15.8 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

Shpresa!

Më të lexuarat

Nga: Nexhib Zamil

Shpresa!

“Mos e humbisni shpresën tek Zoti, pasi shpresën tek Zoti e humbasin vetëm jobesimtarët” (Jusuf)
Problemet dhe vështirësitë na rrethojnë nga të katër anët, majtas, djathtas, lart e poshtë, probleme të gjitha llojeve, rreziqe dhe kërcënime me jetë. Po, probleme sociale, administrative, ekonomike, individuale dhe kolektive, mungesë shërbimesh mjekësore, dobësim i sistemit arsimor, disfata në fusha jetësore, luftërat na kanosen orë e çast, mungesë uji, keq menaxhim të pasurive publike…
Problemi qëndron në atë se ne mendojmë më shumë rreth letrave dhe teksteve të shkruara në to, sesa rreth atyre për të cilët janë shkruar ato tekste.
Të gozhduar pas shpresës!
Ibnu Rumij, ka qenë poet i madh, por për fat të keq, pesimist në kulm. Pasi vdiq, të shumtë ishin ata që besonin se tersllëku dhe mallkimi i tij, përcillet brez pas brezi. Historitë që tregohen në këtë kontekst janë të shumta. Kushdo që i qaset ndonjë poezie të tij dhe i ndodh një fatkeqësi, i atribuohet mallkimit dhe tersllëkut të Ibnu Rumij. I pari që kopjoi divanin e Ibnu Rumij, u ekzekutua me prerje koke. Kjo shërbeu si shkëndijë për ndezjen e tersllëkut që shkaktonte ai, gjë e cila ka mbërritur gjer në ditët tona. Shkrimtari dhe humoristi Abdul Kadir Mazinij, kur iu qas një poezie të Ibnu Rumij, theu këmbën, gjë e cila u interpretua si mallkimi i Ibnu Rumij.
I madhi Abas Mahmud Akkad hyri në burg me akuzën e ofendimit të lartmadhërisë së tij, mbretit të Egjiptit dhe kjo, pasi kishte shkruar një libër rreth Ibnu Rumij. Asokohe, u tha se e ndoqi mallkimi dhe tersllëku i Ibnu Rumij. Kur Kamil Kejlanij solli për publikun disa poezi të zgjedhura nga Ibnu Rumij, i vdiq djali dhe u tha se e kapi tersllëku i Ibnu Rumij.
Në fakt, ata harrojnë se Mazinij e theu këmbën për shkak të neglizhencës, ai çalonte dhe nuk i kushtoi vëmendje. I madhi Akkad, nëse nuk do e kishte fyer aq rëndë mbretin, nuk do të ishte burgosur. I biri i Kilanij, vuante nga një sëmundje e rëndë dhe vdekjen ia kishte caktuar Zoti në atë kohë, edhe sikur të mos kishte shkruar për Ibnu Rumin.
Pothuaj i njëjti mit është përhapur në perëndim për faraonin Tutan Kamun dhe kjo për shkak të një seri vdekjesh të atyre që zbuluan varrin e mbretit të vogël faraon. Sigurisht që ishte caktuar që ata të gjithë të vdisnin në atë kohë dhe kjo s’ka lidhje me Tutan Kamunin.
Mësimet islame bazohen në logjikën e shëndoshë dhe ato na çojnë në një realitet, sipas të cilit: Kur njeriu vdes, i ndërpriten punët e mira. Ai tashmë nuk ka shpirt, nuk ka as fuqinë dhe mundësinë të ekzistojë, e jo më të ketë fuqi të ndikojë në jetën e njerëzve të gjallë.
Jeta shndërrohet në një sokak shumë të ngushtë dhe përjetohet një vetmi shumë e thellë, në mungesën e shpresës. Në mitologjinë greke, perënditë e paralajmëruan gjëmën nëse humbiste kutia e kyçur e pandorës. Por, kureshtja e atyre që gjendeshin përreth saj, i shtyu ta hapin. Me tu hapur, të gjithë të ligat e botës shpërthyen dhe dolën jashtë. Gjëja e vetme që mbeti brenda kutisë, i qetësoi të gjithë në atë valë paniku dhe tmerri. Ajo ishte shpresa.
Të kapesh pas shpresës, ndonjëherë është e barabartë me një jetë të dytë dhe humbja e shpresës është e barabartë me humbjen e jetës. As besimi tek Zoti nuk është i plotë veçse i shoqëruar me shpresën. Njerëzit në mbarë tokën, frekuentojnë xhamitë, kishat dhe tempujt, me shpresë që ti përfshijë rahmeti i Zotit, me shpresë se do të fitojnë shpërblimin e jetës së amshuar, me shpresë se do tu përmirësohet jetesa në këtë botë dhe do u lehtësohen vështirësitë. Shpresa nuk zhgënjen askënd, ashtu siç nuk zhgënjen askënd besimi. Në vetvete, shpresa është një ndjesi qetësie dhe optimizmi.
Perëndimorët, e quajnë Niçen, të dëshpëruar dhe të zymtë, për shkak të pesimizmit të frikshëm që e karakterizonte. Njërin nga librat e tij, ai e ka titulluar:”Njerëzor, i gjithi njerëzor” dhe në këtë libër, ai thotë:”Në të vërtetë, shpresa është vetë djalli dhe e keqja më e madhe, sepse ajo thjesht shton vuajtjen e njeriut.”
Niçja kaloi një jetë të mbushur me sëmundje, kriza mendore, përvoja dashurie të dështuara, zvarritje përtokë për të puthur këmbët e një vajze… Ai vdiq i dëshpëruar dhe i zhytur në mjerim. Ishte armiku më i madh i shpresës, gjë e cila e fuqizoi dhe i fali triumfin vetë shpresës.
Është e pamundur të parashikohet e ardhmja, por shpresa na shtyn të punojmë për ta përmbushur. Është e vështirë të përballohet aktualiteti pasiv dhe negativ, por shpresa na ndihmon ta ndryshojmë atë.
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit