3 C
Pristina
Thursday, December 5, 2024

Mirëbërja në tregti arrihet në gjashtë situata-Sipas Imam Gazaliut

Më të lexuarat

Kapitulli i katërt

 MIRËBËRJA NË TREGTI

Allahu Teala ka urdhëruar edhe drejtësi edhe mirëbërje.

Drejtësia është i vetmi shkaktar i shpëtimit, dhe për shpëtim është sikur kapitali për tregtinë. Kurse mirëbërja është shkaktar i suksesit dhe lumturisë së përjetshme, e kjo është sikur fitimi në tregti.

Nuk mund të konsiderohet i arsyeshëm ai që në tregti të dynjallëkut mjaftohet vetëm me kapitalin, pa bërë fitim. Edhe në punët e ahiretit, besimtari nuk duhet të kufizohet vetëm në drejtësi dhe largim nga padrejtësia, e të mbyllë dyert e mirëbërjes.

Allahu Teala urdhëron:

 “…Dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty…” 28-Kasas: 77,

 Me një ajet tjetër:

 “…Vërtet, mëshira e Allahut është afër bamirësve.” 7-Araf: 56

 Edhe me një ajet tjetër:

 “..Allahu urdhëron drejtësi, mirëbërje…” 16-Nahl: 90,

Me shprehjen ihsan (mirëbërje) mendojmë ne aktin që do t’i bëj dobi myshterisë, e që nuk është detyrim (vaxhib), por është shprehje e mirësisë nga ana e tregtarit. Detyrim (vaxhib) është të vepruarit me drejtësi dhe largimi nga padrejtësia, për çka tashmë folëm.

E mirebërja në tregti arrihet në gjashtë situata:

E para është largimi nga fitimi i tepruar.

Padyshim që malli shitet për fitim. Siç mund të caktohet kufiri më i lartë i fitimit, njëjtë mund të veprohet edhe me çmimin më të ulët. Nëse myshteriu ofron më shumë para se që është çmimi i zakonshëm për një mall, shkak është mosdituria, ose që i pëlqen malli, ose që për momentin i nevojitet shumë, e shitësi do të duhej të hezitojë që të marrë tepricën.

Një veprim i tillë është mirëbërje, por përderisa nuk ka mashtrim, marrja e asaj teprice nuk është padrejtësi.

Një pjesë e alimëve mendon se përdorimi i papërvojës dhe paditurisë së blerësit që sjell fitim më shumë se një e treta, gjithsesi me vete tërheqë të drejtën e blerësit për ta anuluar atë marrëveshje.

Sipas nesh, shitblerja është e drejtë dhe myshteriu nuk mund ta anulojë këtë marrëveshje. Por shitja me limit të ulët të fitimit, deri në përqindje të pranueshme e çmim të zakonshëm, është mirëbërje.

Junus b. Ubjed kishte disa xhybe me çmime të ndryshme. Një lloj ishte katërqind, e tjetri dyqind.

Junusi shkoi në xhami për namaz, e në dyqan e la vëllanë më të ri. Aty shkoi një beduin, kërkoi xhybe nga ato që kushtonin katërqind, por djaloshi ia tregoi një që ishte dyqind. Këtij i pëlqeu, dhe e bleu. U nis të largohej me xhyben në dorë, e rrugës u takua me Junusin. Ky e njohu mallin e vet, dhe e pyeti beduinin:

 – Sa e bleve?, e beduini iu përgjigj:

 – Katërqind.

 Junusi i tha:

 – Nuk kushton më shumë se dyqind, ktheja!

 Por beduini i përgjigj:

 – Tek ne kjo kushton pesëqind, unë jam i kënaqur.

 Junusi ishte i vendosur:

 – Hajde me mua, sinqeriteti në iman është më i rëndësishëm se gjithë dynjallëku, me krejt çka ka!

 Shkuan në dyqan dhe Junusi ia ktheu dyqind dërhemë. Më pas e goditi vëllanë e vet, duke e qortuar:

– Si nuk të vjen turp?! A nuk ke frikë nga Allahu?!

 Pranon fitimin mbi vlerë të mallit, e refuzon sinqeritetin ndaj myslimanëve!”

 Djaloshi i tha:

 – Vallahi, ai e morri sepse ishte i kënaqur, edhe me çmim edhe me mall!, e Junusi iu përgjigj: – Pse nuk u sille me të siç do të doje të silleshin me ty?

Të fshihet çmimi e të bëhet mashtrim, është padrejtësi, për çka tashmë folëm.

E në hadith, thuhet:

 “Të mashtrohet personi i paaftë (që marrëveshjen e lë në ndërgjegje të shitësit) është haram.”( Taberani, nga Ebu Umame, me sened daif, kurse Bejhekiu nga Xhabiri, me sened të mirë, por në vend të ‘haram’ thuhet ‘kamatë’.)

Zubejr b. Adijj pohon:

I takova tetëmbëdhjetë as’habë, e që asnjëri prej tyre nuk dinte të blinte as mish për një dërhem.” Prandaj të mashtrohet blerësi që mbështetet në ndërgjegjen e shitësit është zullum.

Ndërsa shitja me çmim më të lartë është largim nga mirëbërja. Fatkeqësisht, tregtarët që bëjnë pazarllëk pa hile e mashtrim, janë të rrallë.

Shembulli më i mirë i mirëbërjes është ky tregim: Serijus Sakati i bleu gjashtë ngarkesa bademë për gjashtëdhjetë dinarë, e në fletore i shënoi tre dinarë fitim, duke llogaritur gjysmë dinari fitim për çdo dhjetë dinarë.

Në ndërkohë, çmimi u ngrit e ajo sasi bademësh tash kushtonte nëntëdhjetë dinarë. Erdh një tregtar i devotshëm dhe pyeti për çmim, e ky i tha: – Gjashtëdhjetë e tri.

Tregtari i tha:

– Kjo sasi tani kushton nëntëdhjetë!

Sakati i tha:

– Le të jetë, unë kam vendosur, i shes vetëm për gjashtëdhjetë e tri

Tregtari i tha:

– Edhe unë iu kam betuar Allahut se nuk do të mashtroj vëllanë mysliman. E blej mallin prej teje vetëm për nëntëdhjetë!”

As tregtari nuk bleu, e as Sakati nuk shiti. Kjo është mirëbërje nga të dy anët, ku secili e njihte hakikatin.

Tregohet se Muhammed b. Munkedir kishte për shitje disa copa të pëlhurës me gjatësi të ndryshme.

Disa kushtonin pesë e disa gjashtë. Në mungesë të tij, djaloshi që punonte tek ai, e shiti një copë që kushtonte pesë, për dhjetë. Kur dëgjoi për këtë, Munkedir gjithë ditën e kërkoi blerësin beduin. E gjeti, dhe i tha:

– Djaloshi ka bërë gabim; atë që kushton pesë ta ka shitur për dhjetë. Beduini ia ktheu:

– Por unë jam i kënaqur me këtë!, e Munkedir i tha:

– Ti je i kënaqur, por ne nuk të dëshirojmë ty atë që nuk ia dëshirojmë vetes. Zgjedh njërën për ata dërhemët e tu: ose merr diçka që vlenë dhjetë, ose t’i kthejmë pesë, ose ta kthesh pëlhurën tonë e t’i marrësh paratë tua.

Beduini zgjodhi t’i kthehen pesë dërhemë, e Munkedir ia dha paratë.

Kur Munkedir u largua, beduini pyeti:

– Kush është ky person?, e kur i treguan që është Muhamemed b. Munkedir, beduini kërceu, e tha: – La ilahe ilallah! Ky është ai që, kur merr thatësirë, për nder të tij e lusim Allahun të na dhurojë shi!

Kjo quhet mirëbërje! Që në dhjetë dërhemë të mos dëshirohet fitim më i madh se gjysëm ose një dërhemi, varësisht traditave.

Kush kënaqet me pak fitim, i shtohet puna, puna e shton dobinë, e bashkë me mirëbërjen shkon edhe bereqeti.

Alia r.a. sillej nëpër pazarin e Kufe’s me kamxhik në dorë, dhe thoshte:

O tregtarë, merrni vetëm aq sa keni të drejtë, e do të shpëtoni. Mos mohoni fitimin e vogël, që i madhi t’ju refuzohet!”

E pyetën Abdurrahman b. Avfa-n, r.a.:

– Çka është sebepi i pasurisë tënde?”

Abdurrahman b. Avfa, r.a. tha:

– Tri gjëra: kurrë nuk refuzuzoj fitimin e vogël, as nuk e vonoj shitjen e kafshës që më kërkohet, as nuk shes veresie.

Thuhet se njëherë ai ka shitur njëmijë deve me çmimin e blerjes, por pastaj i shiti fretë, e për secilin fre fitoi nga një dirhem dhe ushqim për një ditë, e në këtë mënyrë ishte në fitim dymijë dërhemë.

Kjo është ustallëk në tregti!

E dyta është pranimi i çmimit më të lartë.

Shembull: kur blenë nga dikush me gjendje të dobët ose që është fukará, dhe me vetëdije pranon çmimin më të lartë, që t’i ndihmojë në përmirësimin (ekonomik) dhe t’ia lehtësojë shitjen – edhe kjo është mirëbërje në shitblerje.

Ky person renditet mes atyre për të cilët Resulallahu s.a.v.s., thotë:

 “Allahu Teala lëshon rahmet mbi robin që lehtë shet e lehtë blenë.”

E nëse blenë nga tregtari i pasur, i cili shet me çmim të lartë, atëherë nuk është mirë të pranojë atë çmim. Kjo është vetëm humbje e pasurisë, që as nuk ka dobi e as nuk është e lavdëruar.

Në një hadith që përcillet përmes Ehli-bejtit, thuhet:

“Ai që mashtrohet në blerje, as nuk lavdërohet e as nuk shpërblehet.”( Shënon Tirmidhiu, si dhe Hakimi në veprën ‘Nevadir’, nga Ubejdullah b. Hasan, ai nga babai i vet, e ai nga gjyshi. Shënon edhe Ebu Ja’la nga Husejn b. Ali r.a.)

Iljas b. Muavi b. Kure, kadiu i Basras dhe një nga mendimtarët më të shquar nga taibinët, thoshte: “Unë nuk jam mashtrues dinak, e as që mashtruesi dinak mund të më mashtrojë. Nuk mund të më mashtrojë as Ibn Sirin, por Hasan Basriu dhe babai im mashtrohen.

Veprim i përkryer është të mos mashtrosh dhe të mos lejosh të mashtrohesh.

Dikush kështu e përshkruante Omerin r.a.: “Ishte aq i ndershëm sa askënd nuk e mashtronte, dhe aq i mençur të mos lejojë që ta mashtrojnë.”

Hasani dhe Husejni, r.a., si edhe të zgjedhurit e tjerë nga gjeneratat e para, ishin shumë të kujdesshëm në blerje, bërin pazarllëk, e në përfundim dhuronin nga pasuria e tyre. Njërit prej tyre i thanë:

– Aq shumë bën pazarllëk për të ulur çmimin, e më pas jep më shumë, dhe aspak nuk brengosesh !, e ky ua ktheu:

– Të mashtrohesh është budallallëk, e dhurata është virtyt.

Njëri nga ta thotë:

 “Kur mashtrohem, llogaritet si budallallëku im, jo si dhuratë. E kur jap dhuratë – e bëj në emër të Allahut, e aty nuk mashtrohem.”

E treta është në të paguarit e çmimit dhe borxheve të tjera.

Mirësia në këtë nganjëherë është në falje dhe në zvogëlim të një pjese (të çmimit), nganjëherë në zgjatjen e afatit për pagesë, e nganjëherë në lehtësim kur kërkohet pagesa.

Të gjitha këto veprime janë të pëlqyeshme dhe në këtë inkurajohemi, ngase Resulallahu s.a.v.s., thotë:

Allahu Teala e mëshiroftë robin që lehtë shet e lehtë blenë, që lehtë paguan borxhin dhe lehtëson kur merr borxhin.”( Buhariu nga Xhabiri r.a.)

Njeriu duhet të përfitojë nga kjo dua e Resulallahut s.a.v.s..

E Resulallahu s.a.v.s., gjithashtu thotë: “Bëhu zemërgjerë, (që edhe ndaj teje të jenë zemërgjerë)”(Taberani, nga Ibn Abbasi r.a., me transmetues të besueshëm.) dhe thotë:

“Ai që i zgjatë afatin atij që është në situatë të vështirë, ose ia fal krejt borxhin, Allahu Teala ia lehtëson dhënien e llogarisë, e në transmetim tjetër:

“…Allahu Teala e vendos nën hijen e Arshit, në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër…”(Shënon Muslimi, në një version tjetër, nga Ebu’l Jusra Ka’b b.)

Resulallahu s.a.v.s. tregon:

“Personi që i ka bërë vetes zullum në dynja, në ditën e kijametit kur jep llogari, nuk i gjendet asnjë vepër e mirë dhe pyetet:

‘A ke bërë ndonjëherë ndonjë të mirë?’,

e ai përgjigjet:

‘Jo, pos që u jepja njerëzve hua, e punëtorëve u thosha – ndaj atij që nuk ka vështirësi me pagesë bëhuni zemërgjerë, e atij që ka vështirësi jepni afat më të gjatë’.

Në këtë, Allahu Teala thotë:

‘Unë kam obligim më të madh për këtë, kapërcejeni robin Tim’.”( Muslimi, nga Ebu Mesud el-Ensari r.a., Buhariu dhe Muslimi nga Hudhejfe r.a.në version të ngjashëm.)

Resulallahu s.a.v.s., gjithashtu thotë:

Kush i jep dikujt para borxh me afat, për çdo ditë i shkruhet sadaka, deri në afat. E nëse borxhliu nuk e kthen borxhin në afat, e ky borxhlisë i jep afat shtesë, për secilën ditë të pritjes i shkruhet sadaka në vlerë të atij borxhi.( Shënon Ibn Maxhe, nga Burejde r.a. Shënojnë edhe Ahmedi dhe Hakimi, që thotë se është sahih, me kushtet e Buhariut dhe Muslimit.)

Bile nga gjeneratat e para ka pasur edhe të tillë që, duke iu përshtatur këtij hadithi, për të përfituar sadaka për secilën ditë të pritjes, nuk dëshironin t’ju kthehet borxhi në afat.

Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:

E kam parë të shkruar në portë të xhenetit: ‘Sadakaja shpërblehet dhjetë, e huazimi tetëmbëdhjetë fish’( Ibn Maxhe, nga Enesi)

Thonë se kjo është kështu për shkak që sadakaja shkon në duar të atij që ka nevojë, por edhe të atij që nuk ka nevojë, kurse poshtërimin e kërkimit të huasë e duron vetëm ai që vërtetë ka nevojë.

Resulallahu s.a.v.s., i pa dy persona (Abdullah b.

Hadred dhe Kab b. Malik) duke debatuar për borxh dhe borxhdhënësit (Kab b. Malik) i tha:

– Falja gjysmën!, e borxhlisë (Abdullahut) i tha:

– Ngritu e paguja gjysmën.(Buhariu dhe Muslimi, nga Ka’b b. Malik r.a.)

