Zahidja ka qenë bija e Shaban Gecit nga Llausha e Drenicës. Lindi në vitin 1924 Ishte motër e vetme e katër vëllezërve: Ramadan, Sinan, Sokol dhe Osman Geci. Familja Geci e Llaushës ka qenë ndër familjet më të shquara të Drenicës, e njohur për besëmbajtje, trimëri dhe rezistencë kundër të gjithë pushtuesve. Shaban Geci ishte burrë bujar dhe trim. E tillë ishte edhe bija, Zahidja, e cila në moshën 17-vjeçare, u dha për për Shaban Murat Jasharin e Prekazit.
Nga kurora e harmonishme martesore e Zahides me Shaban Jasharin, atyre u lindin 14 bij e bija, nga të cilët u rritën dhe u trashëguan: Hava, Rifati, Zyla, Zoja, Hamza, Ademi, Qamilja dhe Halimja.
Zahidja ishte nënë e përkushtuar. Ajo krahas punëve në shtëpi e ndihmonte bashkëshortin në të gjitha punët edhe jashtë shtëpisë. E edukuar me vetitë më të shquara të femrës shqiptare, nënë Zahidja ishte bashkëshorte besnike, nënë e dashur dhe e përkushtuar për bijtë e rejat, për nipat e mbesat.
Së bashku me burrin, Shabanin, ajo kishte ngritur familjen shumanëtarëshe. Ajo ishte edhe krah pune për burrin, si i vetëm që ishte.
Shabani i kishte edukuar dhe i kishte frymëzuar fëmijët me besë e dashuri për atdheun. Iu kishte rrëfyer sa e sa ndodhi të trimërisë tradicionale të trimave dhe të trimëreshave të Drenicës. Edhe nënë “Zaha” dëgjonte dhe aprovonte mendimin e burrit. Nuk ishte nga ato nëna që i frikësojnë fëmijët. Si bijë e një familjeje me tradita burrërore, ajo pati fat të jetë edhe bashkëshorte e një burri trim dhe të mençur. Të tillë, të dashur, trima dhe të mençur u bënë edhe bijtë e bijat e saj.
Në rrethimin e parë të kullës, më 30 dhjetor të vitit 1991, nënë Zahidja u jep zemër bijve. Nuk duhej lejuar shkaun të shkelë në votër,- kishte ripërsëritur fjalët e burrit. Ishte krahas rejave për t’u dhënë zemër, në rastin e rrethimit të kullës dhe fillimit të luftimeve…
Në kohën kur bijtë, Hamza dhe Ademi, kishin filluar jetën ilegale, zemra e nënës nuk gjen dot qetësi, por nuk jepet. Djali tjetër, Rifati, kishte tretur në kurbet, në Gjermani. Frikën e arsyeshme, brengat dhe shqetësimet e nënës nuk i nxirrte jashtë. Ishte grua me kurorë e një burri trim dhe nënë e bijve trima, andaj nuk jepej. Zemra e nënës vlonte nga kujtimet për fatin e të gjithëve. Sa e sa nipa e mbesa i kishte falur zoti. Të gjithë të shëndoshë e të dashur. Nënë Zahidja, me kohë e kishte kuptuar se edhe vetë ishte pjesëtare e atyre fijeve të historisë më të re të kombit tonë, që kishte filluar të endej e të thurej në familjen Jashari të Prekazit.
Kur Hamza dhe Ademi kthenin në odë, përshëndeteshin e përqafoheshin me nënë “Zahen” dhe bisedonin shtruar me të. Shpeshherë bënin edhe shaka, duke e pyetur për burrin për rejat, nipat e mbesat. Ajo përgjigjej shkurt pa i nxjerrë jashtë zemrës brengat dhe shqetësimet.
Më 22 janar të vitit 1997, sapo kishte ngrënë syfyrin me bashkëshortin Shabanin, të birin Hamzën dhe rejat, breshëria e armëve të serbit kishte goditur kullën. Nënë Zahidja, edhe në moshën 74-vjeçare, nuk jepet. Kur burrat luftonin kundër policisë, ajo u jepte kurajo rejave, mbesave dhe nipave të vegjël. Nuk ishte nga ato nëna që nuk e bëjnë zap veten, në raste të tronditjeve të papritura. Ishte grua besimtare dhe e bindur se gjithçka do të bëhej ashtu sikurse e kishte shkruar “zoti i madh”.
Në orët vendimtare të historisë sonë më të re, që ndodhi në Prekaz të Drenicës, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, nënëmadhja Zahide Jashari, ndodhej në bodrumin e fortifikuar të kullës, vetë e trembëdhjeta, me rejat, mbesat dhe nipat. Edhe pse plakë dhe e kërrusur nga vitet e rënda të jetës, nënë Zahidja iu jepte kurajo të gjithëve, duke mbështetur besimin e saj te “zoti i gjithëfuqishëm”. Bashkëshorti, Shabani, së bashku me bijtë, po luftonte. Luftonin edhe nipat. Ishte futur në kullë për të qëndruar edhe vëllai i saj, Osmani.
Gjëmimi i predhave të raketave dhe topave të armikut, po e dridhte kullën. Ajo lutej dhe i falej “zotit”, por nuk ligështohej. Tri ditë ngujuar në bodrum me fëmijët dhe rejat. Ditën e tretë të rrethimit dhe të qëndresës heroike, predha e topit 220 milimetërsh, kishte goditur bodrumin e fortë të kullës së qëndresës. Nga shpërthimi i gjylës së topit më të rëndë të armatës okupatore serbe, në moshën 74-vjeçare martirizohet nënë Zahidja, së bashku me 12 anëtarë të tjerë të familjes së saj. Kishte shpëtuar për ta dëshmuar këtë histori tronditëse dhe krenare, vetëm Besarta Jashari, bija e Hamzës. Atë ditë, në altarin e lirisë, kishin rënë edhe Komandant Adem Jashari, Shaban Jashari, Hamëz Jashari, Osman Geci e të tjerë. (A. Q.)
/radiokosavelire/