Deri sa ishte ende i njohur si Leopold Veis dhe po qëndronte te axha i vet në Jerusalem, po shikonte disa burra se si falnin namaz përballë dritares ku ai rrinte. I kishin lënë mbresa të thella dhe prandaj një ditë e kishte pyetur burrin që ua falte namazin, për atë që po bënin. Spjegimet e thjeshta të haxhiut, i cili ishte i moshuar dhe i çalë, ishin xixat e para që e tërhoqën Leopoldin e ri drejt Islamit. Me emrin e ri, Muhamed Asad dhe me besimin e ri, Islamin, Muhamed Asadi u bë njëri nga intelektualët më të mëdhej musliman të kohërave moderne. Mjafton të lexohet romani autobigrafik i tij “Rruga për në Mekë”, për ta kuptuar madhështinë e tij intelektuale. Por, rruga e tij madhështore në Islam filloi nga ajo soditje e do burrave të leckosur, që po falnin namaz me përkushtim mbresëlënës. Pra, veprimi i mirë edhe i njeriut të thjeshtë, besimtar i sinqertë, mund të ndikojë më shumë se llafollogjia shurdhuese, që nuk mbështetet në vepra të sinqerta.