-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Si ti jam dhe unë..

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Si ti jam dhe unë..

Në Horasan, jetonte një burrë me ngjyrë të zezë, njeri i devotshëm dhe me dije të gjera. Më parë, kishte qenë skllav, por që kishte fituar lirinë. Gëzonte simpatinë e të gjithëve. Një ditë, del nga shtëpia drejt xhamisë. Rrugës e ndalonin njerëzit për ta përshëndetur dhe respektuar. E ndaloi dhe një burrë nga një derë e fisme, por që ishte i dehur në ato çaste. Njerëzit u orvatën ta largojnë nga njeriu i mirë, por ai u kap pas rrobave të diturit duke mos dashur të ndahej prej tij.
I dituri, kur e pa dëshirën e tij për ti folur, u tha njerëzve që ta lënë. Sojliu i dehur, i foli të diturit dhe i tha:”O zezak nga koka tek këmbët, o qafir bir qafiri! Unë pinjolli i të dërguarit të Zotit poshtërohem, kurse zotrote nderohesh, unë fyhem e ti respektohesh, unë ofendohem e ti vlerësohesh!”
Njerëzit u bënë gati ta rrahin vendçe, por njeriu i ditur u tha:”Jo, mos e prekni! Do e durojmë për hatër të gjyshit të tij, hazreti Aliut, Zoti qoftë i kënaqur me të!” Mandej, iu drejtua sojliut të dehur dhe i tha:”O njeri që vjen nga ajo derë e mirë! Unë zbardha zemrën time, kurse ti e katranose atë. Njerëzit, e harruan ngjyrën e zezë të trupit tim sepse ua mori sytë bardhësia e zemrës. Unë ndoqa jetëshkrimin e babait tënd, kurse ti paske vajtur pas jetëshkrimit të babait tim. Njerëzit konstatojnë tek unë imazhin e dëlirë të babait tënd, kurse tek ti konstatojnë imazhin e babait tim qafir! Kështu, më kanë marrë si birin e babait tënd, kurse ty si birin e babait tim. Ata të trajtojnë siç do të trajtonin tim et dhe më trajtojnë siç do të trajtonin tët et.”
Të gjithë ne jemi të Ademit dhe Ademi është krijuar nga balta! Ky është ligji i fillimit, sakaq fundi:”të gjithë ju, Ditën e Kiametit do paraqiteni tek Ai një nga një” (Merjem, 95)
Mes këtyre dy caqeve, mund të eksplorosh imazhin tënd, të veshësh kostumin, të parfumohesh, të thërrasësh shërbëtorin tënd emigrant nga fundi i botës që të të sjellë agjendën e takimeve sipas rëndësisë.
Këtë njeri të shkretë dhe papërkrahje, mund ta shohësh edhe vëngër, kur konstaton se këpucët e tua nuk e kanë shkëlqimin e duhur.
Del në rrugë me makinën tënde, përshëndet personat që i afrohen sërës tënde, kalon dy rrugë dhe tek e treta, edhe pse nuk e ke ti prioritetin, ti shtyp gazin dhe kalon. Jo për gjë, por sepse ai që kishte prioritet të kalojë, nuk i përket sërës tënde, ai nuk është as ngjyra jote.
Befasisht të vjen një zile në  celular.
Ufff ç’më çmendën dhe këta!
Teksa pret në semafor, dikush të afrohet tek xhami dhe të pyet për diçka. Ti ul xhamin e makinës, ndërkohë që në mendje të vijnë lloj-lloj mendimesh. “Po ky rrotë, çfarë kërkon prej meje?! Apo nuk qenka dhe emigrant i huaj!”
Ky kalimtar është emigrant i huaj, e megjithatë është njeri, mund të prevalojë ndaj teje në shumë gjëra.
Ky tjetri, mund të prevalojë me humanizmin e tij, intuitën, zgjuarsinë, devotshmërinë… Është caktimi i Zotit ai që e ka sjellë nga fundi i botës në kërkim të kotheres së bukës.
Teksa kthehesh drejt shtëpisë tënde, provo ta shkelësh tokën, po, shkele një herë veten tënde, apo një pjesë të saj…
Lehtësoje paksa shkeljen, sepse toka mbi të cilën hedh hapat, është origjina e trupit tënd. Një varr, kushedi sa herë është bërë varr, duke gllabëruar kushedi sa trupa njerëzish, sado të kundërt dhe të ndryshëm të kenë qenë.
Provo ta shkelësh me këmbë origjinën e këtij shtati të krekosur dhe të kësaj hunde të ngritur përpjetë..
Provo të kërkosh një vend tjetër përveç dheut, me qëllim që mbeturinat të mos i hedhësh mbi veten tënde..
Provo të nuhatësh dheun! Ndoshta të pështiroset një pjesë e jotja dhe origjina nga je krijuar..
Provoje! Mund të shkelësh me këmbë dheun e origjinës të parëve të tu!
Provoje! Mund të shkelësh një fis rëre që mbart emrin e fisit tënd, një pirg dheu që mban emrin e vatanit tënd…
Provo të ecësh këmbëzbathur! E nëse të ngatërrohen këmbët me origjinën tënde, kujtoji ata që i ke ironizuar për shkak të një handikapi në të ecur, apo në pamje..
Provo ta shkelësh me forcë baltën! E nëse dëgjon ndonjë zë, sillu butësisht me të sepse mund të kesh shkelur mbi një pjesë të gjuhës tënde të pakontrollueshme kur bëhet fjalë për të tjerët..
Provo të shohësh një vend të sigurt për të vënë këmbët e tua, një vend pa gjemba. E nëse e shkel dhe dëgjon rënkimin e dheut, mund të kesh shkelur zemrën e një femre
E nëse të lodh të ecurit, provo ti përulesh në sexhde Zotit. Dheu që të ngjitet në ballë, është nga origjina e atij njeriu që shpërfille dhe injorove..
Gjatë ritualit të Haxhit, ku që të gjithë janë të barabartë në veshje dhe pamje, çdo formë nëpërmjet të cilës mund të tregohet madhështia, është inekzistente. Afrohem dhe përshëndes kalimthi një grup haxhilerësh. Por me të qëndruar pak dhe me tu prezantuar me ta, zbuloj se njëri është ministër, tjetri drejtor… Vë buzën në gaz dhe u them:”U kërkoj falje se nuk u njoha!”
Nuk e kuptova se sapo isha përfshirë në një racizëm të një lloji tjetër, se disa ndjesa që kërkohen, janë racizëm gjithashtu.
Këtu në Mekë, jetonte Ebu Bekri, Bilali, Selmani, Suhejbi, Amari… një komunitet në mesin e të cilit ishin shuar dallimet, përveç atij të devotshmërisë. “Ebu Bekri është zotëria jonë dhe i ka falur lirinë zotërisë tonë (Bilalit)”
Ëndrra e Gandit ishte që barqet e boshatisura të indianëve ezmerë të mbusheshin me ushqim.
Mandela ëndërronte që kordat zanore të zezakëve të Afrikës Jugore të buçasin duke kënduar himnin e atdheut dhe tokës së tyre.
Martin Luter King kishte ëndrrën e tij afatgjatë që katër bijtë e tij të mos trajtoheshin bazuar në ngjyrën e trupit.
Le të kemi si ëndërr që nuri i njeriut të burojë nga brendësia e tij, jo nga aparenca dhe që ngjyrat e shumta të formojnë një tablo të bukur.
Si ti jam dhe unë… Kam nostalgji për të njëjtën tokë mbi të cilën kam rendur vitet e fëmijërisë dhe që e kam puthur në rini.
Si ti jam dhe unë… Plot ambicie dhe ëndrra, më josh ideja e përjetësisë pas vdekjes time.
Si ti jam dhe unë… Më lëndojnë fjalët gjykuese për një vatan që nuk e njoh, për një vend të cilit nuk i përkas, duke më privuar nga vendlindja dhe dialekti me të cilin nuk ndërroj asnjë tjetër.
Si ti jam dhe unë.. i shqetësuar për të vegjlit e mi që kam lënë në atdhe, në kërkim të një kafshate buke.
Si ti jam dhe unë… kur kthehem në shtëpinë time bëhem personi numër një, ndërkohë që në shtëpinë tënde isha i fundit fare.
Si ti jam dhe unë.. edhe pse pema ime është në fund të  botës, degët e saj më bëjnë hije kudo që të ndodhem.
Si ti jam unë… edhe pse më i varfër, edhe pse i përkas një sëre më të ulët.
Si ti jam dhe unë… më lëndon vështrimi ironizues dhe nënvleftësues, më vret gjysmë përshëndetja dhe zemërbutësia jote e shtirur.
Si ti jam dhe unë… kërkoj dashurinë, por nga qielli “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri” (Merjem, 96)
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit