-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

KËSHILLË PËR RAMAZAN… nga shejh Bin Bazi

Më të lexuarat

“Unë i këshilloj vëllezërit e mi myslimanë në çdo vend, me rastin e hyrjes së muajit të bereqetshëm të Ramazanit, me devotshmëri ndaj Allahut të Madhërishëm, të garojnë për çdo të mirë, të këshillohen mes veti për të vërtetën dhe për durim në të, të ndihmohen mes veti për vepra të mira dhe ruajtjen nga të këqijat, të kenë kujdes nga të gjitha mëkatet që Allahu i ka ndaluar në çdo vend, e sidomos në këtë muaj fisnik, sepse ky është një muaj madhështor, në të cilin shumëfishohen veprat e mira, dhe atij që e agjëron dhe falë (namaz nate) me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet.
Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë:
“Kushdo që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e kaluara.”
“Kur të hyjë Ramazani hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit, dhe prangosen shejtanët.”
“Agjërimi është mburojë, prandaj, kur dikush nga ju të agjërojë, mos të flasë fjalë të ndyta dhe të mos i bëjë padrejtësi tjetrit. Nëse dikush e shan apo e lufton, le t’i thotë unë jam agjërues.”
“Çdo vepër e birit të Ademit është për të, e mira shpërblehet me dhjetë fish, përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe Unë shpërblejë për të. Agjëruesi e braktisë epshin, ushqimin dhe pijen e tij për Mua. Ai i ka dy gëzime: një kur të bëjë iftar dhe tjetra kur ta takojë Zotin e tij. Aroma (e pakëndshme) e gojës së agjëruesit është më e mirë te Allahu se aroma e myshkut.” (Hadith Kudsij).
Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) u merrte sihariq shokëve të tij me rastin e hyrjes së Ramazanit. Ai iu thoshte:
“Iu erdhi muaji Ramazan, muaji i bereqetit. Allahu në këtë muaj e zbret mëshirën, i fshinë mëkatet, iu përgjigjet lutjeve, dhe lavdërohet me ju para melaqeve. Prandaj, le të shoh Allahu tek ju vetëm hair (vepra të mira), sepse,
me të vërtetë fatkeq është ai i cili, në këtë muaj, e privon veten e tij nga mëshira e Allahut.”
“Ai i cili nuk i braktisë fjalët e të keqes dhe të vepruarit me të, si dhe padrejtësinë (zullumin ndaj tjerëve), atëherë Allahu nuk është i nevojshëm që ai ta lejë ushqimin dhe pijen e tij.”
Hadithet të cilat flasin për vlerën e agjërimit të Ramazanit dhe për nxitjen në shumëfishimin e veprave gjatë, janë të shumta.

Prandaj, i këshilloj vëllezërit e mi myslimanë që të qëndrojnë të palëkundur gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit, dhe të garojnë në të gjitha punët e mira. Prej tyre: të lexojnë sa më shumë Kuranin duke medituar dhe menduar (rreth domethënieve të tij), të shtojnë sa më shumë tesbih-un (SubhanAll-llah), tahmid-in (El hamdu lil-lah), tehlil-in (La ilahe il-lAll-llah), tekbir-in (All-llahu Ekber), istigfar-in (Estagfirull-llah), lutjen e Allahut për hyrjen në Xhenet, kërkimin e mbrojtjes nga Ai prej zjarrit të Xhehenemit, si dhe (të shtojnë) prej të gjitha lutjeve tjera të mira.
Gjithashtu, i këshillojë vëllezërit e mi që të japin sa më shumë sadaka (lëmoshë), të shtojnë kujdesin/ndihmën ndaj të varfërve dhe të mjerëve, të kujdesen për nxjerrjen e zekatit dhe dhënien e tij atyre që e meritojnë. Duke i kushtuar kujdes davetit (thirrjes) për te Allahu i Lartësuar, dhe ta mësojnë të paditurin. Të urdhërojnë për të mirën dhe të ndalojnë nga e keqja me butësi, urtësi dhe mënyrën më të mirë, dhe të kenë kujdes nga të gjitha të këqijat. Të mos i ndahen pendimit, dhe të përqendrohen në të vërtetën, duke i jetësuar kështu Fjalët e Allahut:
“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En Nur: 31).
“Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.” (El Ahkaf: 13, 14).
Të gjithëve Allahu u dhëntë suksese në atë çfarë Ai është i kënaqur, dhe i ruajt nga humbjet e sprovave dhe joshjet e shejtanit. Vërtetë Ai është Bujar dhe Fisnik.

P.S.
Këshilla është nga shejh Bin Bazi, Allahu e pastë mëshiru.
Mexhmu’ fetava, 3/147,148.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit