ta mbulonin.
Detyra kryesore e Xhibrilit është që të sjellë Shpalljen e Allahut në tokë. Xhibrili ia sillte ajetet e Kuranit Pejgamberit ﷺ vazhdimisht. Ai i vinte Pejgamberit ﷺ në formë të njeriut në shumicën e rasteve. Xhibrili ia kishte çarë gjoksin Pejgmaberit ﷺ sa ishte fëmijë dhe ia kishte pastruar zemrën me ujë zemzemi.
Xhibrili e kishte shoqëruar Pejgamberin ﷺ në udhëtimin e tij nëpër qiej. Pra, pozita e Xhibrilit tek Allahu është e lartë, e njashtu duhet të jetë edhe tek njerëzit.
Allahu e di më së miri!