Pyetja:
A lejohet puna si koordinator në sektorin e duhanit?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij.
Dijetarët islamë kur flasin në lidhje me dispozitën sheriatike për pirjen e duhanit, i referohen raportit dhe vlerësimit të mjekësisë në lidhje me të. Ndërsa pjesa dërmuese e mjekëve, institucioneve dhe instituteve që merren me hulumtime shëndetësore vërtetojnë se pirja e duhanit e dëmton seriozisht shëndetin, madje ai është shkaktar i shumë sëmundjeve, prej tyre edhe vdekjeprurëse. Duke u nisur nga ky vlerësim i ekspertëve dhe instituteve shëndetësore, pjesa dërmuese e dijetarëve bashkëkohorë konsiderojnë se pirja e duhanit është e ndaluar fetarisht (haram), e sidomos kur i shtohen kësaj edhe dëmet ekonomike që ua shkakton duhanpirësve dhe familjeve të tyre. Duke u nisur nga ky vlerësim i dijetarëve islamë për duhanpirjen, rezulton se edhe mbjellja e duhanit, shitja e blerja e tij, përpunimi i tij si dhe puna në fabrika të përpunimit të tij është i ndaluar. Atëherë, personit që pyet, nëse nuk është i punësuar në këtë fabrikë, i ndalohet punësimi në këtë pozitë, e nëse është i punësuar më herët, atëherë ky duhet urgjentisht të gjejë një punë tjetër, dhe pasi ta gjejë punë tjetër të lejuar fetarisht, duhet ta lejë këtë punë menjëherë.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë dr. Rasim Haxha