2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Mulla Jashar Goga – “Mulla Jasha” (1894 -1974) – Hoxha që e sakrifikoi punën e tij për ta mbrojtur xhematin

Më të lexuarat

(Hoxha që e sakrifikoi punën e tij për ta mbrojtur xhematin)

Populli shqiptar i Kosovës gjatë periudhave të ndryshme, që nga fillimi i shekullit të kaluar, pati histori të hidhur, ngase u ballafaqua me lloj-lloj pushtuesish, nga më të ndryshimit, secili më i keq se tjetri. Ndër periudhat më të egra, më të vështira e më të dhunshme, ishte e njohur ajo e Rankoviçit. Ky i fundit ushtroi dhunë të papërshkrueshme ndaj shqiptarëve, e sidomos ndaj prijësve myslimanë. Këtë e vërtetojnë, përveç tjerash, peripecitë, vështirësitë që patën shqiptarët, si dhe dhuna që kishte përjetuar hoxha Mulla Jashar ef.Goga.

Jashar Rexhep Goga u lind në Pejë. I ati, Mulla Rexhepi, ishte imam i Carrabregut, dhe kishte një gjendje ekonomike të qëndrueshme. Kurse nëna e tij quhej Fatime. Rexhepi dhe Fatimeja sollën në jetë gjashtë fëmijë: mulla Jasharin, haxhi Hamdiun, mulla Vehbiun, hafëz mulla Saliun, si dhe dy vajza.(1)

Shkollimi

(Student i Medresesë së Madhe të Gjakovës)

Mulla Jashari mësimet e para i mori nga i ati, e më pastaj mori rrugën për në Medresenë e Madhe të Gjakovës, që në atë kohë drejtohej nga myderrizi i shquar hafëz Fahri ef.Iljazi.

Foto e vitit 1967

Mulla Jashari mësimet në medrese i mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Gjatë shkollimit në Gjakovë hoxha kaloi nëpër vështirësi të mëdha, sepse e tërë familja ishte e varur nga “haku i Hoxhës” (të ardhurat që merrte babai i tyre në atë kohë).

Familja

Mulla Jashari ishte i martuar me Jallduze Krasniqin nga Peja. Allahu ia fali katër djem dhe dy vajza. Djemtë ishin: Ramadani, Shefqeti, Muhameti dhe Avdullahu, ndërsa vajzat Zelihaja dhe Nurija.(2)

Puna si imam në fshatin Vrellë

U vendos imam në fshatin Vrellë, përafërsisht në vitin 1934. Në fillim kaloi mirë, deri në vitet e pesëdhjeta, ndërsa në ato vite, që njihen si koha e famëkeqit Rankoviç, kur kishin dalë kaçakët rreth bjeshkëve të Istogut gjërat filluan të ndryshojnë. Atëbotë kaçakët qenë ngjitur me fshatrat Vrellë, Studenicë, Kaliqan etj. Derisa një herë shqiptarët kaçakë zbrisnin në fshat për furnizim, dhe UDB-ja e kishte marrë lajmin nga ndonjë spiun dhe menjëherë kishte marrë vendimin për rrethimin e fshatit Vrellë, hoxha, mulla Jashari, për ta shpëtuar fshatin, merr vendim që t’i humbë gjurmët e pushkëve që kishin kaçakët. Hoxha vendos që pushkët të fshihen në minaren e xhamisë në Vrellë. Mirëpo edhe ky lajm i kishte shkuar UDB-së dhe xhandarmërisë së atëhershme, e kjo e fundit e fton hoxhën dhe i thonë t’i dorëzojë pushkët, dhe numrat e pushkëve t’ua diktojë. Mendohet se kanë qenë rreth 12 pushkë të gjata të asaj kohe. Ata i thonë hoxhës se e dinë se ai po e mbronte fshatin, dhe se kishin informata se pushkët i kishte fshehur në minare. Ata me çdo kusht i kërkonin që t’i dorëzonte ato pushkë, gjë të cilën në fund hoxha edhe e kishte bërë. Pasi që pushkët dorëzohen, për të mos u torturuar hoxha ndërhyn një përgjegjës; një kushëri i mulla Jasharit që në atë kohë banonte në Vrellë, ndërsa ishte nip i fshatit Dubovë, dhe kështu mulla Jashari shpëton nga torturimi dhe keqtrajtimi i xhandarmërisë së famëkeqit Rankoviç.
Pas kësaj mulla Jashari suspendohet nga puna e imamit, dhe lëshon fshatin Vrellë e kthehet në vendlindjen e tij, në Pejë. Që të punojë si imam xhamie tanimë e kishte të ndaluar nga UDB-ja, por vetëm gjatë muajit Ramazan kishte të drejtë të shërbejë si imam Ramazani. Kështu që, si imam i tillë ai kishte shërbyer në: Poqest, Carrabreg, Deçan, dhe në fshatrat përreth Lugut të Baranit.(3)
Mulla Jashari ishte i dashur dhe i shoqërueshëm. Ishte shok i ngushtë me Haxhi Beqir Resuloviçin-boshnjak dhe imam i Gjylfatynit, Haxhi Qamilin, Haxhi Rexhepin-imami i Teftedarit, Haxhi Muhamed ef.Gashin-imamin e Çarshi Xhamisë etj.
Mulla Jashari, edhe pse u largua me dhunë nga detyra e imamit, kurrë nuk e largoi uniformën dhe nuk iu largua përgjegjësisë së imamit. Pra, edhe pse i paangazhuar diku me detyrë, mulla Jasharin nuk e linin të qetë besimtarët, si nga qyteti ashtu edhe nga fshati, të cilët për shumë raste e ftonin si prijës.
Mulla Jashari në shtëpinë e tij kishte një aneks të ndarë, Odën e Burrave, e cila ishte e shtruar me qilima dhe ishte e rrethuar me mindera e jastëkë të mbushur me kashtë, ndërsa kishte edhe një sobë për ngrohje, si dhe raftin e librave. Hoxha posedonte këtë vend si më të përshtatshmin për pritjen e mysafirëve, (vendi ku kishte hoxha shtëpinë ishte – Loma – tani qendra zejtare afër çarshisë, aty ku gjendet Hamam Xhamia, tophanet dhe pjesa e vjetër e qytetit të Pejës). Shpesh ndodhte që në odën e mulla Jasharit, pas namazit të sabahut, të mblidheshin hoxhallarë për të biseduar e për t’u konsultuar mes vete për çështjet e fesë dhe për çdo çështje të nevojshme.(4)
Hoxha e jetoi jetën me dashuri për fenë dhe atdheun, andaj mund të themi se nga lart i erdhi shpërblim në ditën e vdekjes së tij. Në Ramazanin e vitit 1974 mulla Jashari niset të shkojë si imam Ramazani në fshatin Poqestë, pasi ishte ftuar nga banorët e atij fshati. Në ditën e parë të Ramazanit familjarët e përcjellin hoxhën me mall e përqafime se nuk do takohen deri në Bajram, por hoxha kthehet i sëmurë dhe nuk zgjat shumë dhe pas një kohe të shkurtër edhe ndërron jetë po atë ditë, para namazit të Teravive.(5) Hoxha ndahet nga xhemati dhe familja për të mos u harruar kurrë.
Ne e lusim Allahu xh.sh., Përgjegjësin e lutjeve tona, ta shpërblejë hoxhën tonë të dashur, ndërsa kujtojmë fjalët e Tij: ” … kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i madh te Zoti yt, dhe janë shpresa më e mirë”. (El Kehf, 46)

____________________
(1) Jashar Muhamet Goga: intervistë e zhvilluar në Pejë, në lokalin Pllaza, me datë 31.08.2015.
(2) Po aty.
(3) Në historikun e KBI të Istogut, dhe nga arkivi i familjes janë marrë të dhënat.
(4) Nga Jashar Muhamet Goga.
(5) Po aty.

/Vehbi Shatri/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit