1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kosto e rritjes së fëmijëve. Vendet më të shtrenjta për të rritur fëmijë

Më të lexuarat

Në kohët e sotme është shumë e kushtueshme që të keni një fëmijë, pavarësisht vendit në të cilin jetoni.

Por, ndërkohë që Amerika ka një kosto mesatare për rritjen e fëmijëve, Kina është bërë një nga vendet më të shtrenjta në botë për të rritur fëmijë.

Koreja e Jugut kryeson listën e vendeve më të shtrenjta për të rritur një fëmijë, që nga lindja e deri në moshën 18 vjeç, e matur si përqindje e produktit të brendshëm bruto për frymë, sipas një studimi nga Jefferies. PBB është matësi më i gjerë i aktivitetit ekonomik të një vendi.

Kina vjen e dyta, e ndjekur nga Italia. Shtetet e Bashkuara renditen në mes të 14 vendeve më të shtrenjta, midis Gjermanisë dhe Japonisë.

Megjithatë, për sa i përket shumës absolute të parave të shpenzuara, Kina është një nga vendet më të lira për të rritur një fëmijë. Por, gjithçka është relative: “Nëse më pas i përshtasim këto të dhëna me përqindjen e të ardhurave mesatare të disponueshme, Kina bëhet vendi më i shtrenjtë për të rritur fëmijë,” thanë studiuesit e Jefferies.

Pra, çfarë e bën kaq të kushtueshme rritjen e fëmijëve në Lindjen e Largët?

Një pjesë e madhe e kësaj vjen nga kostoja e arsimit dhe nga kostoja e përkujdesit kur fëmija është në moshë më të vogël. Shërbimet parashkollore në Kinë kanë qenë kryesisht private deri vonë, sipas Jefferies.

Duhen më shumë se 75,000 dollarë për të rritur një fëmijë deri në moshën 18 vjeç në Kinë, dhe 22,000 dollarë të tjera për ta dërguar atë në universitet.

Ndonëse ky duket si një shkollim shumë më i lirë nga shifrat me të cilat mund të përballen studentët në Shtetet e Bashkuara, ka një ndryshim kryesor: “Në shumë vende të tjera perëndimore, kreditë studentore që ofrohen nga shteti janë shumë më të zakonshme dhe barra hiqet nga prindërit dhe transferohet te vetë fëmijët,” thanë analistët e Jefferies.

Në Amerikë, për shembull, 55% e studentëve në universitete u diplomuan përmes një kredie në vitin akademik 2019-2020, sipas të dhënave nga Bordi i Kolegjit.

Çfarë mund të bëjë qeveria?

Ligjvënësit kanë shumë opsione për të ulur kostot e rritjes së një fëmije, duke përfshirë subvencionimin e përkujdesit ndaj fëmijëve për të kufizuar hendekun që ekziston midis njerëzve me të ardhura të ndryshme.

Pekini tashmë po ndërhyn për t’i bërë më të aksesueshme programet e mësimit pas shkollës. Një tjetër hapësirë ku qeveria mund të ndërhyjë është kostoja e çerdheve dhe e kopshteve, mendojnë analistët e Jefferies.

“Ne e kuptojmë se qeveria po kërkon ose që këto shërbime të ofrohen nga shteti, ose që të rregullojë çmimin e shërbimeve private”, thanë ata.

Qeveria e Kinës njoftoi në planin e saj aktual pesë-vjeçar se synon që të rrisë numrin e vendeve në çerdhe për fëmijët nën moshën tre vjeç, duke shkuar në 4.5 për 1,000 njerëz deri në vitin 2025 – dy herë e gjysmë më shumë se shifra aktuale prej 1.8 për 1,000 njerëz. Për momentin, ka 42 milionë fëmijë kinezë nën moshën tre vjeç. Prindërit e një të tretës së tyre duan që ata të shkojnë në çerdhe, por vetëm 5.5% e tyre kanë mundësi për ta bërë këtë, zbuloi raporti Jefferies.

Më shumë pasuri do të thotë më pak fëmijë

Normat e lindjeve në vendet më të pasura priren të jenë më të ulëta se në vendet në zhvillim. Ky njihet si “paradoksi demografiko-ekonomik”, që do të thotë se ata me më shumë të ardhura zgjedhin të kenë më pak fëmijë sesa njerëzit me të ardhura më të ulëta.

“Teksa Kina zhvillohet ekonomikisht, ka shumë gjasa që ajo të përballet me paradoksin demografiko-ekonomik, ashtu si shumë vende të tjera të zhvilluara, dhe shkalla e lindjeve mund të bjerë në një nivel më të ulët nga sa pritet,” thanë analistët e Jefferies.

Edhe tani, çiftet kineze hezitojnë të kenë më shumë se një fëmijë për shkak të kostos së lartë të rritjes së tyre. Teksa çiftet në vendet perëndimore duan të kenë dy deri në tre fëmijë, shifrat janë më të ulëta në Lindje.

Për më tepër, edhe numri i martesave është gjithashtu në rënie. Por, në kulturat aziatike, është shumë më e pazakontë të kesh një fëmijët jashtë martese sesa në Perëndim.

Tendencat demografike, si për shembull normat e lindjeve, ndikojnë te bizneset dhe te ekonomia e një vendi. Popullsitë e plakura e kanë më të vështirë që të mbajnë sistemet e tyre të mirëqenies, duke përfshirë sigurimet shoqërore dhe pensionet publike, në një kohë kur numri i popullsisë që punon është në rënie. Me kalimin e kohës, kjo mund të rrisë nevojën për procese të tilla si automatizimi, në mënyrë që të zëvendësohen mungesat e punëtorëve.

Tendencat demografike prekin gjithashtu kompanitë dhe aksionet, megjithëse me një efekt që do të duket pas shumë dekadash në të ardhmen, thanë analistët e Jefferies.

“Ne presim të shohim një shtytje të vazhdueshme dhe domethënëse për të ulur koston e rritjes së fëmijëve në rang global dhe më konkretisht në Kinë”, thanë ata.

Kjo mund të përfshijë lehtësirat tatimore, ofrimin e parave cash dhe subvencione. /CNN/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit