12.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Të shesësh iluzionin

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Të shesësh iluzionin

Leximi i horoskopit është injoranca vetë.
Që nga koha e faraonëve, babilonasve, asirianëve, keldanëve në Irak, indianëve, kinezëve të lashtë dhe persëve, injoranca e udhëheq njeriun drejt hulumtimit dhe parashikimit të sekreteve të së ardhmes.
Populli i Maja-s me origjinë indiane dhe që ka jetuar në Amerikën qendrore, merreshin me përllogaritjet rreth trupave qiellore dhe yjeve, gjë të cilën e lidhnin me jetën e njeriut në tokë.
Ai ishte një popull i përparuar dhe i zhvilluar në shkencën e matematikës, por çështja e leximit të së ardhmes ka mbetur një përrallë me bisht.
Njeriu është zhvilluar dhe ka përparuar, e megjithatë, çështja e gajbit, ajo që nuk e sheh dhe  prek dot, e ardhmja, është një çështje që e privon nga gjumi. Ai orvatet me çdo mënyrë që ta zbulojë, të kuptojë se çfarë do të ndodhë në nivel vetjak dhe kolektiv.
Një grua analfabete dhe e paditur në fshatin tonë, gjithmonë pyeste për martesën, shtëpinë ku do të banonte, burrin i cili do të hynte në jetën e saj etj… Injoranca e bënte ti hipë gomarit, njërit nga kafshët më idiote, e ti thotë:”O mendjendritur! Ku është vendi ynë?” Andej nga të shkonte veshgjati, besonte se në atë drejtim do të martohej në të ardhmen.
Intelektualët e sotëm, sidomos në botën perëndimore, frekuentojnë në masë fallxhoret dhe këshillohen me to.
Sportisti, para se të hyjë në garë, pyet magjistaren e tij.
Artisti pyet rreth të ardhmes së tij, punës dhe projekteve që ka në dorë.
Sigurisht, edhe politikani!
Presidenti amerikan Regan, bashkë me të shoqen, frekuentonin një fallxhore, e cila u ishte shndërruar në një bodigard personal, sidomos pas tentativës për atentat. Ai nuk bënte asgjë para se të konsultohej dhe të merrte mendimin e saj.
Xhak Shiraku i Francës dhe shumë të tjerë, kanë rënë viktima të iluzionit, ata paguajnë shuma të majme për një seancë “këshillimi”.
Vetëm në Egjipt, janë mbi treqind mijë fallxhorë delenxhinj, kurse në mbarë botën arabe shifrat janë shumë herë më të larta. Për çdo vit, shpenzohen mbi pesë miliardë dollarë, të cilat u jepen fallxhorëve dhe magjistarëve.
Leximi i pëllëmbës, filxhanit dhe shkrimit.
Kur është ditëlindja jote saktësisht? Muaji, dita, ora dhe minuta, e ndihmojnë që nëpërmjet internetit të bëjë lidhjen me yjet dhe kohën. Pastaj, të ofron disa informacione plot iluzione, të përziera me një lugë intuitë, zgjuarsi dhe përvojë me kushedi sa të tjerë më parë.
Ndoshta, fallxhori apo fallxhorja, kanë pasur ndonjë dhunti dhe talent të rrallë, të cilin e kanë shfrytëzuar në rrugë të ligë, në gjëra që zemërojnë Zotin. Ata mund të kërkojnë ndihmë edhe nga shejtanët, siç ceket dhe në një hadith të saktë, ku Profeti a.s thotë:”Kur Zoti vendos për një çështje në qiell, melekët i tundin krahët e tyre si shprehje e nënshtrimit dhe përuljes së tyre të plotë. Atë që është vendosur, e dëgjojnë shejtanët përvjedhurazi. Ata qëndrojnë mbi njëri-tjetrin dhe dëgjojnë lajmet dhe të rejat e qiellit, pastaj më i larti, e transmeton njëri pas tjetrit, derisa të mbërrijë tek magjistari dhe fallxhori. Ndonjëherë, flakët goditëse i qëllojnë para se lajmi tu kalojë të tjerëve, por mund ti përcjellë edhe para se të digjet. Shejtani i fundit, lajmit nga qielli i shton dhe njëqind gënjeshtra. Kështu, thuhet: A nuk na pati thënë filan ditë kështu e ashtu? Kështu, ai besohet falë asaj fjale të përcjellë nga qielli.” (Buhari)
Teksa shëtit vendet myslimane dhe ato arabe, nga Turqia, Irani, Libani, vendet e Shamit dhe Iraku, sheh gra të varfra dhe të pashkolluara, të cilat ofrojnë shërbimin e parashikimit të fatit. E ç’është më e çuditshme, në radhë para tyre sytë të zënë njerëz të arsimuar, intelektualë, profesorë universitetesh, pasanikë etj…
Një herë, e pyeta një nga këta intelektualët:”Përse pret të të parashikojë të ardhmen një njeri si këta, ndërkohë që ato vetë janë në pikë të hallit. “Nëse do e dija të ardhmen, do i shtoja veprat e mira dhe nuk do të më prekte asgjë e keqe” (Araf, 188) Kështu, nëse ato vetë do e dinin të ardhmen, do e merrnin jetën e tyre në dorë dhe do të kishin sukses në jetë, duke shmangur çdo gabim dhe disfatë!
Ai mu përgjigj:”Është thjesht një përvojë dhe kureshtje, asgjë më shumë!”
Edhe pse fallxhorët mund të jenë të sinqertë në një gjë të vetme, profeti Muhamed a.s e ka mbyllur portën e fallit. Në një hadith, ai thotë:”Kush shkon tek një fallxhor dhe e pyet për diçka, nuk i pranohet namazi për dyzet netë.” (Muslim)
Sheriati që e fton arsyen dhe logjikën njerëzore në meditim dhe hulumtim, e ndalon përfshirjen e supersticionit në çështjet e gajbit (të fshehtës) dhe të ardhmes. Kjo, edhe pse mund të ekzistojë një mundësi, sado e vogël, për të qenë e vërtetë. Nga ana tjetër, sheriati ofron alternativën e këshillimit, faljes së namazit të istihares,studimit, pleqërimit dhe hulumtimit.
Astrologu është një mashtrues i madh, i cili ia ka marrë dorën zanatit të tij, mbledh informacione të shumta rreth viktimave që i shkojnë dhe eksploron fytyrat e tyre. Përgjithësisht, viktimat e tyre janë presidentë, mbretër, ministra, pasanikë dhe lojtarë me famë.
Një motër më tha dikur:”Të lutem… shko tek filani, tek ai do të gjesh edhe vaksinën ndaj gripit të pulave dhe të derrit…”
Familjarët e profetit Muhamed a.s gëzojnë një status të veçantë mes myslimanëve, megjithatë nuk gëzojnë privilegjin e parashikimit të së ardhmes dhe leximit të botës së fshehtë (gajb).
Islami nuk është një çiflik dhe pronë që mund ti jepet dikujt. Maksimalisht, njeriu mund të gradohet me të kuptuar më të thellë se të tjerët të çështjeve të islamit. Zoti e pati graduar Aliun me një gradë të tillë të kuptuari, ashtu siç pati graduar Ebu Bekrin, Omerin, Muadhin, Ibnu Abasin etj…
Arsyeja islame, duhet të jetë arsye e shkencës dhe informacionit, larg besëtytnive, iluzionit dhe legjendave, ajo orientohet nga eksplorimi i ligjeve të universit.
Kurani është shumë i qartë në çështjen e gajbit, ku thotë:”Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikqyrës (engjëj)” (Xhin 26-27)
Në këtë verset, Zoti na tregon se askush nuk e di gajbin, të fshehtën, përvç nëse bëhet fjalë për ndonjë profet. Por, edhe në rastin e profetëve, ata nuk dinë të gjithë gajbin, por vetëm disa gjëra të kufizuara. Gajbi që dinë profetët, është shpallja hyjnore që u jepet për t’ua përcjellë njerëzimit.
Nuk do të arrijmë të zhvillohemi dhe të ndërtojmë civilizim, nëse nuk i hyjmë rrugës së dijes dhe shkencës, nëse nuk ndjekim udhën e arsyes dhe metodës shkencore të saktë, nëse nuk çlirohemi nga iluzionet dhe sidomos ato që fshihen pas emrit të fesë.
Flluskat mediatike, filmat dhe dokumentarët që folën pa pushim për fundin e botës në 2012-tën, vetë fundi i botës që rikthehet herë pas here në vëmendjen e publikut, e zhysin këtë të fundit në labirinte frike dhe paniku dhe i zhvasin paranë në mënyrë të vazhdueshme. Kur njerëzit e zbulojnë të vërtetën, kushedi sa kanë humbur tashmë. Vallë sa para hidhen për një material që zgjon interes dhe orvatet të eksplorojë të mistershmen, të padukshmen dhe gajbin?
Kur agjencia Nasa, hodhi poshtë pretendimet që i adresoheshin se gjoja një uragan do të godiste tokën dhe se do e kthente në kohën e mesjetës, shumë njerëz hodhën dyshime tek media dhe e besuan mashtrimin. Ndoshta sepse mashtrimi ishte i pari që qarkulloi dhe shumë njerëz e besuan dhe thanë se është ndërhyrja e politikës, e cila nuk dëshiron që të përhapet lajmi i uraganit shkatërrues.
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit