Allahu na mundësoftë secilit ta arrijmë këtë muaj të bekuar dhe ta shfrytëzojmë për të fituar shpërblimet e Allahut dhe për t’iu afruar madhërisë së Tij!
Allahu na bëftë prej atyre që e agjërojnë dhe falin teravitë me besim në Te dhe duke shpresuar shpërblimin e madh të Tij!
Meqë jemi në prag të këtij muaji të bekuar dhe të gjithë imamët maksimalisht angazhohen për ta kaluar sa më mirë këtë muaj me xhematin e tyre, i kisha disa porosi dhe propozime me shpresë se do të jenë të dobishme dhe të frytshme për të ofruar ndryshime pozitive në aktivitetet tona gjatë ramazanit.
1- Dhurata e Ramazanit. Dhurata është një gjest me të cilin shtohet dashuria mes besimtarëve, i zbut zemrat e njerëzve, mënyrë e lehtë e thirrjes islame, andaj zgjidh gjëra të përshtatshme për ata xhematli që janë të rregullt në xhami dhe për ata që mungojnë. Kjo dhuratë mund të jetë ndonjë CD, fletushkë, libërth, misvak, hurme, balona për fëmijët, etj.
2- Vizita e atyre që nuk janë të rregullt në xhami dhe këshillimi i tyre.
3- Thirrja e hoxhallarëve të ndryshëm për vizitë në xhaminë tënde dhe për të mbajtur ligjërata nxitëse dhe motivuese për xhematin.
4- Mbaju ders të shkurtë në kohën më të përshtatshme për xhematin dhe xhaminë tënde.
5- Kujdesu që edhe gratë të keni hise në këto projekte të dobishme për to. Edhe ato le të marrin pjesë në ligjëratat islame, edhe atyre tu ndahen fletushka dhe libërtha ose materiale tjera.
6- Organizo iftare të përbashkët me xhematin e xhamisë.
7- Bën revistë të xhamisë, ku do të publikohen ajete, hadithe dhe urtësi që kanë të bëjnë me ramazanin.
8- Mos e kufizo aktivitetin tënd vetëm në xhami, por përhape edhe në dyqanet që janë përreth, kafeteritë, çajtoret, berberhanet, etj. Duke vendosur libërtha, fletushka, CD-ja, duke i vizituar, duke qëndruar dhe biseduar me të pranishmit aty, etj.
9- Mundohu të jesh i butë, i afërt, i buzëqeshur, sepse këto veti i afrojnë njerëzit dhe krijojnë mundësi për ndikim te njerëzit.
10- Insisto në hallkat e mësimit të leximit të Kuranit dhe leximit të Kuranit për të gjitha gjeneratat, për fëmijë, për të rritur, për pleq, për gra, etj.
11- Shfrytëzo mundësitë moderne teknologjike për informimin e xhematit dhe dërgimin e porosive dhe mësimeve, sikurse janë grupet e ndryshme të viberit, whatsapp, etj.
12- Boto porosi që ka të bëjë me ramazanin dhe agjërimin në mushama të mëdha me një dizajnë të bukur të cilën do ta vendosësh në murin e jashtëm të xhamisë.
13- Jepi rëndësi edhe arsimimit dhe edukimit të fëmijëve në këtë muaj të bekuar të ramazanit, duke ua mësuar disa lutje nga Kurani, disa lutje të përgjithshme, duke i nxitur në agjërim, sipas mundësive dhe lexim të Kuranit.
14- Jepi kuptim tjetër edhe festës së Bajramit duke mbledhur banorët e lagjes ose fshatit në oborrin e xhamisë dhe duke ia përhajr bajramin njëri tjetrit, duke ndarë ndonjë ëmbëlsi dhe duke i afruar zemrat e njerëzve mes vete.
15- Insisto të konsultohesh me disa xhemat të xhamisë tënde, rri me ta, angazhoi me detyra dhe bëri pjesëmarrës në obligime.
Për fund…
Xhamia është djepi i nisjes së angazhimit për këtë fe, kështu ka vepruar Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, kur erdhi në Medinë, andaj ta shfrytëzojmë këtë vend për të mësuar ata që nuk dinë, për tua tërheq vërejtjen atij që i shpërfillë mësimet e fesë, për të këshilluar atë që gabon dhe për të larguar vështirësitë prej njerëzve që kanë vështirësi.
Allahu të shpërbleftë, Allahu të dhuroftë grada të larta në Xhenet dhe të kënaqtë me triumfin e Islamit dhe myslimanëve! Amin!
Bekir Halimi