Secilit që shet diçka, e më pas e shtyen pagesën dhe nuk bëhet i ashpër në kërkim të borxhit, ai veprim do t’i vlerësohet si huazim.

Tregohet se Hasan Basriu e shiti mushkën e vet për katërqind dërhemë.

Kur i kërkoi paratë e veta, myshteriu i tha: – Bëhu zemërgjerë, o Ebu Seid!

Hasani i tha:

– Po ta ulë çmimin për njëqind, e ky i tha: – Bëhu edhe mirëbërës, o Ebu Seid!, e Hasani i tha:

– Po ta fali edhe njëqindëshin tjetër, dhe i mori vetëm dyqind.

I thanë:

– O Ebu Seid, kjo është vetëm gjysma e çmimit, e ai u përgjigj:

– Kjo është mirëbërësi.

Në një transmetim, thuhet:

 Merre hakun – qoftë shuma tamam apo e mangët – merre, hallall e ligjshëm, dhe pa thënë fjalë të keqe, e Allahu do ta mundësojë që lehtë të japësh llogari për veprat tua.( Shënon Ibn Maxhe, nga Ebu Hurejre r.a., me hasen-sened. Ibn Hibban dhe Hakimi shënojnë hadith të ngjashëm, dhe thonë se është sahih nga Ibn Omeri r.a. dhe Ajsha r.anha )

E katërta është pagesa e plotë e borxhit.

Mirëbërje në këtë është që pagesa e borxhit të bëhet në mënyrën më të mirë.

Për shembull, borxhliu shkon te borxhdhënësi, dhe kështu e kursen atë nga parehatia që t’a kërkojë hakun e vet. Resulallahu s.a.v.s., thotë: “Më i miri mes jush është ai që në mënyrën më të mirë e paguan borxhin e vet.”( Buhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejre )

Borxhin duhet ta paguajë sapo të jetë në gjendje për këtë, qoftë edhe para afatit. Do të japë me më shumë mirësi se sa që kërkohet, e nëse nuk mund ta kthejë, e bën nijet që ta bëjë sapo t’i jepet mundësia.

Resulallahu s.a.v.s., thotë:

Kush merr borxh me nijet që ta kthejë, Allahu Teala i cakton melaqe që e ruajnë e luten për të, deri sa ta kthejë borxhin.”( Shënon Ahmedi, nga Ajsha r.anha, si edhe Taberani, në elEvsat.)

Disa myslimanë nga gjeneratat e para, (selef-i salihin) për shkak të këtij hadithi, kërkonin hua edhe pa pasur shumë nevojë.

Sado ashpër të sillet borxhdhënësi, borxhliu duhet butë ta pranojë dhe t’ia kthejë me të mirë, siç ka vepruar edhe Resulallahu s.a.v.s. kur, pas kalimit të afatit të borxhit nuk e kishte paguar, e i erdh borxhdhënësi (çifut) dhe iu drejtua ashpër. As’habët deshën t’i vërsulen, por Resulallahu s.a.v.s., u tha: “Lëreni! Borxhdhënësi ka të drejtë të flasë!” ( Buhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejre.)

Çfarëdo që të jetë biseda mes borxhlisë e borxhdhënësit, mirëbërja shihet në atë që ndërmjetësit të jenë shumë më të sjellshëm e të matur me borxhlinë; borxhdhënësi jep hua pasi që ka mjaft, por borxhliu kërkon sepse ka nevojë.

Njëjtë edhe myshteria përkrahet më shumë, sepse shitësi shet për fitim, ndërsa blerësi blenë sepse ka nevojë.

Kjo është sjellje më e mirë, por nëse borxhliu bën padrejtësi, atëherë i ndihmohet të mos hyj në këtë rrezik dhe duhet t’i tërhiqet vëmendja.

Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:

– Ndihmoje vëllanë tënd kur ai bën zullum dhe kur i bëhet zullum atij. Një as’hab e pyeti: – Si t’i ndihmoj zullumqarit?,

e Resulallahu s.a.v.s., tha:

– I ndihmoni duke e ndaluar atë nga zullumi.( Buhariu dhe Muslimi, nga Enesi r.a.)

 E pesta është anulimi i marrëveshjes për shitblerje.

Personi që kërkon anulim nuk duhet të refuzohet. Sepse anulimin do ta dëshirojë vetëm ai që është pishman (për blerjen), ose mendon që është mashtruar.

Nuk është e drejtë të bëhesh shkaktar për dëmtimin e tjetrit.

Resulallahu s.a.v.s., thotë:

Kush ia lejon anulimin e marrëveshjes atij që është bërë pishman, Allahu Teala, në Ditën e Gjykimit, do t’ia falë gabimet.”( Shënojnë Ebu Davud dhe Hakimi, nga Ebu Hurejre, I cili pohon se është sahih, me kushtet e Muslimit.)

E gjashta është dhënia veresie fukaráve me nijet që nga ta nuk do të kërkojë pagesë nëse ata nuk mund ta kthejnë borxhin.

Tregtarët e gjeneratave të para të Islamit (selef-i salihin) kishin dy fletore, e në njërën shënonin njerëzit e panjohur.

Për shembull, fukarája sheh ushqim ose pemë, e dëshiron shumë, por tregon që nuk ka para e shitësi shënon në fletoren e personave të panjohur duke i thënë: “Merri, e paguan kur të mundesh.” Por as këtë sjellje nuk e llogaritnin si veti të mirë.

Veti të mirë e llogaritnin rastin kur as nuk e shënonin në fletore emrin e atij fukaráje, e as që e konsideronin këtë si borxh, duke i thënë: “Merr çka do, nëse ndonjëherë të jepet mundësia, e paguan, e nëse nuk mundesh – hallall e ke!”

E tillë ka qenë mënyra e tregtisë së myslimanëve nga gjeneratat e para, por kjo mënyrë tashmë është shuar. Kush do të arrinte ta nisë përsëri këtë mënyrë, do të ishte ripërtëritës i atyre praktikave.

Thënë shkurt, tregtia është një lloj testi për njerëzit, me të cilin matet niveli i besnikërisë së tyre ndaj fesë, pra devotshmëria e tyre.

Në këtë çështje, poeti ka thënë:

Mos t’mashtrojë këmishë e arnuar, po as mantel me oja,as gjurma e namazit n’ballë, veç paratë tregoja.

A është i devijuar, a i devotshëm, fshehtësinë mësoja.

Njerëzit gjithashtu thonë:

“Nëse dikë e lavdërojnë komshitë e lagjes, shokët që kanë udhëtuar me të dhe tregtarët e çarshisë, mos dysho në mirësinë e tij.”

Para Omerit r.a., doli njëri që duhej të dëshmonte, e Omeri i tha:

– Sjell dikë që të njeh! Ky e solli një person, e Omeri r.a. e pyeti:

– A i je ti komshiu i parë, dhe e di se kur vjen në shtëpi e kur del nga shtëpia? Personi u përgjigj.

– Nuk jam, e Omeri r.a. e pyeti:

– A ke udhëtuar me të, e mund të flasësh për vlerat e tij morale? Personi tha:

– Jo, e Omeri r.a. prapë e pyeti:

– A mos ke punuar me të me dinarë e dërhemë sepse aty më së miri tregohet devotshmëria e dikujt?” Ky prapë u përgjigj me jo, e në këtë, Omeri r.a., tha:

– Mendoj se ti e ke parë këtë në xhami, se si para njerëzve lexon Kur’an, dhe nganjëherë e çon kokën poshtë e lartë.” Personi e pohoi, e Omeri r.a., i tha: – Shko, ti nuk di asgjë për këtë njeri. Pastaj u kthye kah ai që duhej të ishte dëshmitar, dhe prapë i tha:

-Shko, dhe sille dikë që të njeh!

Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliurrerr

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit