12.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

“Siguria, komponent me rëndësi për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE”

Më të lexuarat

Ministri i Integrimit Evropian, njëherësh zv/kryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian në Kuvend, tha se institucionet kosovare po bëjnë përgatitje për anëtarësim drejtë Bashkimit Evropian (BE).

Duke folur rreth deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se Kosova do të aplikojë këtë vit për anëtarësim në BE, Bislimi tha se po sigurohen që performanca e Kosovës në ekonomi, menaxhim të pandemisë, sundim të ligjit dhe siguri të jetë mbi mesataren deri në qershor të këtij viti.

Kjo, sipas tij, për të treguar karshi partnerëve të BE-së se Kosova “është vendosur në një trajektore të re të zhvillimit në këto fusha”.

Pjesa e dytë e punës së institucioneve kosovare, ai tha se ka të bëjë me pengesat eventuale që burojnë nga veçoritë e Kosovës, siç është ajo e mosnjohjes së shtetësisë nga 5 vendet anëtare të BE-së.

Duke folur për situatën e re të krijuar në Evropë pas konfliktit në Ukrainë, Bislimi tha se komponenti i sigurisë është mjaft me rëndësi për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Konflikti në Ukrainë i ndryshon pak a shumë matematikat, mirëpo mendoj se ndryshimi i matematikave nuk do të ishte në disfavor të Kosovës për arsye se komponenti i rëndësishëm i sigurisë së rajonit është një argument shtesë në favor të përshpejtimit të procesit të integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejtë BE-së”, tha Bislimi.

Bislimi tha se janë duke punuar paralelisht me të gjitha mekanizmat e Qeverisë, që të punojnë me 27 vende anëtare të BE-së, në mënyrë që ta kenë partner secilin prej tyre kur ta dorëzojnë aplikimin e anëtarësimit për BE.

Zv/kryeministri kosovar gjithashtu duke ju përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Integrim Evropian, tha se asnjë progres i anëtarësimit të Kosovës në strukturat e BE-së nuk është kushtëzuar me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Sa i përket mbajtjes së procesit zgjedhor presidencial të Serbisë brenda territorit të Kosovës, të cilat janë caktuar të mbahen me 3 prill, Bislimi tha se Qeveria ka qenë e gatshme dhe mbetet që të asistojë Qeverinë e Serbisë në rast se ajo dëshiron që qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë të marrin pjesë në zgjedhje me praktikat më të mira të vendeve të BE-së.

Por, ai shtoi se deri më sot ka pasur jogatishmëri të Serbisë t’i ndjekë këto praktikat në fjalë dhe Qeveria e Serbisë ka hezituar që t’i drejtohet Kosovës me kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve të saj në territorin e Kosovës. (Anadolu Agency – AA)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit