3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Zgjoji aftësitë dhe ndërto të ardhmen tënde” – Historia e Dr. Zeki Osman

Më të lexuarat

Autor: Dr. Ibrahim el-Fekij

Pjesa 1

Në shkurtin e vitit 1953, në një fshat të quajtur Rezikat, në Egjipt, lindi një fëmijë jo i zakon të. Babai i tij ishte një njeri i thjeshtë, me formim fetar, dhe kishte gjithashtu edhe katër djem dhe tri vajza. Kur ky fëmijë u bë dy vjeç e gjysmë, atij i erdhi një temperaturë e fortë në trup, duke i shkaktuar paralizën e fëmijëve dhe humbjen e shikimit.

Problemi më i madh i familjes tani ishte kurimi i këtij fëmije. Që kur ky fëmijë u sëmur, familjarët e tij nuk pushuan së vajturi me të te mjekët, të cilët ishin të gjithë të një mendimi se nuk kishte shërim për të.

Familjarët e tij u preken shumë nga fjalët e mjekëve, por nuk e humbën shpresën.

Gjithsesi, prindërit e tij vendosën ta regjistronin në një institut, për të mësuar Kur’anin përmendësh. Më vonë, familja e tij u transferua në Kajro. Pasi u vendosën të jetonin atje, ata gjetën një mësues Kur’ani që t’u vinte në shtëpi për t’ia mësuar të gjithë Kur’anin dhe kuptimet e tij, djalit të tyre të sëmurë, Zekit.

Megjithatë, ky femijë vazhdoi të jetonte “i burgosur” në shtëpi deri në moshën 16 vjeçare, pa u regjistruar në asnjë shkollë apo institut. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai merrej me studimin e Kur’anit famëlartë, dhe me përsëritjen e tekstit të tij përmendësh. Ndërkohë, edhe radioja ishte “shoku i tij” i vazhdueshëm, dhe mjeti që e argëtonte gjatë gjithë kësaj periudhe po qëndronte i mbyllur në shtëpi. Nga radioja ai mësoi kulturën, politikën, ekonominë dhe edukimin.

Po për ëndrrat e tij çfarë mund të themi? A kishte ëndrra ai? Një person i çalë dhe i verbër, çfarë ëndrrash mund të ketë ai vallë?

Ai e ndiqte me shumë dëshirë në radio një radiodramatizim, me titull “Ditët”.

Dikush i kishte lexuar tregimin me titull “Rrënjët” të Taha Husejnit, dhe kjo ia kishte ndezur ëndrrën të bëhej edhe ai si doktor Taha Husejn, një letrar ky i cili ishte i verbër.

Nga ëndrrat e tij gjithashtu ishte edhe dëshira për t’u bërë ligjërues, imam dhe predikues; ëndërronte të bëhej një njeri i shquar. Ai arriti që nëpërmjet radios, ta mësonte gjuhën angleze në mënyrë të përkryer, dhe kjo i hapi mundësinë për të dëgjuar edhe programe të ndryshme në atë gjuhë.

Është diçka interesante të thuhet se kur ishte 5 vjeç, ai qëndronte në oborr të shtëpisë së tij dhe e lexonte Kur’anin me zë të lartë, dhe ligjëronte sikur të ishte duke ligjëruar përpara njerëzve. Këtë e bënte çdo ditë… vepronte sikur vërtetë si të ishte ligjërues, imam dhe predikues, dhe njerëzit mblidheshin rreth tij.

Ata që e dëgjonin, një pjesë e tyre mahniteshin nga zëri dhe fuqia e personalitetit të tij, ndërsa të tjerë besonin se i kishte ikur mendja, por gjithe lumturia e tij ishte në leximin e Kur’anit dhe në udhëzimin e njerëzve për në besimin te Zoti.

Kur arriti moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, ai nisi rrugëtimin e tij të studimeve, të cilat i filloi drejtpërdrejtë nga klasa e gjashtë, në institutin Othman Mahir. Atje ia njohën si të kryer arsimin fillor, për shkak se e dinte përmendësh të gjithë Kur’anin. Siç ndodh zakonisht, disa e kundërshtuan që ai të fillonte studimet, duke i sugjeruar familjes që ta regjistronin në ndonjë shkollë profesionale për prodhimin e qilimave, e ky të ishte profesioni dhe drejtimi i tij në jetë, ndërsa një tjetër mendim ishte që më mirë ai të qëndronte në shtëpi. Por, ai këmbënguli që t’i vazhdonte studimet, dhe babai i tij e mbështeti fort për këtë.

Ky djalë i ri pati një sukses të mahnitshëm në mësime. Pas shkollës nëntëvjeçare, u regjistrua në “Shkolla e Mesme të Kajros”, ku qëndroi për katër vite rresht. Rrugën për në shkollë ai e bënte ose i hipur në shpinën e dikujt, ose duke u zvarritur në tokë, dimër-verë. Në fakt, në dimër, kur ishte shi, vajtja në shkollë duke u zvarritur mes baltës dhe ujit ishte diçka shumë e vështirë.

Ky djalosh i ri me shpirt luftarak, nuk i harronte kurrë dy situata:

Situata e parë ishte kur njëherë në dimër, një burrë i panjohur e ngriti nga toka, dhe e mbarti mbi shpinën e tij, pavarësisht duarve të tij që ishin ndotur me baltën e rrugës duke u zvarritur, pastaj e vuri në autobus dhe i kërkoi shoferit që të kujdesej për të derisa ta çonte në destinacion. Ndërsa situata e dytë kishte qenë kur dilte një po ditë nga xhamia e Ez’herit, atëherë kur akoma ishte nxënës në shkollën e mesme, me shokët që i kishte rreth tij, dhe aty u shfaq një zonjë e cila i kërkoi ta lejonte ta ndihmonte. Pastaj ajo grua kishte marrë një taksi posaçërisht për të, dhe e kishte shoqëruar deri në shtëpinë e tij. Pastaj, ditën tjetër, ajo e kishte pritur sërish, e gatshme t’i kryente çdo shërbim që ai t’i kërkonte. Ajo i kërkoi që ai ta lejonte t’ia mësonte leximin sipas metodës Braill, ose ajo vetë të lexonte për të dhe ta ndihmonte, por ai largohej prej saj, sepse nuk donte t’i bëhej barrë askujt.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, e kishin lajmëruar se ai kishte ngelur në shkollë, dhe kjo kishte qenë një goditje e fortë për të, por megjithatë ai e kishte pritur me buzëqeshje këtë lajm… Por pas këtij lajmi, atij i kishte ardhur një surprizë… Ai i kishte kaluar me sukses provimet, por kishte ndodhur thjeshtë një keqkuptim.

Pas përfundimit me sukses të shkollës së mesme, ai kishte dashur të regjistrohej në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, por pasi e kishte menduar gjatë, ai kishte ndërruar mendim, dhe ishte regjistruar në Fakultetin e Bazave të Fesë.

Ky djalosh arriti të merrte dy diploma Bachelor nga Fakulteti i Bazave të Fesë, në vitin 1979, dhe Bachelorin e Interpretimit të Kur’anit Famëlartë, në vitin 1983.

Më pas, ai u caktua të punonte në Ministrinë e Vakëfeve, për një periudhë shtatë vjeçare, që nga viti 1980 e deri në vitin 1987, dhe nuk u mjaftua me kaq… Në vitin 1986 ai i kreu studimet Master dhe tema që ai kishte punuar ishte: “Metoda e Islamit në Zhvillimin Ekonomik.”

Më pas, ai u emërua profesor asistent në Fakultetin e Predikimit Islam; pastaj u regjistrua për studimet e doktoraturës, studime të cilat i përfundoi me sukses, dhe në vitin 1985 ai mori gradën “Doktor”, dhe punimi i tij ishte me temën “Predikimi Islam në shekullin e gjashtë të Hixhretit”, punim i cili mori vlerësimin “Shkëlqyeshëm”, me gradë nderi të nivelit të parë.

Gjithashtu, ai u bë folës në radio, dhe u ngrit gradualisht në detyrë, derisa arriti në postin e Shefit të Departamentit të Kulturës Islame, në Fakultet. Ai shkroi njëzet e katër libra në fushat e Predikimit, të Komentimit të Kuranit, të Kul turës dhe të Sociologjisë.

Ai mbikëqyri më shumë se shtatëmbëdhjetë teza Doktorature, nga të cilat përmendim:

  • Metoda e Islamit në realizimin e sigurisë
  • Shkaqet e terrorizmit dhe format e kurimit të tij
  • Faktorët e shpërbërjes së familjes
  • Revista “El Bejan” dhe roli i saj në përhapjen e kulturës Islame
  • Personat me aftësi ndryshe dhe qëndrimi i Islamit ndaj tyre

Kjo pra është historia e dijetarit të madh, Dr. Zaki Othman… Ai njeri që nuk shikonte dhe që ishte paraplegjik… por, i cili e mësoi Kuranin e përmendësh ndërsa ishte “i burgosur” në shtë pinë e tij për shkak të problemeve shëndetësore që kishte, dhe i cili mori dy Bacherore, një master dhe një doktoraturë.

FUNDI I PJESËS SË PARË

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit