Ka pasur raportime për bombardime në një qytet tjetër në Ukrainën perëndimore.
Mediat lokale raportojnë shpërthime në qytetin Ivano-Frankivsk, në jug-perëndim, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Siç është raportuar më herët, edhe Lutsk – në veri-perëndim – gjithashtu pa sulme me raketa këtë mëngjes.
Sipas BBC, qytetet në perëndim më parë nuk ishin shënjestruar nga Rusia.
Ndryshe, shumë civilë vazhdojnë të ikin në drejtim të perëndimit të Ukrainës, në vende si Lviv, në kërkim të një vendi më të sigurt.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Ivano-Frankivsk ka konfirmuar granatimet ruse të qytetit të tij në Ukrainën jugperëndimore.
Në një mesazh në Facebook, ai tha: “Armiku goditi Frankivsk”.
Ai u bëri thirrje njerëzve që të mos shpërndanin foto dhe video të shpërthimeve dhe dukej se sugjeronte se sistemi i alarmit të goditjes me raketa nuk funksionoi.
Dhe ai paralajmëroi banorët që të mos largohen nga shtëpitë e tyre.
“Qëndroni në shtëpi për sigurinë tuaj! Kur të kalojë rreziku – do t’ju njoftoj”. /Telegrafi/